OPINIONTË FUNDIT

Dalin detaje të reja: Aleksandër Vuçiq i shoqëronte të pasurit për të kryer “gjueti njerëzish” në Sarajevë?

Turistë të pasur udhëtojnë në zona lufte. Ata paguajnë dhjetëra mijëra euro për të pasur mundësinë të qëllojnë me snajper mbi civilë. Pikërisht kjo thuhet se ka ndodhur në Sarajevën e rrethuar (Bosnje dhe Hercegovinë) në vitet 1990. Dhe thuhet se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka marrë pjesë në këto “safari (gjueti) njerëzish”.

Kështu nis shkrimi i sotëm në gazetën gjermane, Bild.de, në të cilin thuhet se gazetari investigativ kroat Domagoj Margetić (51) ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Milanos kundër kreut të shtetit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq (55 vjeçar, në detyrë që nga viti 2017). Për këtë raportuan në mënyrë të njëjtë mediat italiane të enjten, transmeton gazeta “Bota sot”.

Gazetari e akuzon presidentin për përfshirje në të ashtuquajturat “Sarajevo-Safaris”.

Presidenti Vuçiq si vullnetar në Luftën e Bosnjës

Si një “vullnetar i ri në Luftën e Bosnjës”, Vuçiqi dyshohet se ka qenë i lidhur me “ekspedita të supozuara të të huajve, të cilët kundrejt shumave të mëdha parash thuhet se kanë qëlluar civilë në qytetin e rrethuar, vetëm për ‘argëtim’”, raporton portali italian online.

ImageRrethimi i Sarajevës (këtu një foto nga viti 1992) zgjati nga viti 1992 deri në vitin 1996 dhe u kushtoi jetën shumë civilëve.Foto galeri
Kryesisht snajperistë amatorë nga Italia, por edhe nga vende të tjera të Evropës Perëndimore dhe nga SHBA-ja, thuhet se kanë paguar mes 80.000 dhe 100.000 euro për një “Sarajevo-Safari” në Sarajevën e rrethuar. Aty, sipas pretendimeve, ata qëllonin me snajper ndaj civilëve.

Në dokumentarin e regjisor it slloven Miran Zupaniç nga viti 2022, ish-ushtarë dhe ish-agjentë të shërbimeve sekrete tregojnë se si “gjuetarët e njerëzve” eskortoheshin drejt pozicioneve boshnjako-serbe në kodrat e Sarajevos, për të qëlluar mbi gra, fëmijë dhe të moshuar.

Më shumë se 10 000 të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevos

Pas një kallëzimi të shkrimtarit dhe gazetarit italian Ezio Gavazzeni, Prokuroria e Milanos kishte nisur hetimet një javë më parë. Tani, gazetari investigativ Margetić ka paraqitur prova të pretenduara, të cilat thuhet se vërtetojnë se presidenti Vuçiq “ka qenë i pranishëm në njërën nga bazat ushtarake në Sarajevo”, shkruan më tej Today, transmeton “Bota sot”.

Rrethimi i Sarajevës

Trupat boshnjako-serbe dhe pjesë të Ushtrisë Popullore Jugosllave krijuan një unazë rrethimi rreth Sarajevës në pranverën e vitit 1992. Ajo që pasoi ishte një torturë mizore dhe shumëvjeçare për popullsinë – deri në vitin 1996. Banorët e qytetit nuk kishin rrymë, nuk kishin ngrohje dhe nuk kishin ushqim të mjaftueshëm. Çdo dalje në rrugë ishte një rrezik për jetën. Në kodrat dhe ndërtesat e larta përreth qytetit ishin pozicionuar snajperistë që qëllonin mbi banorët.

Dy milionë njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Pothuajse 100,000 njerëz humbën jetën në luftë ose konsiderohen ende të zhdukur. Vetëm rrethimi i qytetit thuhet se ka kushtuar më shumë se 10,000 jetë njerëzish.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *