Tronditje në PDK: Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, a po vjen fundi i epokës Thaçi–Veseli?
Partia Demokratike e Kosovës dje ka mbetur pa kryetar të partisë.
Memli Krasniqi, i cili ishte rizgjedhur në krye të partisë për një mandate të dytë në qershor, të mërkurën ka dhënë dorëheqje nga partia e dytë më e madhe në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës.
“Sot pas shumë kohe reflektimi, ka ardhur momenti i duhur, prandaj sot kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të partisë”, ka thënë Krasniqi në një konferencë për media.
Krasniqi drejtimin e PDK-së e kishte marrë në vitin 2021, ndërsa këtë vendim e konsideroi si reflektim të gjatë të tij.
“Ky vendim nuk është as i momentit dhe nuk lidhet vetëm me zhvillimet e fundit. Është reflektim i gjatë i imi mbi atë se çfarë i duhet më shumë partisë në fazën e ardhshme”, ka shtuar ai.
Ai ka shtuar se PDK-ja ka nevojë për të krijuar “një momentum, dhe një mundësi të re për familjen tonë demokratike. Si dikush që nuk ka pasur asnjëherë ambicie për kryeministër, në zgjedhjet e ardhshme kandidati ynë duhet të jetë edhe kryetar i partisë”.
Krasniqi ka bërë të ditur po ashtu se e ka thirrur Konventën e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë më 17 nëntor.
Ndërsa, nuk e dinë se kush do të garojë për kryetar të partisë, por ai zbuloi edhe preferencën e tij.
Krasniqi tha se nuk e di se kush do të garojë për kryetar të partisë në konventën e së hënës, por shtoi se do ta mbështesë Hamzën nëse ai garon.
“Preferencën time për Bedri Hamzën nuk e fshehu, përkundrazi me kënaqësi e bëj publike”, theksoi ai.
Analistët politikë thonë se dorëheqja e Memli Krasniqit, dorëheqja e tij është tregues i një partie që nuk ka arritur të bëjë autopsinë morale të vetvetes – pra, të shkëputet nga rrënjët e kalbura të së kaluarës që lidhen me epokën Thaçi–Veseli dhe sipas tyre, nuk do të ketë figura të reja në krye.
Pse u dorëhoq Memli Krasniqi?
Analisti Faton Mehmeti, thotë se dorëheqja e Memli Krasniqit shihet si simptomë e mungesës së stabilitetit dhe si pasojë e humbjes së autoritetit të tij në parti.
Ai nuk pret figura të reja në krye të PDK-së.
“Dorëheqja e Memlit vjen mes përçarjeve të brendshme, mungesës së rezultateve elektorale dhe presioneve nga figura të pa kënaqura. Kjo shihet si simptomë e mungesës së stabilitetit dhe si pasojë e humbjes së autoritetit të tij në parti. Nuk pres të ketë figura të reja, Memli do të pasohet nga Bedri Hamza një figurë e konsumuar politike dhe që nuk sjellë diçka të re. Kjo nuk është mendësi e reflektimit nga PDK, por e vazhdimësisë së fasadës për gjoja reforma”, shprehet Mehmeti.
ImageAnalisti Faton MehmetiFoto galeri
Ai shtoi se “për më tepër besoj se urdhëri për dorëheqje të Memlit ka ardhur nga Haga, jo se Memli do të ishte larguar vet”.
Rreth dorëheqjes së Memli Krasniqit, kanë reaguar bashkëpartiakët e tij, por edhe duke shprehur opsione të mundshme për kryetarin e ri.
“Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza.
Të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës!”, ka shkruar kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Dorëheqja në disa plane, klanet në PDK dhe etika politike
Ndërsa, opinionisti Lirim Gashi, thotë se dorëheqja e Memli Krasniqit është akt që duhet të interpretohet në disa plane.
