Doruntina Maloku me rrëfim të dhimbshëm për vrasjen e Xhemail Musrafës: Mu duk se Babi u vra për së dyti!
Doruntina Maloku, vajza e veprimtarit të vrarë të LDK-së, Enver Maloku, ndau një kujtim emocional në 25-vjetorin e vrasjes së Xhemail Mustafës, njërit prej intelektualëve më të rëndësishëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Ajo tregon se pak orë para atentatit, ka qenë ndër personat e fundit që e ka takuar Xhemail Mustafën të gjallë, në zyrat e Forumit të Rinisë së LDK-së te Kompleksi “Qafa”.
Në një korridor të ngushtë e të errët, thotë se e ka përqafuar Axhën Xhemë, i cili sapo kishte dalë nga zyra e QIK-ut, aty ku dikur kishte punuar edhe babai i saj.
Vetëm një orë më pas, Doruntina mori telefonatën tronditëse:
E hutuar, e mohoi lajmin, pasi e kishte takuar fare pak minuta më parë. Por kur u kthye në zyrat e LDK-së, pa fytyrat e ngrysura të aktivistëve që konfirmuan të vërtetën. Ajo u ngjit me shpejtësi në katin e sipërm, sikur të donte ta gjente aty, ulur para kompjuterit, duke punuar si çdo ditë.
Doruntina thekson se Republika e Kosovës u ka borxh këtyre njerëzve që dhanë jetën për vendin, ndërsa Kosova duhet t’ua japë drejtësinë që mungon prej dekadash.
Postimi i plotë:
Sot, 25 vjet, mund të kem qenë ndër njerëzit e fundit që e kanë taku të gjallë Axhën Xhemë. Isha në zyrat e Forumit të Rinisë së LDK-së tek Kompleksi Qafa, dhe në korridorin e ngushtë e të errët të katit të sipërm, e takova Axhën Xhemë, i cili sapo doli nga zyra e vogël e QIK-ut.
“Ku je moj – Hajde të përqafi këtu” – e përqafova dhe e pyeta si është.. nuk e kisha takuar që prej përfundimit të procesit zgjedhor që u pat mbajtë në tetorin e atij viti dhe ku ne si aktivistë të rinj, kishim qenë shumë të angazhuar. Qysh je Axha Xhemë, e pyeta teksa ma dha një përqafim prindëror. Kam tmerrësisht kokëdhimbje, më tha! -A ke nevojë për ndihmë dicka në zyrë – do ta bëj unë, e ti shko pusho, e luta! Tha, po pres një lajm, po e plasoj dhe menjëherë po nisem në shtëpi!
Më pyeti për familjen dhe u përshëndetëm! Unë dola, ndërsa Axhën Xhemë e lashë aty, në QIK. Duke pritur lajmin. Pas rreth një ore, mora një telefonatë nga një mik i përbashjët i familjeve tona.. A dëgjove, me pyeti! Për cka a dëgjova, u përgjigjja e habitur.. Xhemail Mustafën e vranë – tek banesa e tij në Dardani, më tha me zërin e ngjirur dhe gati pa frymë. Nuk ka mundësi, i thashë. S’ka shansa! Axhën Xhemë e takova pak më parë në parti. S’ka mundësi! U nisa shpejt drejt zyrës tek Qafa dhe duke u afruar pashë fytyrat e ngrysura e plot dhimbje të aktivistëve tanë.
Lajmi ishte i vërtetë. Por, unë ende s’mund të besoja. Nuk doja të besoja! U ngjita lart shkallëve sikur doja ta gjeja aty. Ulur në zyrë, pranë kompjuterit duke shkruar.. Atë ditë, mu duk se Babi u vra për së dyti! Ishin miq të ngushtë nga rinia e hershme. Të dy, kishin fatin e njëjtë. Intelektualë, gazetarë, publicistë, të dy shefa të QIK-ut. Të dy, të vrarë njëri pas tjetrit, për shkak të fjalës së lirë. Për shkak të bindjeve të tyre politike. Për shkak se nuk bënin kompromis me të vërtetën. Republika u ka borxh këtyre njerëzve. Heronjve tanë. Ata dhanë jetën për Kosovën, ndërsa Kosova duhet t’ua japë drejtësinë. Xhemail Mustafa, heroi ynë, është i gjallë ndër të gjallët, përjetësisht!
