OPINIONTË FUNDIT

Pasivizimi i adresave, arma e heshtur e Serbisë kundër shqiptarëve të Luginës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se Raporti i Progresit për Serbinë i publikuar nga Komisioni Evropian ka vërtetuar se ky shtet vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në territorin e tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Bislimi theksoi se raporti “konstaton se korniza institucionale për mbrojtjen e pakicave në Serbi mbetet e paplotë dhe se shqiptarët vazhdojnë të përballen me diskriminim, nënpërfaqësim dhe pasivizim të adresave”.

Çfarë thotë raporti i Komisionit Evropian?

Në Raportin e Progresit për Serbinë, të publikuar më 4 nëntor, pjesa që i kushtohet mbrojtjes së minoriteteve thekson se

“Pjesëtarët e minoritetit kombëtar shqiptar vazhdojnë të shprehin shqetësime lidhur me mënyrën se si policia kontrollon statusin e banimit të tyre në jug të Serbisë, gjë që ka rezultuar me ‘pasivizimin’ e adresave të caktuara.”

Raporti gjithashtu kërkon që autoritetet serbe të jenë më transparente:

ImageArdita BehluliFoto galeri
“Autoritetet duhet t’i shpjegojnë më qartë publikut mënyrën e kryerjes së këtyre kontrolleve dhe të adresojnë shqetësimet për mungesën e mjeteve efektive të ankimimit.”

Duke komentuar gjetjet e raportit, Bislimi u shpreh se ky dokument konfirmon akuzat e vazhdueshme për praktika diskriminuese ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë.

Sipas tij, “praktikat e pasivizimit të adresave përbëjnë një artikulim të politikave që synojnë spastrimin etnik të shqiptarëve përmes mjeteve administrative”.

Rreziqet dhe pasojat e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi

Gazetarja Ardita Behluli thotë se deklarata e Bislimi reflekton realitete tashmë të raportuara.

Sipas saj, pasivizimi i adresave nuk është një çështje simbolike, por ka pasoja reale dhe të drejtpërdrejta.

“Deklarata e z. Bislimi se Raporti i Progresit i Komisionit Evropian konstaton shkelje të të drejtave të shqiptarëve në Serbi reflekton realitete që tashmë janë raportuar edhe nga institucione ndërkombëtare dhe media si pasivizimi i adresave në Luginë që kanë nxitur shqetësim për diskriminim dhe për keqpërdorim administrativ kundër komunitetit shqiptar. Komisioni Evropian në raportet e tij dhe institucione të tjera kanë kërkuar shpjegime nga Beogradi për mënyrën se si janë bërë këto verifikime dhe pse u prekën kryesisht anëtarë të komunitetit shqiptar. Kjo nuk është vetëm retorikë por është çështje e të drejtave themelore si të drejtë për dokumente, për votë, për shërbime. Pasivizimi i adresave nuk është një çështje simbolike por ka pasoja reale dhe të drejtpërdrejta. Në këtë mënyrë hasim në vështirësi në rinovimin e dokumenteve personale si kartat e identitetit , pasaportat, sigurimet shëndetësore sepse shumica e procedurave kërkojnë të dhëna valide të vendbanimit. Pa adresë aktive procedurat zvarriten ose refuzohen”, deklaron Behluli.

Ajo përmend rreziqet e pasivizimit dhe vështirësit që kanë familjet.

“Po ashtu kemi rrezik për humbje të të drejtës së votës sepse pasivizimi mund të çojë në heqjen nga lista e votuesve duke dobësuar përfaqësimin politik të komunitetit shqiptar në zgjedhje lokale dhe qendrore. Kjo ndikon edhe në qasjen në shërbime publike si përfitime sociale, shërbime shëndetësore, regjistrime shkollore dhe pensione mund të komplifikohen ose të bllokohen për personat me status të pasivizuar. Familjet kanë vështirësi në kontrata, pronësi prone dhe aplikime për punë. Kjo rrit pasigurinë ekonomike. Organizatat lokale e kanë quajtur këtë një formë “margjinalizimi administrativ””, shprehet gazetarja.

Të rinjtë do të kërkojnë mundësi jashtë duke lënë komunitete me strukturë demografike të dobësuar, nëse praktika e pasivizimit dhe presionit administrativ nuk ndalet, thotë Behluli, gjersa paralajmëron edhe rritje të tensioneve ndëretnike.

“Nëse praktikat e pasivizimit dhe presionit administrativ nuk ndalen perspektiva është alarmante sepse dobëson përfaqësimin politik lokal ku do të kemi më pak votues dhe pengesa në regjistrime e që do të përkthehet në më pak zë politik në këshillat komunale dhe institucione të tjera lokale. Të rinjtë do të kërkojnë mundësi jashtë duke lënë komunitete me strukturë demografike të dobësuar dhe më pak shanse për zhvillim ekonomik. Poashtu do të ketë edhe rritje të tensioneve ndëretikë dhe polarizim politik si çështjet administrative që mund të kthehen në konflikte politike dhe sociale që përkeqësojnë raportet midis komuniteteve. Raportet e BE-së e vendosin këtë si çështje për zgjidhje”, deklaron Behluli.

Gazetarja tregon se çfarë duhet bërë rreth pasivizimit, duke thënë se qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri duhet të kenë diplomaci të koordinuar si reagime të përbashkëta zyrtare dhe kërkesa për qasje praktike për qytetarët e prekur.

Ajo si banore shqiptare në Serbi thotë se nuk do polemikë boshe, por zgjidhje.

“Për Bashkimin Evropian / Komisionin Evropian do të kemi kërkesë për sqarim dhe hetim të pavarur meqë BE duhet të kërkojë nga Serbia informacion të detajuar dhe të lejojë inspektim, monitorim të procesit të verifikimeve të adresave. Raporti i Progresit duhet të shoqërohet me kërkesa konkrete zbatimi si kushtëzimi dhe avancimi i Serbisë në procesin e integrimit evropian që duhet të lidhet qartë me garancitë për të drejtat e pakicave dhe zgjidhjen e rasteve konkrete të pasivizimit. Mendojmë se duhet të kemi mbështetje në institucionet ndërkombëtare si ndihmë teknike për ankesa në instanca tek Këshilli i Evropës apo Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kur është e nevojshme. Për Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të kemi edhe Diplomaci të koordinuar si reagime të përbashkëta zyrtare dhe kërkesa për qasje praktike për qytetarët e prekur (p.sh. lehtësira për dokumenta dhe ndihma diplomatike). Duhet të kemi edhe mbështetje ligjore dhe humanitare me fonde dhe rrjete avokatie që ndihmojnë persona të pasivizuar për ankim dhe rikuperim të të drejtave. Si banore shqiptare në Serbi nuk dua polemikë boshe por dua zgjidhje. Kur institucionet si Komisioni Evropian përmendin probleme konkrete ato duhet të trajtohen me seriozitet. Pasivizimi i adresave është më shumë se një gabim administrativ ai prek dinjitetin, aksesin në shërbime dhe të drejtën për pjesëmarrje në shoqëri. Ne si komunitet duam të jetojmë pa frikë e me të njëjtat të drejta si të tjerët. Për këtë duhen veprime të koordinuara presion diplomatik, mbështetje ligjore dhe angazhim i komunitetit. Përndryshe Lugina rrezikon të dobësohet edhe më shumë”, përfundon gazetarja.

Qeveria e Kosovës dhe shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc kanë ngritur vazhdimisht shqetësime gjatë viteve të fundit për atë që e cilësojnë si “pasivizim të adresave” nga autoritetet serbe.

Kjo praktikë, sipas tyre, përbën një formë të diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë dhe ka nxitur edhe protesta publike në disa raste.

Çfarë nënkupton pasivizimi i adresave?

Procesi i pasivizimit nënkupton fshirjen e qytetarëve nga adresat ku janë të regjistruar zyrtarisht.

Një veprim i tillë ka pasoja të rënda ligjore e sociale, pasi rezulton në humbjen e shtetësisë serbe dhe, rrjedhimisht, në humbjen e të gjitha të drejtave civile, përfshirë:

të drejtën e votës,

të drejtën e pronësisë,

sigurimin shëndetësor e pensional,

dhe mundësinë për t’u punësuar në sektorin publik.

Fenomeni i keqtrajtimit të shqiptarëve dhe mekanizmat e pasivizimit të adresave

Ndërsa, opinionisti Nehat Hyseni, thotë se Serbia nuk i ka ndalur asnjëherë përpjekjet gjenocidiale ndaj shqiptarëve.

Sipas tij, fshirja e evidencave e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, ka pasoja të rënda.

ImageNehat HyseniFoto galeri
“Përpjekjet e vazhdueshme represive e gjenocidale të shtetit serb ndaj shqiptarëve, realisht nuk pushuan asnjëherë, që nga viti 1912 e deri në dëbimin e tyre nga Kosova me bombardimet 78 ditëshe të aleancës euroatlantike të NATO-s dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe UÇK-së gjatë vitit 1999. Fshirja nga evidenca e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) përbën një nga format më të sofistikuara të diskriminimit administrativ me pasoja të rënda mbi të drejtat themelore të njeriut. Ky fenomen, i cili mori përmasa të dukshme pas vitit 1999, është vlerësuar nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si një formë e “spastrimit etnik administrativ”. Pas përfundimit të luftës së Kosovës (1999) dhe instalimit të administratës ndërkombëtare atje (UNMIK), autoritetet shtetërore serbe filluan të aplikonin politika të reja ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës, duke përfshirë: kufizimin e të drejtës për punësim në sektorin publik, duke mos pranuar dhe nostrifikuar diplomat dhe dokumentacionin e lëshuar nga universitetet, kolegjet dhe shkollat në Republikën e Kosovës; mungesën dhe pengesat e përdorimit të lirë të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare dhe mbi të gjitha, fshirjen e adresave të banimit të mijëra shqiptarëve, nën pretekstin e “mungesës së kushteve ligjore të qëndrimit””.

“Kjo praktikë, e cila nuk u aplikua ndaj popullatës serbe, kishte një objektiv të qartë: zvogëlimin artificial të numrit të shqiptarëve në këto komuna dhe cenimin e të drejtës së tyre për pjesëmarrje aktive në jetën shoqërore dhe vendimmarrjen politike. Sipas “Ligjit për vendbanim dhe qëndrim në Serbi” të miratuar në vitin 2011, çdo qytetar ka të drejtë të regjistrojë adresën e vendbanimit të tij të përhershëm. Mirëpo, zbatimi selektiv i këtij ligji nga organet komunale dhe Ministria e Punëve të Brendshme rezultoi me anulimin e adresave të qytetarëve shqiptarë me arsyetimin se “nuk jetojnë në atë adresë”, heqjen nga listat zgjedhore, pamundësimin për të marrë dokumente identifikimi, kufizimin e të drejtës për shërbime sociale, shëndetësore dhe arsimore. Kjo praktikë barbare antishqiptare e Serbisë përbën shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 8, e drejta për jetë private dhe familjare, dhe neni 14, ndalimi i diskriminimit), etj. Praktika e fshirjes së adresave ka pasur pasoja të shumanshme demografike: zvogëlim artificial të numrit të shqiptarëve në regjistrat civilë dhe zgjedhorë, politike: reduktim të përfaqësimit politik të shqiptarëve në pushtetin lokal dhe atë qendror, shoqërore: shumë qytetarë mbetën “të padukshëm” ligjërisht, pa qasje në të drejtat elementare sociale. Ndërkaq, një raport i Youth Initiative for Human Rights (YIHR) evidenton se nga viti 2015 deri në vitin 2022, të paktën 3.370 shqiptarë nga Luginë janë hequr nga lista e votuesve”, deklaron Hyseni.

