“Akt terrorist” – Enver Bytyçi kërkon hetim urgjent nga Prokuroria Speciale pas bllokimit të transportit publik në Prishtinë
Profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së transportit publik në Prishtinë, duke e cilësuar situatën si një rast të paprecedent në historinë e qyteteve shqiptare.
Sipas Bytyçit, paralizimi i qarkullimit urban përbën një ngjarje serioze që kërkon ndërhyrje të menjëhershme institucionale.
Ai, në një prononcim për “Bota sot” ka bërë thirrje që Prokuroria Speciale e Kosovës të nisë urgjentisht hetimet, përfshirë – siç thekson ai – edhe veprimet e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Transporti publik në Prishtinë sot është paralizuar. Ky është një rast unik në historinë e qyteteve shqiptare dhe më gjerë. Prokuroria Speciale e Kosovës duhet me urgjencë të veprojë dhe të marrë nën hetim personat përgjegjës, përfshirë dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama”, ka deklaruar profesori.
Ai paralajmëron se situata e krijuar paraqet rrezik për paqen sociale dhe stabilitetin e Republikës, duke kërkuar që “fajtorët të dalin para drejtësisë sa më shpejt”.
“Duhet audituar nën kujdesin e kësaj prokurorie për shkaqet e vërteta të këtij “akti terrorist”. që synon të destabilizojë Kosvën dhe të nxitë konflikt soicial në këtë vend. Fajtorët duhet të shkojnë para drejtësisë. Një orë e më parë, sepse situata rrezikon paqen sociale dhe stabilitetin e Republikës!”, ka përfunduar profesori.
Në Prishtinë, transporti publik ka mbetur i bllokuar gjatë ditës së sotme, pasi punëtorët po protestojnë për për mungesë pagash dhe ndërprerje të shërbimeve.
Kjo ka krijuar vështirësi të mëdha për qytetarët.
