OPINIONTË FUNDIT

Balotazhi i befasive: LVV fitoi terren, LDK humbi dy bastione, PDK humbi terren të rëndësishëm!

Më 9 nëntor përfundoi gara zgjedhore e balotazhit në nivel lokal në Kosovë, duke mbyllur një proces zgjedhor që nisi më 12 tetor. Këto zgjedhje u zhvilluan në 38 komuna të vendit dhe u karakterizuan nga një pjesëmarrje prej rreth 39.5 %, një shifër më e ulët krahasuar me ciklet e kaluara, çka reflekton lodhje politike dhe mosbesim të një pjese të elektoratit. Procesi, megjithatë, u vlerësua përgjithësisht i qetë dhe demokratik, me pak parregullsi serioze të raportuara.

Në raundin e parë, 20 komuna patën fitues të drejtpërdrejtë, ndërsa 18 komuna shkuan në balotazh. Rezultatet treguan një garë të ngushtë mes tri forcave kryesore – Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – duke dëshmuar se asnjëra nuk arriti dominim të plotë në nivel lokal.

Fitoret direkte në raundin e parë

LVV fitoi pa balotazh në Podujevë, Kamenicë dhe Shtime.

PDK siguroi fitore në Ferizaj, Skenderaj dhe Hani i Elezit.

LDK fitoi në Istog dhe Lipjan.

Balotazhi i 9 nëntorit

Balotazhi u zhvillua në 18 komuna, përfshirë qytete të mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjakova, Gjilani, Mitrovicë, Vushtrria e të tjera.

Disa nga përballjet më të komentuara ishin:

Prishtinë: Përparim Rama (LDK) kundër Hajrulla Çekut (LVV)

Mitrovicë: Arian Tahiri (PDK) kundr Faton Pecit (LVV)

Prizren: Shaqir Totaj (PDK) kundër Artan Abrashit (LVV)

Gjakovë: Ardian Gjini (AAK) kundër Ardian Golës (LVV)

Gjilan: Arbër Ismajli (LDK) kundër Alban Hysenit (LVV)

Pejë: Gazmend Muhaxheri (LDK) kundër Taulant Kelmendit (LVV)

Rezultatet përfundimtare treguan një shpërndarje të balancuar të fitoreve, LVV shënoi rritje në numrin e komunave të fituata, LDK mori 2 më pak, PDK pësoi rënie edhe më të madhe me minus 3 komuna, kurse AAK mbajti komunat që kishte qeverisur më parë.

Qarri: Për mua befasitë më të mëdha që prodhuan këto gara zgjedhore, ishte humbja e Hajrullah Çekut dhe fitorja e Përparim Ramës

E për rezultatet dhe fituesit e balotazhit për “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Së pari, ai tha se zgjedhjet lokale, nuk nxorën një fitues të padiskutueshëm, derisa përmendi rezultatet e partive më të mëdha politike.

ImageGani QarriFoto galeri
Mirëpo, sipas tij është befasi se si Çeku nuk arriti të fitojë në Prishtinë.

“Të mos votohet me shumicë në kryeqytet, një figurë e ngritur e punëtor i dëshmuar me sinqeritet të lartë e sjellje dhe kulturë shembullore si z. H. Çeku, që duhej të ishte frymëzim identifikimi për rininë studentët dhe të gjithë qytetarët, vërtet lë shumë për të dëshiruar për nivelin e kulturës zgjedhore në kryeqendrën e vendit, ku të gjithë i kanë sytë dhe prej nga presin të marrin shembull banorët e mbar një shteti, dëshmon se Prishtina vërtetë vazhdon të mbetet një qendër province dhe shumë larg kulturës votuese të kryeqyteteve evropiane.

Duke qenë se qeverisjet komunale u shpërndan në mënyrë pothuajse proporcionale me fitoret e tri partive kryesore secila me nga 7 komuna: LVV 7, LDK 7 dhe PDK 6+1 me Ramiz Lladrovcin që veten e konsideron pjesë të kësaj të fundit, edhe votimet e balotazhit me 9 nëntor, dëshmuan një lloje balance zgjedhore dhe nuk nxorën ndonjë parti fituese të padiskutueshme apo humbëse të madhe në hartën politike të niveleve lokale”, nënvizoi analisti.

Krahas kësaj, Qarri vlerësoi dy gabime që ka bërë LVV në dy komuna të mëdha si, Prishtina dhe Prizreni.

“Sidoqoftë për rezultatin e aktual, LVV, duket se njëjtë si në Prizren para disa vitesh, gaboi sërish rëndë edhe në këto zgjedhje lokale, ngase për të fituar Prishtinën, siç shprehen edhe miq të sprovuar, do duhej të kandidonte me Glauk Konjufcën ndërsa në Prizren me Hajrullah Çekun, pra sipas mendimit tim, ky ishte gabimi në hapa, që iu hakmor rëndë LVV-s dhe i kushtoi me humbjen e kryeqytetit, si dhe njërën prej qendrave më të mëdha në Kosovë si Prizreni, ku LVV me Mutaher Haskukën, pat rrënuar shumë imazhin e saj politik dhe pa një kandidat vërtet të fort, e ka vështirë më, ta rikthej këtë qytet historik”.

Përveç kësaj, analisti potencoi se duke parë fitoret në komuna të caktuara, LVV është fituese morale e këtyre zgjedhjeve.

Ai komentoi komunat në të cilat LVV doli fituese në zgjedhjet lokale.

“Përkundër zhvillimeve zgjedhore, derisa tanimë edhe votimet e balotazhit përfunduan, përzgjedhja më e mirë e kandidatëve në nivelin lokal, mbetet të rishqyrtohet nga partitë garuese, vetëm pas 4 vitesh, kur dhe do të mbahen zgjedhjet e ardhshme komunale.

Ndërsa sa i takon komentimit të rezultatit të procesit të sapo-përfunduar zgjedhor, mendoj se LVV me fitoren në Fushë Kosovë, Obiliq e Mitrovicë, pra tri komuna që më parë udhëhiqeshin nga PDK e LDK, e veçanërisht me fitoren në Mitrovicë, mund të konsiderohet si fituese morale edhe për shtrirjen e shtetësisë dhe vendosjen e rendit e të ligjit në veri të Kosovës, ani se, përveç Mitrovicës dhe Gjilanit, qendrat tjera nuk janë edhe komunat më të mëdha për nga numri i përgjithshëm i banorëve, si kryeqyteti i vendit Prishtina dhe tri qytete e mëdha si Peja, Ferizaj dhe Prizreni, që kanë numrin më të madh banorëve dhe mbeten nën qeverisjen e dy partive kryesore rivale të LVV-së”.

Më tej, ai përmendi disa nga befasitë më të mëdha të këtij balotazhi, e që sipas tij është humbja e Çekut të LVV-së në Prishtinë, përballë Ramës së LDK-së.

“Për mua befasitë më të mëdha që prodhuan këto gara zgjedhore, ishte humbja e Hajrullah Çekut dhe fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë, një kandidaturë mjaft problematike me plot punë të pakryera e projekte të parealizuara dhe rrugë e sheshe të bllokuara gjithandej Prishtinës, gjyqe të kryera e të pakryera akoma nga mandati i kaluar, që mund ta rrezikojnë edhe pozitën e tij si kryetar, i cili edhe fushatën zgjedhore e udhëhoqi me premtime utopike e të pambuluara dhe me gjithë fitoren, nuk besojë se do të ndryshojë në mënyrë automatike dhe druaj se edhe në mandatin vijues, përsëri do të vazhdojë me avazin e vjetër”, shtjelloi Qarri.

Në vazhdim, analisti politik komentoi më gjerësisht situatë në Prishtinë dhe fushatë zgjedhor se si shkoi atje.

Ai nuk kurseu kritikat ndaj Ramës dhe qeverisjes 4 vjeçare në kryeqytet, ku përmendi disa nga problematikat më të mëdha me të cilat u përballën prishtinasit.

“Me këtë rast duhet përsëritur edhe njëherë se mosvotimi me shumicë i një figure të shkëlqyer në të gjitha drejtimet, të ngritur e frymëzues dhe shembull për punë të ndershme,sinqeritet, sjellje të mirë e kulturë të përparuar si z. Hajrullah Çeku, vërtet lë shumë për të dëshiruar për nivelin e kulturës zgjedhore në kryeqytet, edhe për faktin se të gjithë i kanë sytë pikërisht në kryeqendrën e vendit, prej nga dhe presin të marrin shembull dhe frymëzim qytetarie banorët e mbarë një shteti.

Kjo edhe për vet faktin se nëse bazohemi vetëm në lajmet që e kanë përcjellë gjatë gjithë mandatit të kaluar Përparim Ramën, ai ishte edhe kryetari më problematik i Prishtinës, që nga paslufta, i cili siç dihet publikisht pati probleme të vazhdueshme me të gjithë, edhe me ligjin, e madje edhe me kompaninë e pastrimit, duke lënë me muaj plehrat e grumbulluara nëpër kryeqytet, ndërsa tani po akuzohet edhe për vota të korruptuara, si diktimet për votime ala-Pronto përmes telefonave, apo edhe përfolje për pagesa e joshje, vërtetësia e të cilave mbetet të sqarohet përfundimisht nga organet kompetente të shtetit të Kosovës”.

Ndër të tjera, Qarri përmendi edhe një befasi të ‘këndshme” dhe një të “hidhur”, e që ishin fitorja e Lladrovcit dhe rikthimi në pushtet në disa komuna i Listës Serbe.

“Ndërsa dy befasitë tjera të mëdha, njëra ishte vërtetë e këndshme e atraktive, deri në relaksuese dhe e përshkuar me shumë humor e përmbajtje sarkastike, si fitorja fenomenale e Ramiz Lladrovcit në Drenas i cili megjithëse i hyri garës i vetëm kundër të gjithëve, fitoi , jo vetëm ndaj kundërkandidatit të PDK-së, por edhe në përballje me tërë këtë parti, në krye me Memli Krasniqin dhe kryetarin nën hije të saj Sami Lushtaku & C0.

Ndërsa befasia e hirtë dhe tejet e pakëndshme e cila mund të prodhojë edhe tensione lokale dhe pasoja politike për vendin, ishte rikthimi i të ashtuquajturës “listë serbe” në 10 komuna, gjë që dëshmon se “rivendosja” e ndikimit të dorës së zgjatur të Serbisë në Kosovë, veçanërisht në periudhën vijuese, do të vazhdojë të mbetet mjaft problematike dhe sprovë tejet shqetësuese për institucionet e shtetit dhe Republikën e Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Fituese na del LVV-ja, sepse ka marrë komuna nga të tjerët

Kurse, analisti tjetër politik, Gani Mehmeti vlerësoi se procesi zgjedhor i balotazhit ka shkuar shumë mirë.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” potencoi se kjo ishte një matje e fortë për kryetarët e komunave të caktuara dhe punës së tyre.

“Procesi zgjedhor në zgjedhjet e 9 nëntorit 2025 për kryetar komune në rundin e dytë ka shkuar mirë, çka është për ta përshëndetur, dhe duhet të tregojmë me vepër se jemi njerëz, se nderojmë edhe tjetrin edhe në raste kur nuk na shkon neve gjithçka për shtati, pra edhe kur humbim, sepse ndodh të kemi çaluar diku dhe nuk na votojnë të tjerët.

Për ata që kanë qenë kryetar komune, kjo matje është fortë e mirë, sepse nëse nuk kanë punuar mirë në mandatin e sapo kryer, më nuk do vijnë në shprehje të marrin votën e zgjedhësve, prandaj, duhet menduar prej marrjes së madatit e deri në fund edhe për mandatin e ardhshëm, pra të punohet siç është më së miri brenda mundësive”.

Po ashtu, Mehmeti tha se LVV ka qenë fituese e këtyre zgjedhore, pasi ka rritur numrin e komunave në të cilat qeverisë.

Ai u shpreh se partitë politike, duhet të kuptojnë se duhet të punojnë drejt, ta ndalin korrupsionin nëse dëshirojnë të fitojnë apo edhe mbajnë në qeverisje komuna të caktuara.

“Secilën parti që ka fituar një komunë të re, mund ta quajmë fituese, dhe secilën parti që ka humbur një komunë – mund ta quajmë humbëse. Bazur në këtë, fituese na del LVV-ja, sepse ka marrë komuna nga të tjerët, si nga LDK – Fushë Kosovën dhe Obiliqin, ashtu edhe nga PDK – Mitrovicën. Dhe, nëse llogarisim kush sa komuna i ka pasur, tani gjendja është kështu.

Pra, mund të themi se edhe befasia ishte kjo, kur partitë e ashtuquajtura institucionale, humbin. Dhe kjo është e mirë që të mos rrinë duarkryq, por të punojnë e të ndërpresin korrupsionin, sepse deri tani vetëm deklarfativisht e kanë luftuar, duke thënë: Duhet të ndalet korrupsioni, por që asnjëherë nuk e ndalën. Nuk ka më vetëm me fjalë, nuk beson më askush.

Ndoshta do vie koha kur, më nuk do të votohet në bazë të emrit të kandidatit e as të partisë, por vetëm në bazë të veprimtarive të tyre, se, cila do të punojë më shumë, cila do të jetë më e drejtë, cila nuk do të lejojë korrupsionin, sepse që prej pas luftës, është bërë një plagë e madhe e shoqërisë në Kosovë dhe ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha korrupsioni.

Gjithsesi duhet shikuar edhe programi dhe besimi në kandidatët”, përmbylli Gani Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *