“Rrezik për Kosovën”: Aliçkaj paralajmëron për “qeveri teknike” pro-serbe
Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet të mbajë sot dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë edhe çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK). Ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria Konjufca.
Partitë opozitare kanë reaguar pas thirrjes për dy seancat e kuvendit, duke thënë se nuk do të marrin pjesë në seancën e parë.
Veprimtari Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se rikthimi i strukturave serbe në veri ose krijimi i asociacionit pa njohje nga Serbia do t’i kushtonte Kosovës pavarësinë.
Sipas tij, largimi i Albin Kurtit nga qeveria do të hapte rrugë kthimit të bandave dhe ndikimit serb.
Ai vlerëson se qeveria Kurti-Osmani-Konjufca ka qenë më e suksesshmja në forcimin e shtetit dhe se meriton një mandat tjetër, edhe pse këtë normalitet Kosova vazhdon të mos e përjetojë.
“Së pari dëshiroj të konstatoj se:
1. Nëse lejohet kthimi i strukturave paralele serbe në veri dhe çfarëdo forme e asociacionit para njohjes nga Serbia, Kosova do të përshëndetet me pavarësinë e saj përgjithmonë, dhe
2. Nëse KM në detyrë Albin Kurti largohet nga qeverisja, kthimi i bandave, strukturave paralele dhe i Serbisë në Kosovë është i garantuar.
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, asnjë qeveri e Kosovës nuk ka përfunduar një mandat të plotë katërvjeçar, përveç qeverisë së KM Albin Kurti. Koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa krijuan një qeveri të suksesëshme, e cila e shpëtoi Kosovën nga ndarja dhe shkatërrimi, e ktheu sovranitetin në Veri të Kosovës, dhe e filloi seriozisht ndërtimin dhe forcimin e shtetit.
Liderët kryesorë të kësaj qeverisje, KM Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca, me aftësitë, përkushtimin, punën dhe rezultatet e tyre, në këtë moment janë dukshëm më të mirë se çfarëdo alternative tjetër. Në çdo shtet normal demokratik, vazhdimi i qeverisjes së tyre edhe për një mandat do të ishte gjëja më normale.
Por jo në Kosovën tonë të dashur e të shumëvuajtur”, shprehet ai.
Aliçkaj kritikon ashpër PDK-në, LDK-në, AAK-në dhe NISMËN, duke thënë se në vend që të reflektojnë për korrupsionin dhe dështimet e së kaluarës, ato po ndjekin një rrugë anti-shtetërore. Sipas tij, opozita ka zgjedhur sharjet, shpifjet dhe bllokimet, duke e penguar qeverinë Kurti në punët shtetërore dhe duke shndërruar garën politike në luftë kundër shtetit.
Ai thotë se pas humbjes së zgjedhjeve, bllokada e institucioneve është intensifikuar, me përdorim të procedurave dhe truqeve ligjore për të mos lejuar formimin e qeverisë. Edhe propozimi i Glauk Konjufcës si mandatar është refuzuar pa arsye.
Aliçkaj paralajmëron se nëse opozita vazhdon të sabotojë buxhetin, pagat dhe projektet shtetërore, atëherë po dëshmon se është e gatshme ta dëmtojë Kosovën për interesa partiake dhe klanore. Ai shpreson se do të gjendet të paktën një deputet që do të votojë për shtetin, jo për inatet partiake.
“Krerët e partive që mbetën në opozitë, PDK, LDK, AAK dhe NISMA, në vend se të reflektojnë për gabimet e tyre gjatë një qeverisje të gjatë, copa-copa, të mbushur me korrupsion, përulje ndaj ndërkombëtarëve, inferioritet dhe nënshtrim ndaj armikut serb; të ndryshojnë dhe të vazhdojnë luftën konstruktive për pushtet, u futën në një rrugë të mbrapshtë anti-shtetërore.
Të ndihmuar nga shtypi i korruptuar, ata e filluan aktivitetin e tyre opozitar me sharje, fyerje, shpifje, shtrembërime, dezinformime dhe propaganda falso kundër qeverisjes legjitime. Në vend se ta ndihmojnë qeverinë kundër armikut serb dhe të fitojnë simpati te populli, ata e kritikojnë pabazë dhe e pengojnë atë në kryerjen e detyrave shtetërore. Luftën normale për pushtet e kanë shëndrruar në luftë kundër shtetit.
Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, ata u egërsuan edhe më shumë. Filloi periudha e bllokimit të krijimit të institucioneve dhe sabotimit të punës së qeverisë në detyrë të KM Kurti, i cili nuk arriti ta fitojë shumicën për qeverisje pa koalicion. Me arsyetime të ndryshme formale, teknike, procedurale, shpesh absurde, si dhe me shfrytëzimin e hapësirave ligjore dhe kushtetuese, ata e refuzojnë çdo ofertë të Kurtit, as pa e shqyrtuar fare.
