OPINIONTË FUNDIT

Spiropali me homologun gjerman: Apelojmë për heqjen e masave ndaj Kosovës, janë të tepruara

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë Ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul.

Gjatë konferencës së përbashkët për mediat, Spiropali deklaroi se Shqipëria mbetet një faktor kyç stabiliteti dhe një partner i rëndësishëm për një rajon të integruar dhe të sigurt. Ajo theksoi se vendi është i angazhuar në mbështetjen e Kosovës në proceset e reformave dhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e rajonale.

“Shqipëria mbetet një faktor stabiliteti dhe partner për një rajon më të integruar dhe më të sigurt. Jemi të angazhuar për të ndihmuar Kosovën në procesin e reformave dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe rajonale. Synojmë të mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në NATO, një domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë”, tha Spiropali.

Spiropali apeloi edhe për heqjen e masave kufizuese ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato “të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e saj të integrimit europian”.

“I konsiderojmë masat kufizuese ndaj Kosovës si të tejkaluara, të tepruara dhe penguese për procesin e integrimit të saj në BE. Apelojmë për heqjen e menjëhershme të tyre. Mbështesim dhe inkurajojmë procesin e dialogut me Serbinë, duke vlerësuar se çdo proces dialogu duhet të përfundojë me respektimin e marrëveshjeve dhe njohjen reciproke”, tha ajo.

Spiropali nënvizoi rëndësinë e vizitës së homologut gjerman si një sinjal i vëmendjes së shtuar të Berlinit për rajonin dhe integrimin e tij të plotë në BE.

“Turi rajonal i homologut gjerman rrit rëndësinë e vëmendjes së shtuar ndaj rajonit dhe integrimit të tij. Gjermania është një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomik të Shqipërisë si në shkëmbimet tregtare dhe investimet. Jemi të përkushtuar të përmirësojmë klimën e biznesit dhe të ulim barrierat administrative për investitorët gjermanë. Kemi ende shumë potencial për të rritur bashkëpunimin ekonomik, njerëzor dhe tregtar mes dy vendeve,” përfundoi ministrja.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul po zhvillon një tur diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor: Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal i Zi, Shqipëri, Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *