OPINIONTË FUNDIT

Pse Faton Peci i duhet Mitrovicës?

Faton Peci është në balotazh për kryetar të Komunës së Mitrovicës. Ai sërishmi do të jetë në garë me kandidatin e Partisë Demokratike, Arian Tahiri. Gara e mëparshme përfundoi me pak vota diferencë midis tyre. Ndërsa në këtë garën e balotazhit të 9 nëntorit do të ketë përballje midis vetëm dy kandidatëve në fjalë.

Kandidati i PDK-së ka mundur të arrijë marrëveshje me Lidhjen Demokratike dhe me AAK-në në Mitrovicë, që këto dy parti të punojnë me anëtarësinë dhe votuesit e tyre për t’i bindur ata ta votojnë Partinë Demokratike. Si në çdo zhvillim tjetër, edhe në Mitrovicë janë bërë bashkë partitë tradicionale të grabitjes së Kosovës dhe duan që ta thyejnë kandidatin e VV-Guxo, Faton Peçi. Por ka shumë mundësi që qytetarët dhe votuesit e Mitrovicës të votojnë në shumicë absolute pikërisht për Faton Pecin. Ndoshta pikërisht se votuesit e kuptojnë këtë intrigë e sfidë, do ta votojnë Fatonin. Pse arrij në këtë përfundim?

Së pari, zoti Peci ishte për katër vite ministër i Bujqësisë në qeverinë Kurti 2. Në këtë detyrë ai shkëlqeu më shumë se çdo paraardhës i tij. E ngriti bujqësinë në një nivel shumë të lartë. I dha asaj frymë, optimizëm dhe rriti interesin e fermerëve që të prodhojnë sa më shumë për konsumin e brendshëm dhe për eksport. Realizoi në bujqësi standarde europiane, aq sa prodhimet bujqësore të Kosovës kërkohen kudo në Europë, ndërkohë që ato të Shqipërisë refuzohen publikisht. E pra Shqipëria thotë se “do bëhet anëtare e BE-së”, kurse Kosovës Macroni dhe miku i tij në Tiranë ia qëndisen sanksionet. Megjithatë Faton Peci bëri mrekullinë.

Së dyti, Faton Peci është politikan i ri dhe i përket një partie politike të re. Ka frymë dhe ka energji. Eshtë bashkëkryetar i Listës GUXO dhe nuk kushtëzohet nga askush në detyrën e tij si kryetar i Komunës së Mitrovicës. Është politikan e ndershëm. Ndyshe nga ish-homologia e tij në Tiranë, e cila ka shpërdoruar fondet e BE-së për bujqësinë, Peci nuk ka asnjë rast të tillë me çfarëdolloj fondesh që janë përdorur. Dhe ai ka dhënë për njësi (hektar) dy-tri herë më shumë sesa ka dhënë Shqipëria. Peci ka dëshmuar se i rri punës në kokë. Se nuk e zë gjumi për ta arritur suksesin në shërbim të qytetarëve, në rastin konkret të fermerëve. Prandaj ai i duhet Mitrovicës. I duhet në radhë të parë fermerëve të Mitrovicës!

Së treti, Mitrovica ka nevojë për ndryshimin. Prej kohës së luftës ajo është drejtuar nga kryetarë komune që kanë ardhur nga Partia Demokratike e Kosovës. Mitrovicasit kanë shansin ta bëjnë ndryshimin për veten e tyre. Sepse PDK është tashmë e konsumuar, është e lodhur edhe nga pesha e qeverisjes në këtë komunë, por edhe nga veset që ka kultivuar në rang vendi. Shans më të mirë se të ndryshojë sot, zor se do t’i vijë më Mitrovicës. Dhe ndryshimi do t’i sjellë zhvillim, begati. Rinia është ajo që sjell ndryshimin me votën e saj.

Së katërti, koalicioni VV-GUXO, ku bën pjesë Fatoni, në Mitrovicë ka shënuar epokë. Ka bashkuar qytetin. Sot asgjë nuk e ndan atë, përveçse administrimi si njësi. Mitrovicasit e jugut shkojnë lirshëm në veri. Janë ribashkuar në miqësitë e vjetra e të reja. Banorët e Mitrovicës së Veriut, më parë nuk guxonin të shkonin në pronat e shtëpitë e tyre. Vetëm një lumë i ndante. Por nuk mund ta kalonin urën. Qeveria Kurti, ku bënte pjesë Fatoni, bëri të mundur ndryshimin e madh. Kjo do të thotë se Fatoni dhe partia e tij e duan me zemër atdheun. Ai që e do me zemër qytetin, ai meriton ta gëzojë fitoren e 9 nëntorit. Ndaj dhe vota nuk shkon për ata që premtuan më 1999 se do ta bashkojnë Mitrovicën e në fund deshën që veriun t’ia japin Serbisë!

Së pesti, mitrovicasit e dinë kurthin e zgjedhjeve të raundit të parë, kur shpallën fitues kundërshtarin e Pecit me 58 përqind të votave. Në fakt ata rezultuan me një grusht votash diferencë, më pak se 100 ndër mijëra votues. Kjo intrigë dëshmon se sa frikë e kishin dhe e kanë kundërshtarët e tij Faton Pecin. Eshtë në nderin e qytetarëve të votojnë viktimën e intrigës dhe jo intriguesit. Morali është të votohet Faton Peci dhe jo ata që fallsifikuan exit-pollin me qëllim manipulimin e votës së qytetarëve.

Së gjashti, nëse e keni vënë re, Faton Peci ka qenë ministri më i sulmuar dhe anatemuar i qeverisë Kurti. Një fjalë thotë se “Gjuhet me gurë ajo pemë që ka shumë frute”, dmth që prodhon shumë. Derisa asnjë akuzë dhe shpifje nuk i është provuar, kjo tregon se Peci është pemë me kokërra! Kush nuk do ta donte në krye të komunës së Mitrovicës një politikan si Faton Peci, këtë lis peme me shumë e shumë begati?

Për të gjitha këto arsye unë do ta votoja me dy duart kandidatin Faton Peci për kryetar të Komunës së Mitrovicës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *