Zgjedhjet e jashtëzakonshme, Tali parashikon skenarin e 28 dhjetorit
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025 në Kosovë janë një ngjarje kyçe në skenën politike të vendit.
Ato vijnë pas disa dështimeve për të formuar një qeveri të re, duke detyruar Presidenten Vjosa Osmani të shpërbëjë parlamentin dhe të shpallë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Analisti poltik, Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se zgjedhjet do të jenë interesante dhe fitorja varet kryesisht nga listat e deputetëve, jo domosdoshmërisht nga partia.
ImageAnalisti poltik, Driton TaliFoto galeri
Për koalicionet, Tali beson se rezultatet e zgjedhjeve do të detyrojnë partitë të formojnë qeverinë, dhe nuk pret që marrëveshje të përkohshme si ajo nëntëmujore të përsëritet.
“Do të jenë zgjedhje interesante. Unë jam i bindur se listat e deputetëve do të jenë faktori kryesor i fitores ose humbjes. Zgjedhjet lokale e kanë treguar këtë – kandidati ka ruajtur ose fituar postin e kryetarit të komunës, dhe jo domosdoshmërisht partia, me disa përjashtime të pakta.
Sa i përket koalicioneve, edhe pse shihet një afrim midis PDK-së dhe LDK-së, unë besoj se rezultati i zgjedhjeve do t’ua imponojë partive koalicionin qeveritar të radhës. Kjo “aventurë” disa mujore nuk besoj se do të përsëritet. Edhe ashtu, zgjedhjet asnjëherë nuk kanë prodhuar rezultat të njëjtë.
Këta pesë deputetë që u munguan partive për të formuar qeverinë nuk besoj se do të përsëriten. Dikush do t’i fitojë”, ka thënë ai.
Në fund, Tali ka folur edhe për rolin e mërgatës, si dhe ka shtuar se se zgjedhjet pritet të jenë mjaft interesante.
“Edhe sa i përket mërgatës, partitë dhe liderët e tyre duhet ta kuptojnë se ajo nuk është uniforme. Është gabim të mendohet për mërgatën si diçka statike. Ajo është kolorite dhe dinamike, dhe ngjyrat e saj ndryshojnë sipas rrethanave. Prandaj, unë pres që të jenë zgjedhje interesante”, ka përfunduar Tali.
