Ekspertët paralajmërojnë mbi planet serbo-ruse: Telegram ka nxitje për ndërhyrje ushtarake në Kosovë
Në ditët e fundit është vërejtur një rritje e kanaleve në rrjetin Telegram që identifikohen si “zëri i Rusisë në Serbi” ose që përdorin simbole dhe narrativë të afërt me propagandën ruse.
Këto kanale fokusohen kryesisht në Kosovë dhe përhapen mesazhe që mohojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës, delegjitimojnë institucionet vendore dhe shpesh nxisin retorikë radikale, përfshirë thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Rritja e këtyre kanaleve shqetëson institucionet e sigurisë së vendit dhe përbën kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas ekspertëve, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërinstitucional për të identifikuar dhe ndaluar përhapjen e dezinformatave, duke përfshirë koordinimin e agjencive të sigurisë, policisë dhe prokurorisë.
Rexhepi paralajmëron: Kanalet pro-Rusi kërcënojnë sigurinë kombëtare
Lidhur me këtë çështje, ish hetuesi, Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot” ka paralajmëruar se kjo përbën kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
“Në ditët e fundit është vërejtur një rritje e kanaleve në rrjetin Telegram që identifikohen si “zëri i Rusisë në Serbi” ose që përdorin simbole dhe narrativë të afërt me propagandën ruse, të cilat fokusohen kryesisht në Kosovë. Përmes tyre po përhapen mesazhe që mohojnë pavarësinë e Republikës së Kosovës, delegjitimojnë institucionet tona dhe shpesh nxisin retorikë radikale, përfshirë edhe thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Ky është një zhvillim shumë i rrezikshëm për sigurinë kombëtare të vendit. Fushatat e tilla të dezinformimit dhe ndikimit të huaj janë pjesë e një strategjie më të gjerë që synon të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të Kosovës, të minojë besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të krijojë përçarje në opinionin publik.
Në aspektin e sigurisë, çdo thirrje për ndërhyrje ushtarake apo mobilizim të dhunshëm përbën kërcënim direkt ndaj rendit kushtetues dhe duhet trajtuar me prioritet nga organet kompetente. Nevojitet bashkërendim i plotë ndërinstitucional i agjencive të sigurisë, policisë dhe prokurorisë për të identifikuar burimet e këtyre kanaleve dhe për të penguar përhapjen e tyre”, ka theksuar ai.
Po ashtu, Rexhepi ka theksuar se Qeveria e Kosovës, me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe institucionet e sigurisë, po merr masa konkrete për të luftuar propagandën e huaj.
ImageAgim RexhepiFoto galeri
“Është e rëndësishme të theksohet se Qeveria e Republikës së Kosovës, ne krye me Albin Kurtin përmes institucioneve të saj të sigurisë dhe mekanizmave ligjorë, tashmë është duke ndërmarrë hapa konkretë në luftimin e propagandës së huaj, zbulimin e rrjeteve dezinformuese dhe mbrojtjen e hapësirës kibernetike e informative të vendit. Ky angazhim është thelbësor për ruajtjen e rendit, stabilitetit dhe sovranitetit të Kosovës.
Gjithashtu, platformat ndërkombëtare të komunikimit duhet të bashkëpunojnë me autoritetet tona për heqjen e përmbajtjeve që nxisin urrejtje apo dhunë, ndërsa qytetarët duhet të tregojnë kujdes, të verifikojnë burimet e informacionit dhe të mos bien pre e narrativave që synojnë destabilizimin e vendit.
Kosova ka institucione të qëndrueshme, një qeveri të përkushtuar ndaj sigurisë kombëtare dhe një orientim të qartë euroatlantik. Çdo përpjekje për ta dobësuar vendin tonë përmes propagandës apo ndikimit të huaj do të dështojë, sepse siguria dhe stabiliteti i Republikës së Kosovës janë prioriteti ynë kombëtar”, ka përfunduar Rexhepi.
Dashevci: Propaganda serbe ndaj Kosovës nuk ka sukses
Ndërkaq, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci ka deklaruar se kanalet e sponsorizuara nga Rusia në Telegram përhapin propagandë dhe urrejtje ndaj Kosovës, delegjitimojnë institucionet e saj dhe shpesh nxisin thirrje për ndërhyrje ushtarake, duke e cilësuar këtë si “luftë hibride”.
“Kanale të shumta në Telegram janë aktive që nga viti 2014, sponzorizojnë Rusinë, me propagandë, dezinformata dhe kërcënime konstante në forma të ndryshme.
ImageArben DashevciFoto galeri
Ato prezantohen si “zëri i Rusisë në Serbi” ose përdorin simbole ruse, si flamurin etj., dhe fokusohen kryesisht te Kosova me një urrejtje patologjike, mendoj unë.
Aty promovohen mesazhe që delegjitimojnë institucionet e Kosovës, mohojnë pavarësinë e saj dhe shpesh nxisin retorikë radikale, përfshirë thirrje për ndërhyrje ushtarake.
Është e rrezikshme për vendin tonë, duke e parë që bëhet thirrje për ndërhyrje ushtarake, urrejtje nacionale, propagandë etj.
Është luftë hibride”, ka thënë Dashevci.
Po ashtu, Dashevci ka shtuar se propaganda hibride e Serbisë ndaj Kosovës nuk ka sukses për shkak të vigjilencës së organeve të sigurisë dhe partneriteteve ndërkombëtare.
“Por mendoj që kjo propagandë nuk ka sukses në praktikë në vendin tonë, duke pasur parasysh vigjilencën e organeve tona të sigurisë dhe partneritetin me reaguesin e dytë dhe të tretë.
Serbia ka probleme të mëdha të brendshme, si kurrë më parë me qytetarët e vet, me protesta që po kulmojnë dhe, si duket, nuk ka kthim mbrapa atje.
Establishmenti politik atje nuk po mundet më ta zhvendosë as vëmendjen nga problemet e brendshme që ka me popullin e vet.
Pra, lufta e tyre hibride kundrejt vendit tonë nuk ka sukses”, është shprehur Dashevci.