“Dorëheqja e Memli Krasniqit është një akt që mund të interpretohet në disa plane: Në planin personal, politik dhe simbolik. Në planin personal, ajo shpreh lodhjen e një njeriu që përpiqej të menaxhonte një trashëgimi të rëndë politike, të ngarkuar me korrupsion, klientelizëm dhe figura të kompromentuara. Në planin politik, dorëheqja e tij është tregues i një partie që nuk ka arritur të bëjë autopsinë morale të vetvetes – pra, të shkëputet nga rrënjët e kalbura të së kaluarës që lidhen me epokën Thaçi–Veseli. Në aspektin simbolik, ky akt është më shumë simptomë e krizës sesa shenjë e reformës. Sepse dorëheqja nga maja e një strukture nuk mjafton, nëse rrënjët e asaj strukture mbeten të njëjtat – të korruptuara, të paqarta dhe të orientuara drejt pushtetit, jo drejt parimeve”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
ImageOpinionisti Lirim GashiFoto galeri
Sipas tij, struktura e brendshme e PDK-së është e fragmentuar në klane që prej kohësh luftojnë për kontroll mbi pasuritë politike e ekonomike që lidhen me të dhe pa një figurë qendrore do të mbetet në agoni.
“Kjo dorëheqje, në thelb, do të hapë një fazë pasigurie brenda PDK-së. Struktura e brendshme e partisë është e fragmentuar në klane që prej kohësh luftojnë për kontroll mbi pasuritë politike e ekonomike që lidhen me të. Pa një figurë qendrore për ta mbajtur në ekuilibër këtë sistem të interesave, është e pritshme që të shfaqen tensione të brendshme, përplasje mes brezave dhe ndarje midis atyre që kërkojnë reformë të vërtetë dhe atyre që duan status quo. Nëse pasuesi i tij do të jetë produkt i po të njëjtit mentalitet që e çoi PDK-në në këtë krizë morale dhe elektorale, atëherë partia do të mbetet në agoni. Por nëse do të guxojë të hapet ndaj një vizioni të ri – me figura që nuk janë të kapura nga e kaluara – atëherë dorëheqja e Memlit mund të bëhet katalizator për një transformim të vonuar, por të domosdoshëm”, shprehet opinionisti.
Ai dorëheqjen e Krasniqit në realitet e sheh si shenjë e një krize të thellë udhëheqjeje dhe identiteti politik.
Sipas tij, PDK nuk e ka të qartë as sot kush është, çfarë përfaqëson dhe për kë lufton politikisht.
“Në dukje, mund të interpretohet si një “akt përgjegjësie” për t’i lënë hapësirë brezit të ri. Por në realitet, është shenjë e një krize të thellë udhëheqjeje dhe identiteti politik. Sepse një lider që largohet në momentin kur partia e tij është në krizë, nuk po e forcon, por po e lë në mëshirë të vakumit drejtues. PDK-ja nuk e ka të qartë as sot kush është, çfarë përfaqëson dhe për kë lufton politikisht. Strategjitë kozmetike nuk mjaftojnë. Pa një transformim etik, moral dhe ideologjik, çdo dorëheqje mbetet vetëm një rregullim i karrigeve në një anije që fundoset ngadalë”, thekson Gashi.
Ai shton se Kosova ka nevojë për etikë të re politike, që sipas tij, përgjegjësia nuk lind nga frika e humbjes, por nga ndjenja e misionit publik.
“Nëse e shohim nga këndvështrimi i kulturës politike, ky është një rast i rrallë në politikën kosovare ku dikush merr përgjegjësi – të paktën formalisht – për dështimet e partisë së vet. Por përgjegjësia e vërtetë nuk matet me dorëheqje, por me reformë morale. Kosova ka nevojë për një etikë të re politike, ku përgjegjësia nuk lind nga frika e humbjes, por nga ndjenja e misionit publik. Nëse kjo dorëheqje do të hapë vërtet derën për njerëz me integritet, me arsimim bashkëkohor, me ide progresive dhe pa lidhje me krimin e organizuar, atëherë mund të flasim për një shpresë të re. Por nëse skena do të mbushet sërish me emra të ricikluar, atëherë kjo “hapësirë” do të jetë thjesht një iluzion – një fasadë e re mbi të njëjtën muranë të vjetër”.
“Përmbyllje reflektuese: Dorëheqja e Memli Krasniqit mund të lexohet si një pasqyrë e një sistemi politik që po shembet nën peshën e mëkateve të veta. Është si të largosh kitaristin nga një orkestër që s’ka partiturë – nuk ndryshon tingulli, sepse problemi nuk është tek individi, por tek muzika që ata zgjedhin të luajnë. E ardhmja e PDK-së, pra, nuk varet nga emri i kryetarit të radhës, por nga guximi për t’u përballur me të vërtetën: që një parti e dalë nga lufta, por e zhytur në korrupsion, duhet të rilindë si parti e ligjit, meritës dhe moralit – ose të zhduket me dinjitet nga skena politike”, përfundon opinionisti
