Halil Geci: “Mitrovica i dha Kosovës një Isa Boletin modern”
Halil Geci ka reaguar pas fitores së Faton Pecit në Mitrovicë, duke e përshkruar këtë moment si një fitore simbolike për dinjitetin dhe vlerat kombëtare të qytetarëve mitrovicas.
Sipas Gecit, Mitrovica sërish e tregoi shpirtin e saj patriotik, duke mbrojtur Kosovën jo me armë e allti, por me laps dhe votë. Ai theksoi se qytetarët zgjodhën ta ruajnë nderin e atdheut përmes zgjedhjeve të lira, në një vend që gjithmonë ka qenë simbol i qëndresës shqiptare.
“Në Mitrovicë fitoi vëllai i Isa Boletinit, Faton Kosova, jo me pushkë e allti, por me laps, nder dhe dituri,” – ka shkruar Geci.
Mitrovica mbrojti Kosovën me votë
Në reagimin e tij, Geci kujtoi se pikërisht mbi urën e Ibrit, aty ku dikur u vendos kufiri, qytetarët e Mitrovicës treguan se Kosova mbrohet me dinjitet, unitet dhe vetëdije kombëtare. Ai theksoi se “aty ku mbrohet buka, uji dhe nderi i sofrës shqiptare, aty është edhe vetë Zoti”.
“Mitrovicasit dinë t’i ruajnë vlerat, ashtu siç ditën dje, duke nderuar heronjtë që u flijuan për këtë vend. Sot, me laps dhe nder, po e mbron Kosovën ‘Isa Boletini modern’ – Faton Peci,” ka shtuar ai.
Fitorja e nderit dhe e dinjitetit
Halil Geci përfundon mesazhin e tij duke thënë se fitorja e Pecit është fitorja e popullit që nuk dorëzohet kurrë dhe që di ta mbrojë Kosovën me nder e dinjitet. Sipas tij, “Kosova nuk mbrohet në Prishtinë apo Gjakovë, por në Mitrovicë – aty ku pihet uji dhe lahet nderi i shqiptarësisë”.
Postimi i plotë:
GËZIMI I QYTETARËVE TË MITROVICËS PAS FITORES SË FATON PECIT
“Në Mitrovicë fitoi vëllai i Isa Boletinit, Faton Kosova, jo me pushkë e allti, por me laps, nder dhe dituri.”
Qytetarët e Mitrovicës e shfrytëzuan votën për të mbrojtur atdheun në Mitrovicë, pikërisht mbi urën e Ibrit, aty ku tradhtarët dikur e vendosën kufirin.
Dje, me datën 9 Nëntor, ditë e diel e vitit 2025, mitrovicasit zgjodhën që me votën e tyre, me nder dhe dinjitet, ta mbrojnë Kosovën. Aty ku mbrohet buka, uji dhe nderi i sofrës shqiptare, aty është edhe vetë Zoti.
Mitrovicasit dinë t’i ruajnë vlerat, ashtu siç ditën dje, duke nderuar shumë heronj që u flijuan për këtë vend. Sot, së bashku me qytetarët, po e mbron me laps “Isa Boletinin modern”, Faton Peci. Mitrovicasit e kanë kuptuar se në Mitrovicë mbrohet Kosova.
Kosova nuk mbrohet në Prishtinë, në Gjakovë apo në Viti, por mu aty ku flakëron ari, ku pihet uji dhe ku lahet nderi i shqiptarësisë.
Dje me Isa Boletinin, sot me të vëllain e tij, Faton Pecin. Guximi i heronjve të gjallë të traditës rugoviste, Guxo, i Donika Gërvallës dhe presidentes Osmani nuk mungoi dhe nuk do të mungojë.
Qytetarët e Mitrovicës janë gëzuar, ashtu si edhe gjithë Kosova, sepse Pecit ju ka rritur …. vota e mjaftueshëme për t’ua mbyllur gojën ziliqarëve, gojëkëqinjve, harbutëve dhe tradhtarëve. Sot dhe katër vitet e ardhshme, deri në përfundim të mandatit në vitin 2030, jemi bashkë me Fatonin.
Urime fitorja Fatonit dhe koalicionit që i mundi me votë tradhtarët.
Urime “Isa Boletini i dytë modern”.
