PDK dhe LDK bashkë kundër VV-së – Tali: Ky bllok s’ka jetëgjatësi
Tali: Megjithatë, unë nuk pres që kjo ndarje të ketë jetëgjatësi sepse partitë kanë një histori jo edhe aq miqësore nga e kaluara
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kanë arritur një marrëveshje për bashkëpunim në raundin e dytë të zgjedhjeve në Fushë-Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur kandidati i LDK-së për kryetar të komunës, Besnik Osmani
Në balotazh do të përballen Valon Prebreza nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Besnik Osmani nga LDK-ja.
Analisti Driton Tali ka thënë për “Bota sot” se skena politike në Kosovë është ndarë qartë në dy blloqe – në njërën anë partitë e djathta (PDK, LDK, AAK) dhe në tjetrën Lëvizja Vetëvendosje.
Ai thekson se kjo ndarje është vërejtur në Vushtrri, në mosvotimin e Qeverisë Kurti 3 dhe në lëvizjet politike në disa komuna, duke theksuar se “kjo është pjesë e garës për pushtet, që është qëllimi themelor i partive politike”.
“Këto muajt e fundit skena politike është ndarë në dy blloqe. Të ashtuquajturat partitë e djathta (PDK, LDK dhe AAK) dhe në anën tjetër LV’ja.
Kjo ndarje u pa në Vushtri, ku sipas akterëve kreu i LDK-së qëndrimet i ndryshoi të thuash brenda natës, pastaj mosvotimi i Qeverisë Kurti 3, si dhe lëvizjet diskrete që janë bërë në Prishtinë dhe në shumë komuna tjera.
Padyshim se do të refletkohet edhe në ato komuna tjera ku njëra nga partitë e ish opozitës ballafaqohet me LVV-në.
Veprime këto që kanë të bëjnë me sfidën për marrjen e pushtetit, që është e kuptueshme. Sepse fundja partitë për atë qëllim krijohen, dhe kuptimin partive politike ja japin garat për pushtet”, u shpreh ai.
Tali më tej, ai vlerëson se ndarja aktuale mes partive politike nuk do të jetë jetëgjatë, pasi PDK dhe LDK kanë një histori përplasjesh që ende ndikon në marrëdhëniet e tyre të brendshme. Ai thekson se bashkimi i tyre në blloqe është më shumë interes momenti sesa zhvillim natyral politik.
Megjithatë, Tali shprehet optimist, duke thënë se partitë kanë vepruar në përputhje me rregullat demokratike dhe se qytetarët e Kosovës kanë treguar pjekuri politike, pasi pavarësisht krizës institucionale, jeta në vend ka vazhduar normalisht.
“Megjithatë, unë nuk pres që kjo ndarje të ketë jetëgjatësi sepse partitë (me theks të veçantë PDK dhe LDK si dy partitë më të mëdha të dikurshme) kanë një histori jo edhe aq miqësore nga e kaluara. Histori e cila po e përcjell edhe këtë gjeneratën e tashme të udhëheqësve të atyre partive, për faktin se ka ende protagonistë të atyre fërkimeve që janë me peshë brenda partive në fjalë.
Me fjalë tjera kjo ndarje/bashkim në blloqe nuk është si rrjedhjë e natyrshme ndaj qasjes së politikëbërjes por si një interes i momentit.
Sidoqoftë, unë gjitha këto ngjarjet e fundit, në skenën politike, megjithatë po i shoh me optimizëm.
Skena politike kosovare po sfidohet me sfidat e saja, deri tash partitë, ndonëse mund të ketë kritika të shumta në sjelljet e tyre, por megjithatë kanë vepruar konform rregullave të demokracisë, dhe kjo duhet komplimentuar.
Sigurisht një bravo e madhe i shkon edhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi, sepse që nga 10 janari ishim me Qeveri në detyrë dhe pa Kuvend në funksion, gjersa jeta vazhdoi normal (u mor vesh me peripecitë e saj) pa asnjë problem që zakonisht ndodhin kur shteti nuk është funksional, siç ju kanë ndodhur shoqërive tjera edhe me stazhë më të madh në demokraci, kur janë ballafaquar me këso kriza politike” – përfundon ai.
