Plani me Kosovën: Kështu NATO mund t’i japë goditjen fatale Rusisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë përsëritur thirrjen e tyre ndaj aleatëve perëndimorë për të përshpejtuar procesin e pranimit të Kosovës në NATO, duke theksuar se anëtarësimi do të ishte një garanci shtesë për paqen dhe stabilitetin në rajon.
Thirrjet e udhëheqësve të Kosovës vijnë në një kohë tensionesh të vazhdueshme në veri të vendit dhe në një moment kur NATO po shqyrton mënyrat për të forcuar praninë e saj në Ballkanin Perëndimor.
E ndërsa doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot” ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të shënonte fundin e një faze historike të pasigurisë strategjike në rajon.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përfaqësonte fundin e një faze historike të paqartësisë strategjike në Ballkan. Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ka jetuar nën një ombrellë sigurie të garantuar de facto nga Aleanca, përmes pranisë së KFOR-it. Por kjo nuk është e njëjtë me garancinë de jure që ofron anëtarësimi i plotë”, shprehet Voca.
Sipas tij, në planin gjeopolitik, ky hap do të ishte një goditje e drejtpërdrejtë për ndikimin rus në Ballkan.
“Rusia e sheh Kosovën si një instrument të propagandës së saj anti-NATO, duke e përdorur çështjen e Kosovës për të ushqyer narrativën e dyfishtë, dmth se Perëndimi ka vepruar ‘jashtë ligjit ndërkombëtar’ në vitin 1999 dhe se Serbia është ‘viktimë e padrejtësisë perëndimore’. Me hyrjen e Kosovës në NATO, kjo narrativë do të humbte çdo bazë reale”, shton Voca.
“Në aspektin praktik, anëtarësimi i Kosovës do të shuante çdo iluzion serb për ndryshim kufijsh ose për ndërhyrje të armatosur. Edhe pse një agresion i hapur është i pamundur edhe sot, për shkak të pranisë së KFOR-it, Kosova mbetet ende e ekspozuar ndaj provokimeve hibride përmes strukturave ilegale, fushatave dezinformuese dhe rrjeteve paramilitare”, shpjegon profesori Voca.
Më tej, ai thotë se NATO do t’i jepte fund këtij statusi të ndërmjetëm, duke e bërë çdo kërcënim kundër Kosovës një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Aleancës.
“Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është çështje simbolike, por ekzistenciale për stabilitetin rajonal. Ai do të siguronte një kornizë të qëndrueshme sigurie, do të forconte demokracinë e brendshme dhe do të çlironte energji të reja për zhvillim ekonomik e institucional.
Në të vërtetë, Kosova duhet të anëtarësohet sa më parë në NATO. Jo si një akt kundër askujt, por si një hap në të mirë të paqes afatgjatë në Ballkan. Sepse paqja e vërtetë nuk ndërtohet mbi frikë, por mbi garanci dhe besim. Dhe vetëm NATO mund t’i ofrojë këto garanci në mënyrë të pakthyeshme”, përfundon për “Bota sot” doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.
Kujtojmë se Aktualisht, Kosova nuk është anëtare e NATO-s, por bashkëpunon ngushtë me Aleancën përmes programit “Partneritet për Paqe”.
