OPINIONTË FUNDIT

Analistët paralajmërojnë ‘tronditje’ në bastionin e PDK-së!

Kryetari i rizgjedhur i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, në një intervistë televizive ka paralajmëruar se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, do të hyjë në garë për t’ia “thyer kurrizin” vetë partisë PDK, ku ka qenë pjesë për më shumë se dy dekada.

“Nëse presidentja vendos të mbahen zgjedhje nesër – hyj menjëherë. Kam me e thy në kurriz PDK-në”, deklaroi Lladrovci.

Sipas tij, udhëheqja aktuale e PDK-së ka bërë gabime të mëdha strategjike, sidomos në komunën e Drenasit, ku partia vendosi të mos e rikandidojë atë për mandatin e ardhshëm, gjë që e detyroi Lladrovcin të garojë ndaras nga PDK-ja. Në fund, ai doli fitues pa balotazh në Drenas.

“Jam pjesë e PDK-së, por askush nuk mund të më largojë nga kjo parti. Nëse nuk ka reflektim, unë do të marr rrugën time,” ka shtuar Lladrovci.

Analistët politikë vlerësojnë se një ndarje e mundshme e Ramiz Lladrovcit nga PDK-ja do të kishte pasoja të mëdha elektorale, pasi Drenasi ka qenë historikisht një nga bastionet më të forta të kësaj partie.

Një kandidim i tij i pavarur ose me një subjekt të ri politik mund të dëmtojë rëndë rezultatin e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme, kudo që të mbahen ato.

Sipas tyre, deklaratat e fundit të Lladrovcit sinjalizojnë një krizë të re brenda PDK-së, që tashmë përballet me sfidën e mbajtjes së unitetit përballë pakënaqësive të brendshme.

Rreziku për PDK-në në Drenas

Njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani, ka paralajmëruar se Partia Demokratike e Kosovës mund të përballet me pasoja serioze në rast të zgjedhjeve të reja.

Në një prononcim për “Bota sot”, Burjani tha se Lladrovci po e identifikon ende veten si pjesë të PDK-së, por nëse ai vendos të marrë pjesë në zgjedhje nacionale me një iniciativë të re, kjo mund të shkaktojë tronditje të mëdha brenda partisë.

ImageBlerim BurjaniFoto galeri
“Ramizi po deklaron se është PDK, edhe pse ka bërë një iniciativë me të cilën doli fitues. Por, nëse ka ndryshuar mendjen, atëherë ai do të marrë pjesë në zgjedhje nacionale – e që PDK mund t’ia sheh sherrin që e ka bërë vet,” tha Burjani.

Sipas Burjanit, në këtë situatë të re politike, PDK rrezikon të humbasë një pjesë të madhe të mbështetjes në Drenas, komunë që tradicionalisht ka qenë bastion i fuqishëm i saj.

“Në këtë situatë të re, PDK ka gjasa të humbë gjysmën e votave në Drenas në zgjedhje të jashtëzakonshme. Mendoj se PDK duhet të përafrohet me Ramizin – nëse jo, atëherë nëse kjo iniciativë del në zgjedhje të jashtëzakonshme, partia mund të ketë probleme serioze,” përfundoi Blerim Burjani.

Mehmeti: PDK po vdes aty ku lindi

Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti ka deklaruar se PDK po përballet me rënien më të madhe që nga themelimi i saj.

Sipas tij, paralajmërimet e kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, janë vetëm pasqyra e krizës së thellë që ka kapluar PDK-në.

ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Sigurisht, PDK po vdes aty ku lindi. Pra, po i kthehet bumerang gjithë zullumi që i ka bërë vendit për 20 vjet. Ramiz Lladrovci është preteksti i të nemurave që e kanë kapluar këtë parti nga qytetarët e Kosovës,” deklaroi Mehmeti.

Mehmeti paralajmëroi se nëse mbahen zgjedhje nacionale, PDK do të pësojë tronditjen më të madhe pikërisht në Drenas – bastionin që për më shumë se dy dekada ka qenë simbol i forcës së kësaj partie.

“Në rast se mbahen zgjedhje nacionale, gjë që nuk është për t’u habitur, PDK do të pësojë tronditje të madhe në Drenas, në bastionin e saj që s’ka humbur kurrë. Padyshim se PDK do të thyhet në Drenicë, ndërsa në nivel vendi pritet të ketë rënie,” shtoi ai.

Analisti u shpreh se Ramiz Lladrovci u ka treguar drejtuesve të PDK-së, përfshirë Memli Krasniqin dhe Sami Lushtakun, se epoka e presioneve dhe ndikimeve të grupeve të interesit ka përfunduar.

“Ramizi i ka treguar qartë Memlit dhe Samiut se koha e brrylave, koha e të fortëve ka kaluar. Qytetarët e Drenicës më nuk votojnë ata që në emër të luftës kanë vjedhur. Sami Lushtaku është shkaku pse PDK ka humbur në Drenas dhe po ashtu do të humbë prapë në zgjedhjet nacionale,” theksoi Mehmeti.

Megjithatë, Mehmeti i bëri thirrje Lladrovcit të jetë i kujdesshëm, duke paralajmëruar se brenda PDK-së mund të ketë “kurthe të fshehta” ndaj tij.

“Ramiz Lladrovci duhet të ketë kujdes nga ndonjë kurth, që vetëm PDK di t’i bëjë. Gjithsesi, PDK-së po i shembet kalaja nga brenda,” përfundoi analisti Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *