Kërkohet përgjegjësi për gabimet në librat shkollorë
Kërkohet përgjegjësi për gabimet në librat shkollorë
Një gabim që supozohet të jetë lëshuar në tekstin e lëndës shoqëria dhe mjedisi për klasat e 4-ta e ku subjekt është testimi i njohurive të filloristëve rreth datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në 4 opsionet e këtij libri asnjë nuk është i saktë, gjë që ka nxitur reagimin e prindërve.
Për këtë rast, Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje, derisa të pa qasshëm kanë qenë edhe autorët e librit.
Janë 4 opsione për datën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Por asnjëri prej tyre nuk është I saktë në Fletoren e punës të lëndës Shoqëria dhe mjedisi, me të cilin punojnë filloristët e klasës së 4-t.
Kjo ka bërë që prindërit të reagojnë. Ata i konsiderojnë këto gabime të patolerueshme dhe kërkojnë përgjegjësi nga autorët, recensentët, shtëpitë botuese dhe Ministria e Arsimit.
“Ky nuk është një lëshim, por një gabim i madh dhe një mungesë e përgjegjësisë totale, të atij që e ka shkruar dhe i atij që e ka botuar, persona të tillë na dalin autorë e recensentë librash. Fakti që nuk është dhënë sqarimi lartë se mund të ketë pyetje pa asnjë alternativë të saktë dhe jo të bëhet një lëshim i tillë” tha Salie Osmankaq – Këshilli i Prindërve, RTK.
Ndërsa Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard, thotë se gabimet si këto nuk janë të çuditshme, dhe se janë prezente në të gjitha tekstet shkollore. Ajo çka është shqetësuese sipas tij është fakti se ky libër ka kaluar në disa filtra, recensentë e grup autorësh, dhe ka kaluar pa u identifikuar.
“Për këtë kërkohet llogaridhënie, për këtë duhet ti identifikojmë dhe prezantojmë këta recensente, këta autorë dhe llogaridhënia duhet të kërkohet pikë se pari nga recensentet e pastaj edhe për autoret. Sipas tij, ky tekst shkollor që është miratuar rishtazi, e përmbledh një problem serioz, që ndërlidhet me ndikimin që kanë shtëpitë botuese tek recensentët” ,tha Qehaja.
Këtë situatë konsiderohet se mund ta rregullojë ligji që po hartohet për tekstet shkollore, i cili kërkon rishikim të vazhdueshëm dhe të përvitshëm. Por kur mund të ndodhë kjo, ende nuk dihet.
RTK ka provuar gjatë gjithë ditës të kontaktojë me zyrtarët e Ministrisë së Arsimit por asnjë prej tyre nuk ka qenë i qasshëm në telefon. Po ashtu edhe autorët ka qenë e pamundur të kontaktohen.