Nga ana e tij, edhepse jo pa gabime dhe kalkulime politike të cilat nuk e dëmtojnë shtetësinë e Kosovës, KM Kurti i ka bërë disa lëshime me qëllim kompromisi, i fundit është propozimi i ish-kryeparlamentarit Glauk Konjufca për mandatar të krijimit të qeverisë.
Në bazë të deklarimeve të fundit të partive bllokuese të shtetit, as ky propozim nuk ju pëlqen dhe nuk do ta votojnë qeverinë e z. Konjufca në asnjë mënyrë. E vetmja shpresë është nëse ndonjëri nga parlamentarët që nuk është frikacak dhe që interesat shtetërore i qet mbi ato partiake dhe personale, ta votojë Glaukun dhe të vazhdojë jeta normale demokratike dhe shtetërore deri në zgjedhjet tjera.
Për më keq, ata kanë paralajmëruar se do të refuzojnë çdo përpjekje të LVV-së për aprovimin e buxhetit të shtetit dhe të disa komunave, sigurimin e pagave të puntorëve të RTK-së dhe përfitimeve financiare ndërkombëtare.
Nëse ndodhë kjo gjë e pakuptimtë, e panevojshme dhe shumë e rrezikshme, atëherë e zbulojnë fytyrën e tyre të vërtetë dhe faktin se për inate, kojtje, interesa personale, klanore dhe partiake, janë në gjendje ta shkatërrojnë shtetin e Kosovës”, potencon ai.
Në fund, Aliçkaj thotë se, nëse opozita vazhdon këtë kurs, do të tregojë se është e gatshme të shkelë mbi sakrificat historike të shqiptarëve — mbi gjakun e heronjve, mbi vlerat e UÇK-së e familjes Jashari, dhe mbi trashëgiminë e Rugovës. Ai pretendon se veprimet e opozitës po duken të koordinuara me figura pro-serbe si Grenell, Hill, Edi Rama dhe interesa të huaja që synojnë dobësimin e Kosovës.
Sipas tij, qëllimi i opozitës është eliminimi politik i Albin Kurtit, një objektiv që përputhet me atë të Vuçiqit. Ai paralajmëron se partitë opozitare po tentojnë të krijojnë kaos për ta fajësuar Kurtin dhe për të marrë pushtetin pa votë, përmes një qeverie teknike të imponuar nga jashtë.
“Kështu, ata do të vërtetojnë se janë në gjendje të shkelin mbi rezistencën shekullore të popullit shqiptar, mbi gjakun e heronjve dhe viktimave të gjenocidit serb. PDK, AAK dhe NISMA do të shkelin mbi vlerat e luftës së lavdishme të UÇK-së dhe familjes Jashari, ndërsa LDK mbi rezistencën heroike të Lëvizjes demokratike të Presidentit Ibrahim Rugova.
Kështu ata do ti vërtetojnë dyshimet se veprimet e tyre janë të koordinuara me armiqtë e Kosovës, ish-Ambasadorët pro-serb Grenell dhe Hill, me KM anti-shqiptar Edi Rama dhe forcat tjera të errëta ndërkombëtare pro-serbe, të interesuara për ndarjen dhe shkatërrimin e Republikës së Kosovës.
Ata deklarojnë publikisht, pa pikë turpi, se qëllimi i tyre i fundit, është largimi i LVV-së dhe Kurtit nga jeta politike e Kosovës. Fatëkeqësisht, besoj padashje por qorrazi, ky qëllim i tyre përputhet me atë të regjimit të diktatorit serb Vuciq, i cili e ka shpallë Kurtin armikun numër 1 të Serbisë dhe i ka mobilizuar të gjitha forcat dhe qindra miliona dollarë për ta eliminuar nga jeta politike e Kosovës.
Me krijimin e rrëmujës politike dhe ekonomike, ata do të tentojnë që ta mashtrojnë forcën e vetme të pamposhtur të KM Albin Kurti, popullin e Kosovës. Ata do të mundohen që ta bindin popullin se fajtorë për të gjitha është Albin Kurti me LVV-në, Guxo dhe Alternativa, të cilët do ti shpallin të paaftë për ta qeverisë shtetin.
Synimi i tyre është që, së pari ta marrin pushtetin në mënyrë ilegale, pa vota, me presion dhe ndihmë ndërkombëtare, duke krijijuar një qeveri teknike kukull pro-Grenell ( të quajtur “pro-Amerikane”) dhe pro-serbe. Pastaj me para dhe propagandë të fuqishme do të tentojnë të bëjnë legalizimin e saj me votën e popullit, të mashtruar dhe frikësuar nga ndërkombëtarët pro-serb.
Por, po harrojnë se koha e emërimeve të qeveritarëve me zarfa ka mbaruar. Populli i Kosovës nuk mashtrohet lehtë. Ata do të ballafaqohen me një rezistencë të paparë ndonjëherë të forcave patriotike popullore brënda dhe jashtë Kosovës. Forcat e errëta kundër shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar duhet të tërhiqen, ose do të munden nga populli i Kosovës dhe do të dështojnë me turp” – përfundon ai.
