OPINIONTË FUNDIT

Rrjeti i nëndheshëm dhe pasojat për Kosovën

Në historinë e popujve të vegjël, tradhtia rrallëherë vjen me uniformë ushtarake apo me emblemë armiku. Më shpesh, ajo vjen e parfumuar, e buzëqeshur, e shkolluar jashtë, dhe shfaqet në ekranet tona si analiste, këshilltare apo “mendimtare moderne”.

Në dukje flet për paqen, por në thelb predikon dorëzimin.

Fishta do të thoshte:

“Kur i biri i shqipes fillon me hangër mish të vetin, atëherë nata e robërisë zbret pa zë.” Dhe nata ka zbritur disa herë mbi ne, gjithmonë nga brenda.

Nga një periudhë ku UDB-ja ishte një makinë e frikës, lindi një brez njerëzish që e mëkuan gjuhën shqipe, por ëndrrat i ruajtën në serbisht. Ata u shkolluan në Beograd, në një qytet që për shumë prej tyre u bë më i ngrohtë se vendlindja. Aty mësuan mjeshtërinë e keqbëries së heshttur dhelprake, të cilën më vonë e kthyen në mënyrë të jetesës.

Këta njerëz më vonë u shndërruan në figurat më të zëshme të jetës publike: në politikanë, oligarkë, gazetarë, analistë, këshilltarë etj…

Me shkathtësi kirurgjikale, mësuan si të duken patriotë, duke fshehur ndjenjën e përhershme të inferioriteti ndaj ish-qendrës së pushtetit. Ata nuk ishin më të lidhur me tokën shqiptare, por me nostalgjinë e dominimit serb.

Migjeni do ta përkufizonte këtë tragjedi me fjalët:

“Të mjerë janë ata që nuk dinë se janë të robëruar dhe se lirinë e kanë ndërruar me privilegje.”

Në çdo epokë, ekziston një dorë që udhëheq nga prapaskena.

Pas luftës, kur Kosova kërkonte frymëmarrje, u shfaqën figura si Baton Haxhiu dhe Shkëlzen Maliqi që e lidhën politikën e Tiranës dhe Beogradit me mediat e Prishtinës përmes një rrjeti të padukshëm interesi. Ishte periudha kur oligarkët u bënë ideologë, e ideologët agjentë politikë dhe ekonomikë.

Këshilltarë me shkollim në universitete të financuara nga fondacione të huaja, filluan të ndërtonin ura të rrezikshme mes politikave “të moderuara” dhe kompromisit me Serbinë.

Pas çdo “bashkëpunimi rajonal” fshihej një plan për ta zbutur rezistencën e popullit dhe për ta bërë Kosovën të ndjeshme ndaj iluzioneve të buta.

Në dukje ishte “politikë e arsyes”, në thelb ishte psikologji e dorëzimit.

Siç do të shkruante Fan Noli:

“Kombi që harron kujt ia ka borxh lirinë, do t’ia shesë shpirtin armiqve të djeshëm.”

Në politikën tonë, dashuritë dhe aleancat nuk lindin nga ideali, por nga interesi.

Në momentin që një lider popullor si Albin Kurti u burgos për ideal, u shfaqen “miqtë e tij të rrejshëm” që tentuan ta trashëgonin kauzën e tij atdhedashëse përmes rrëmbimit të partisë së tij dhe përmes manipulimit të anëtarëve të saj, sepse shpresonin se kur ndërgjegjja bie në gjumë, tradhtia vishet me petkun e reformës.

Kështu ndodhi me Lëvizjen Vetëvendosje, që kishte për mision sovranitetin.

Ajo u godit nga brenda, nga njerëz që dikur e brohorisnin emrin e saj, por më pas e shitën për para dhe poste.

Tradhtia këtu nuk ishte akt, por proces. Një proces që filloi me një kompromis të vogël dhe përfundoi me dorëzim total moral.

Siç do të thoshte Migjeni:

“Të korruptuarit nuk i frikësohen dënimit, por ndriçimit.”

Mediat që dikur ishin armë të lirisë, u kthyen në korporata të manipulimit. Nëpër studio televizive, gazetarët dhe analistët që e kishin humbur shpresën për vlera të vërtetëa e gjetën shpëtimin në shërbim të pandërgjegjshëm ndaj armikut shekullor. Ata u bënë zëdhënës të politikave të Beogradit që i dëmtuan më së shumti interesat e shqiptarëve.

Ata nuk shpifinin me fakte, por me zë të ngritur si Lirim Mehmetaj . Nuk përdorinin arsyen, por iluzionin si Berat Buzhala. Kështu, opinioni publik u bë një fushë e minuar, ku çdo kritik ndëshkohej, dhe çdo tradhtar duartrokitej si realist.

Në këtë atmosferë, qytetari i zakonshëm u lodh, u përgjum, u mësua me servilizmin.

Dhe siç thoshte Fishta:

“Kur populli rri duarkryq e s’digjet për atdhe, atëherë armiku ia djeg shtëpinë me një fjalë.”

Pasi Serbia u detyrua të tërhiqej fizikisht nga Kosova, ajo filloi të rikthehej përmes një lufte speciale në shumë fronte – përmes kulturës, ekonomisë, tregtisë, religjionit dhe propagandës. Ishte një luftë pa tanke, por me analistë; një luftë pa snajperë, por me mikrofonë.

Shumë nga ata që flisnin për “paqen” ishin në fakt operatorë të heshtur të destabilizimit.

Kjo ishte metoda e re e dominimit me moton pushto ndërgjegjen e kundërshtarit, dhe s’ke nevojë ta pushtosh territorin e tij.

Kështu, Kosova u lodh duke u mbrojtur nga jashtë, ndërkohë që brenda saj rrënimi mori formë institucionale.

Nëse do ta përkufizonim këtë gjendje me fjalët e Pashko Vasës, ajo do të ishte:

“Feja e shqiptarit është shqiptaria – por shumë herë ia ndërruan fenë e shpirtit me monedha të huaja?”

Ta kuptosh tradhtinë, do të thotë ta kuptosh vetveten.

Populli që nuk e njeh mekanizmin e mashtrimit, është i dënuar ta përsërisë.

Sepse nuk ka shërbim sekret më të fortë se frika, as propagandë më efikase se padija.

Megjithatë, Kosova nuk do të shpëtojë me ndëshkimet e fajtorëve, por me zgjimin e ndërgjegjes.

Ashtu siç shkroi Noli:

“Zgjohu, shqiptar, sepse

më e keqe se robëria është gjumi në liri.”

Në këtë zgjim qëndron shpresa. Sepse tradhtia mund të ndodhë në çdo epokë, por vetëm kombet që e kuptojnë, e kapërcejnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *