Bojkoti i seancës për buxhet nga opozita, Voca paralajmëron rrezikun e krizës shtetërore
Në paraditen e së mërkurës është mbajtur seanca e parë e jashtëzakonshme e legjislaturës së re, në të cilën ishin parashikuar për shqyrtim disa çështje me rëndësi të madhe financiare dhe institucionale për vendin.
Ashtu siç ishte paralajmëruar nga partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, nuk ishin të pranishme në sallën e Kuvendit të Kosovës.
Mirëpo, në seancë morën pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe një deputet i opozitës, ai i PDK-së, Përparim Gruda.
Mospjesëmarrjen e opozitës në Kuvend e ka komentuar doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad Voca.
Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka shpjeguar se si mund të interpretohet mospjesëmarrja e opozitës në seancën e jashtëzakonshme për buxhetin.
ImageDoktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Mirsad VocaFoto galeri
“Mospjesëmarrja e PDK-së dhe LDK-së në seancën e thirrur nga deputeti Dimal Basha për çështjen e buxhetit mund të interpretohet në dy plane të ndryshme, në atë politik dhe institucional.
Së pari, në aspektin politik, ky veprim i opozitës funksionon si presion ndaj Vetëvendosjes, duke sinjalizuar se opozita nuk është e gatshme t’i japë shumicën artificiale as për çështje urgjente, në një moment kur vendi gjendet në prag të afateve kushtetuese për formimin e qeverisë së re. Në këtë logjikë, mospjesëmarrja në seancë mund të paraqitet si një strategji për të mos legjitimuar një proces që VV po tenton ta shtyjë përpara pa sigurimin paraprak te konsensusit të nevojshëm.
Së dyti, në aspektin institucional, mospjesëmarrja në seancë gjithsesi krijon një situatë problematike. Çështja e buxhetit është emergjente dhe tejkalon interesin e secilës parti politike. Bojkoti, pavarësisht argumenteve politike, e vë në rrezik funksionimin normal të institucioneve, pagat e sektorit publik dhe planifikimin financiar të vitit të ardhshëm. Në këtë kuptim, ky veprim mund të interpretohet si bllokadë, sepse prodhon pasoja te prekshme për shtetin”, ka shpjeguar ai.
Gjithashtu, Voca ka thënë se bojkotimi është një mjet i fortë politik, por përdorimi i tij në një moment delikat buxhetor e kufizon argumentin moral të opozitës, pasi buxheti në demokraci zakonisht trajtohet si çështje shtetërore, jo si betejë partiake.
“Nëse pyesim veten se është bojkotimi taktikë e duhur, rikujtoj se ai është një mjet i fortë politik, por përdorimi i tij në një moment buxhetor delikat e kufizon argumentin moral të opozitës. Në vendet demokratike, buxheti zakonisht trajtohet si çështje shtetërore, jo si instrument beteje partiake. Kjo nuk i heq përgjegjësinë VV-së për mënyrën si e ka menaxhuar procesin politik pas zgjedhjeve, por që bojkotimi si mjet politik në këtë fazë rrezikon të perceptohet si taktizim i tepruar.
Kush del më i fituar nga kjo situatë
Ironikisht, situata është ambivalente:
-VV-ja përfiton në planin narrativ, sepse mund të paraqesë veten si palë që po përpiqet të çojë përpara proceset shtetërore, ndërsa opozitën si penguese.
-Opozita, nëse arrin t’i mbajë të bashkuara qëndrimet, përfiton në planin taktik, sepse shtyn proceset derisa të qartësohet krejtësisht çështja e qeverisë dhe mandatarit”, ka vlërësuar ai.
Megjithatë, në sytë e publikut çdo vonesë shihet si bllokim që penalizon vendin, ndaj Voca ka nënvizuar se tani kërkohet maturi politike.
“Mirëpo, në sytë e publikut, që zakonisht e sheh buxhetin si çështje ekzistenciale të shtetit, rreziku më i madh bie mbi opozitën, sepse çdo vonesë mund të interpretohet si bllokim që penalizon vendin.
Në këtë periudhë kërkohet maturi politike. Nëse partitë e mëdha e shohin interesin shtetëror mbi kalkulimet partiake, atëherë edhe procedurat urgjente si buxheti mund të avancohen pa cënuar parimet e demokracisë parlamentare. Përndryshe, vendi rrezikon të futet në një krizë të panevojshme që dëmton të gjithë, pavarësisht se kush përpiqet të fitojë politikisht”, ka përfunduar Voca.
