Pse disa funksionarë të Kosovës ikin prej Albinit e shkojnë te Edi Rama?!
Liburn Aliu ishte deri para pak kohe ministër i Infrestrukturës të qeverisë së Albin Kurtit. Por sapo Dimal Basha u zgjodh kryetar i parlamentit ai dha dorëheqje nga posti. Ndërkohë pas disa javësh, saktësisht të hënën e kaluar, u emrua drejtor i Portit më të rëndësishëm të Shqipërisë, atij të Durrësit. Kur Liburni iku nga Vetëvendosja u fol se ai ishte kundër “Arrogancës së Albinit”! Por ja që nuk mundi ta fshehë të vërtetën as për pak ditë. Iku nga “autokrati” Kurti dhe erdhi te Edi Rama, qeverisja e të cilit është 28 pikë më poshtë për drejtësi, sesa qeverisja në të cilën bënte pjesë Liburni. Një kakofoni qëndrimesh, fjalësh dhe sjelljesh të pakuptimta. Dmth ndodhi rrokada e zakonshme, e cila ndodh me të gjithë ata që ikin nga Albini. Madje sipas skemës “Nëse je kundër Albinit në Kosovë, atëherë bëhesh me Edi Ramën në Shqipëri”! Kështu ka ndodhur me shumë figura politike e publike të Kosovës, të cilët kanë gjet strehë të kryeministri i Shqipërisë.
Kur Dardan Molliqaj u largua nga Lëvizja Vetëvendosje, Edi Rama ia mori Besën me qera për zv.ministre e më pas ministre të Arsimit. Po kështu kanë gjet strehë te Edi Rama edhe të tjerë kundërshtarë të Albin Kurtit, kur ata janë larguar publikisht prej këtij. Më e spikatura është shefja e SHIK-ut shqiptar, Vlora Hyseni, e cila u shkarkua nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nga detzra e kryeinspektores së shërbimit sekret të Kosovës. Dhe kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen, sepse Edi Rama ka si funksion rrënimin e Albin Kurtit dhe minimin e shtetësisë së Kosovës. Ai është i gatshëm dhe i aftë të blejë, ndoshta edhe me paratë e Vuçiqit, sa më shumë politikanë kosovarë. Mjafton ta dobësojë dhe ta eleminojë politikisht kryeministrin në detyrë Albin Kurtin. Kjo ishte arsyeja pse dështoi formimi i qeverisë Kurti 3 në parlament dhe pse zgjat kaq shumë ngërçi i formimit të institucioneve atje. Ndonëse Lidhja Demokratike dhe Lumri Abdixhiku kishin marrë një ofertë të majme për pjesmarrjen në qeveri, ata kundërshtuan kategorikisht bashkëpunimin dhe koalicionin me Vetëvendosjen dhe zotin Kurti.
Pse ndodhi diçka e tillë, kur LDK nuk kishte pastur kurrë kaq përparësi dhe epërsi në pjesmarrje dhe menaxhimin e qeverisjes së vendit. Ka vetëm një arsye. – Edi Rama! Rama punon ditë e natë për ta përçarë Kosovën e spektrin politik të saj. Bën gjithçka që politikanët në Kosovë “të hahen si qentë”. Madje që të shtohen ata që flejnë me ujkun, pra me Serbinë. Pastaj formulon mashtrimin e madh se “Fajin e ka Albin Kurti”! Këtë mashtrim e përhap me shpejtësi përmes megafonëve të vet në ekranet televizive. Sidomos ata që bëjnë papagallin në Kosovë. Vetëm sa nuk kanë thënë se “Fajin e ka Albini edhe kur Edi Rama i pati thënë kryeministrit të Kosovës, zotit Haradinaj, “gomar”! Nuk e di gjithashtu pse nuk fajësojnë sërishmi Kurtin për padinë që Rama ia bëri Haradniajt në Gjykatën Themelore të Prishtinës para 5-6 vitesh! Edhe për marrëveshjen Pacolli-Rama për aeroportin e Vlorës dhe prishjen e kësaj marrëveshjeje, “duhet ta fajësohej Albin Kurtin”! Albini bëhet me përgjegjësi publikisht pse luftoi dhe qëndron kundër Aleksandër Vuçiq. Por edhe kundër Thaçit dhe Ramës për të mos lejuar ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës.
Nuk kanë ngurruar ta akuzojnë, fajësojnë dhe penalizojnë kryeministrin Kurti edhe për refuzimin e projektit serb të Open Balkan. “Joooo, më thonin disa analistë nga Kosova në debate televizive! Albini është fjator, sepse ai duhej të ishte bërë pjesë e Open Balkan. Le ta provonte e të hynte njëherë”, thoshin ata. E më pas lëshonin fjalinë mashtruese: Albinii ka për qëllim të bëhet lider i shqiptarëve në Ballkan! Prandaj nuk e duron Edi Ramën”. Në fakt të gjitha këto janë projeksione të analistëve. Nuk janë fakte. Fakt është se Edi Rama ia merr Albinit ushtarët politikë një e nga një, qëllimisht për ta dobësuar dhe eleminuar atë. Është Edi Rama që e kërcënon Albin Kurtin për llogari të Beogradit, ndërkohë që ky i fundit kurrë nuk e ka kërcënuar “më të gjatin” e të gjatëve. Liburn Aliu është dëshmia e fundit për të provuar se kush është fajtori në marrëdhëniet Kurti-Rama!