Ai thotë se çështja e fshirjes së evidencave të adresave të shqiptarëve ka marrë përmasa alarmante dhe duhet urgjentisht të trajtohet në nivel ndërkombëtar

“Nga kjo shihet qartë se fshirja nga evidenca e adresave të shqiptarëve në komunën e Medvegjes, Bujanocit dhe asaj të Preshevës realisht ka arritur nivele alarmante dhe paraqet brengosje dhe nevojë emergjente për ndaljen dhe stopimin e menjëhershëm të këtij gjenocidi demografik e kombëtar ndaj qytetarëve shqiptarë në këtë pjesë të Ballkanit perëndimor. Pra, fshirja nga evidenca e adresave është një mekanizëm sistematik i diskriminimit kombëtar të shqiptarëve në Serbi, që bie ndesh me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kjo politikë jo vetëm që shkel të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve shqiptarë, por rrezikon edhe stabilitetin e rajonit, duke krijuar mosbesim të thellë dhe urrejtje ndërmjet komuniteteve. Kjo çështje realisht ka marrë përmasa alarmante dhe duhet urgjentisht të trajtohet në nivel ndërkombëtar (në Këshillin e Evropës, BE dhe OKB), duke kërkuar mekanizma monitorimi dhe rikthimin e të drejtave të qytetarëve të prekur nga ky diskriminim i paparë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga shteti i Serbisë. Spastrimi etnik i Serbisë dhe Jugosllavisë ishte objektiv permanent i praktikës antishqiptare të tyre, duke ndërruar gjatë periudhave të ndryshme kohore mjetet dhe taktikat me qëllim të shmangjes nga pasojat eventuale nga ndërkombëtarët, me mbështetjen e fuqishme të Rusisë. Soldateska serbe nga rënia e Perandorisë Osmane në viti 1912, menjëherë filloi masakrat e papara ndaj shqiptarve, duke ua uzurpuar tokat dhe ata që i shpëtuan vdekjes u dëbuan për Turqi. Kurse në Jugosllavinë socialiste të Titos, kjo punë e fëlliqur antishqiptare i ishte lënë në kompetencë shefit të UDB-së famëkeqe, që me pretekstin e çarmatosjes së shqiptarve dhe aksionit të mbledhjes së armëve, realisht bëri kërdi mbi shqiptarët deri në Plenumin e KQ të LKJ-së të mbajtur në korrik të vitit 1966, ku Aleksandër Rankoviqi u shkarkua nga të gjitha funksionet shtetërore e partiake dhe u ndërpre procesi i dëbimit të shqiparëve nga trojet e tyre stërgjyshore. Sipas ligjit serb mbi vendbanimin dhe vendqëndrimin (“Zakon o prebivalištu i boravištu građana”), organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë kompetencë të verifikojnë vendbanimin e qytetarëve. Megjithatë, në rastin e shqiptarëve të Luginës, ky ligj është zbatuar në mënyrë selektive dhe represive, duke shërbyer si instrument për t’i larguar ata nga trojet e tyre stërgjyshore”, thekson opinionisti.

Ai përmend mekanizmat përmes së cilit ndodh procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve, gjersa flet edhe rreth pengesave që kanë shqiptarët atje.

“Procesi i fshirjes së adresave të shqiptarëve është realizuar përmes disa mekanizmave: kontrolleve selektive të policisë administrative, inspektorë të MPB-së vizitojnë adresat e shqiptarëve, dhe nëse nuk i gjenin në shtëpi, deklaronin se ata nuk banonin më aty, pastaj bëhej anulimi i vendbanimit u hiqet automatikisht e drejta e vendbanimit, edhe nëse kishin prona dhe familje të regjistruara aty. Pamundësimi i rikthimit të adresave Për të rivendosur adresën, kërkohet një proces gjyqësor i gjatë dhe i kushtueshëm, që shumë qytetarë nuk e përballojnë dot. Për pasojë po shkaktohet një presion marramendës në regjistrimin e popullsisë, meqë pas fshirjes nga evidenca, shqiptarët nuk mund të riregjistrohen si banorë rezidentë në regjistrimet zyrtare, duke ulur kështu artificialisht numrin e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Pasojat politike dhe shoqërore ishin dhe janë evidente, si dhe reduktimi i numrit të shqiptarëve në statistika, që ka ndikuar drejtpërdrejt në përbërjen e kuvendeve komunale, sidomos në Medvegjë, dhe në përfaqësimin e shqiptarëve në administratë. Pengesat në ushtrimin e të drejtave qytetare ishin se qytetarët e fshirë nuk kanë mundësi të votojnë, të marrin dokumente identiteti ose të gëzojnë shërbime publike. Mungesa e adresës zyrtare gjithashtu ia pamundëson shqiptarëve të gëzojnë të drejtat më elementare qytetare e njerëzore. Prandaj, një pjesë e tyre, të detyruar nga pamundësia për të ushtruar të drejtat themelore, janë detyruar për t’u shpërngulur drejt Kosovës ose vendeve të Perëndimit”.

“Mosnjohja e diplomave nga Kosova; Ky është një nga problemet më të mprehta, por edhe më pak të adresuara, që prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky fenomen, i cili filloi menjëherë pas vitit 1999, ka prodhuar pasoja të thella politike, shoqërore dhe ekonomike për shqiptarët në Serbi. Sipas të drejtës ndërkombëtare dhe dokumenteve themelore të Këshillit të Evropës, çdo shtet ka detyrimin të krijojë kushte për arsimim dhe punësim, pa diskriminim etnik. Megjithatë, Serbia e ka refuzuar për vite të tëra njohjen e diplomave të Kosovës, me arsyetimin se nuk e njeh shtetin e Kosovës. Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, më 2011 u arrit një marrëveshje për njohjen reciproke të diplomave universitare, e cila parashihte ndërmjetësimin e OSBE-së dhe verifikimin nga European University Association (EUA). Në teori, kjo marrëveshje synonte të lehtësonte punësimin dhe studimet e mëtejshme të të diplomuarve nga universitetet publike të Kosovës, përfshirë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës. Por në praktikë, mekanizmi mbeti jofunksional për shkak të pengesave administrative dhe mungesës së vullnetit politik të palës serbe. Si pasojë, studentët shqiptarë të Luginës që diplomojnë në Universitetin e Prishtinës apo në institucione të tjera të arsimit të lartë në Kosovë, përballen me vështirësi të pakapërcyeshme për punësim në Serbi. Ndërkohë, diplomat e serbëve të Kosovës, veçanërisht ato të lëshuara nga universitetet e kontrolluara nga Beogradi, në Mitrovicë të Veriut, njihen automatikisht. Kjo krijon një asimetrí diskriminuese, që cenon barazinë e qytetarëve dhe përjashton shqiptarët mbi bazë etnike. Masat diskriminuese të pushtetit fashist të Serbisë: 1) turqizimi administrativ i shqiptarëve që aplikohej në Jugosllavinë socialiste të Titos, 2) fshirja ( pasivizimi) I adresave të shqiptarëve dhe 3) mosnjohja e diplomave nga Kosova për shqiptarët në Luginën e Preshevës, si dhe masat e tjera, të panumërta represive ndaj tyre, paraqesin forma të ndryshme administrative, politike, gjyqësore dhe sidomos të atyre policore për dëbimin e shqiptarëve nga vatrat e tyre stërgjyshore në Serbi dhe njëkohësisht Serbia paturpësisht kërkon të drejta maksimale, jashtë çdo standardi demokratik për serbët në Kosovë! Për këtë temë të ndieshme Unë kam bërë një libër që këto ditë do të del nga shtypi, Ku kam paraqitur gjendjen e padurueshme të shqiptarëve në Serbi, prej tetorit 1912 e deri më sot”, përfundon Hyseni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *