OPINIONTË FUNDIT

“Fitorja në Prishtinë s’e mbulon humbjen e bastioneve”: Majkovci kritikon qasjen e LDK-së

Me 9 nëntor, në disa komuna të Kosovës u mbajtën zgjedhjet lokale, ku në Prishtinë përballë njëri-tjetrit garuan kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku.

Fitues i kësaj gare doli Rama, i cili mori sërish besimin e qytetarëve për një mandat të ri.

LDK-ja e konsideroi këtë rezultat si një fitore të madhe për partinë.

Politologu Fahredin Majkovci, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës po e nxjerr fitoren në Prishtinë si sukses, megjithëse ka humbur komuna që i ka udhëhequr për vite.

“LDK po e paraqet si arritje të madhe fitoren në Prishtinë, por ka humbur komuna të tjera që i ka udhëhequr për vite me radhë dhe që njiheshin si bastione të saj.

Rezultatet e zgjedhjeve që sapo lamë pas kanë ofruar një ngjyrë të re në hartën politike të vendit. Leximi i rezultateve gjithmonë bëhet nën prizmin optimist nga partitë politike.

Por cilat janë rezultatet reale?

Në nivel të parë të analizës, krahasuar me zgjedhjet e katër viteve më parë, rezultatet tregojnë:

– PDK kishte fituar 9 komuna,

– LDK kishte 7 komuna (më vonë

edhe Kryetari i Obiliqit iu bashkua

LDK-së),

– AAK kishte fituar 5 komuna,

– LVV kishte fituar 4 komuna.

Në zgjedhjet e fundit:

– LVV mund të konsiderohet fituese

kryesore, pasi ka shtuar 3 komuna.

– LDK dhe AAK kanë ruajtur numrin e

komunave që kanë pasur më parë.

– PDK ka humbur 3 komuna.

Në nivel të dytë të analizës, ku merret parasysh pesha dhe rëndësia e komunave të fituara dhe të humbura, LDK mund të gjejë hapësirë për optimizëm, duke shfrytëzuar fitoren në Prishtinë”, ka shpjeguar ai.

ImagePolitologu Fahredin MajkovciFoto galeri
Po ashtu, Majkovci ka vlerëssuar se LDK-ja pasi partia ka humbur bastione historike dhe duhet të rishikojë strategjinë për të forcuar ndikimin në nivel vendi.

“Fitorja e LDK-së në Prishtinë është pa dyshim e rëndësishme por nuk mund të konsiderohet sukses i plotë, pasi partia ka humbur bastione të tjera historike në komunat e saj. Kjo tregon se, ndërsa ruan pushtetin në komunat e caktuara, LDK duhet të reflektojë mbi humbjet dhe të përshtasë strategjinë për të forcuar ndikimin e saj në nivel vendi”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Majkovci ka shtuar se Prishtina tregon forcën e LDK-së në disa komuna, por rezultati i përgjithshëm duhet vlerësuar mbi bazën e gjithë hartës politike, ku LVV ka rritur ndikimin duke fituar komunat që më parë nuk i kishte.

“LDK po e nxjerr si arritje të madhe fitoren në Prishtinë për të theksuar suksesin strategjik, ndërkohë që humbjet në bastione të tjera tregojnë një erozion të mbështetjes së saj në nivel lokal. Në këtë mënyrë, fokusimi në kryeqytet përdoret si një mënyrë për të balancuar perceptimin publik dhe për të mbuluar humbjet e tjera.

Pra, nga një perspektivë analitike:

Prishtina tregon që LDK mbetet forcë e fortë në disa komuna.

Por që komunat që kanë humbur, të cilat kanë qenë bastione historike, sinjalizojnë nevojën për reflektim dhe riformulim të strategjisë politike.

Rezultatet tregojnë se fitoret e LDK-së nuk janë të përhapura gjerësisht, ndërsa LVV ka rritur ndikimin e saj duke fituar komunat që më parë nuk i kishte.

Së këndejmi, fitorja në Prishtinë është një arritje, por suksesi i përgjithshëm i partisë duhet të matet në bazë të të gjithë hartës politike dhe komunave të fituara”, ka përfunduar Majkovci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *