POLITIKATË FUNDIT

“Kurti synon shumicën absolute”, Kryeziu komenton propozimin e sotëm të Albin Kurtit për një Qeveri të pakicës

Juristi Kadri Kryeziu komenton propozimin e sotëm të Albin Kurtit për një Qeveri të pakicës, duke theksuar se qëllimi i saj është përmbushja e detyrave shtetërore dhe organizimi i zgjedhjeve të reja në mënyrë të koordinuar.

Emërimi i Dimal Bashës si ministër dhe diskutimi për një Kryetar të ri të Kuvendit synojnë një zgjidhje tranzitore.

Refuzimi i Qeverisë së pakicës i jep Kurtit mundësinë të kërkojë shumicën absolute prej 51% të votës dhe të vazhdojë mandatin me energji të re.

Shkrimi i plotë:

Sot Albin Kurti propozoi një Qeveri të pakicës.

Qeveria e pakicës është ajo që merr 61 vota, por në mungesë të një marrëveshjeje koalicioni mund të rrëzohet në çdo moment. Qëllimi i saj do të ishte i qartë: përmbushja e disa detyrave shtetërore të akumuluara gjatë këtij viti dhe më pas organizimi i zgjedhjeve të reja në mënyrë të koordinuar mes të gjitha partive.

Duke propozuar Dimal Bashën për ministër, Kurti i dërgoi sinjal partive të dala nga UÇK-ja se mund të diskutohet për një emër të ri të Kryetarit të Kuvendit – një zgjidhje e përbashkët për një periudhë tranzitore. Një qeveri me mandat të kufizuar, me detyra të qarta, dhe një Kryetar Kuvendi i ri, i cili, sipas praktikës së krijuar, do të bëhej ushtrues detyre i Presidentit pas pak muajsh.

Mospranimi i kësaj formule ka kuptim vetëm nëse partitë e tjera mobilizohen tani dhe brenda dhjetë ditësh formojnë qeverinë e re. Numrat i kanë – u mungon vetëm vullneti i përbashkët. PDK, AAK dhe NISMA janë pro. LDK është kundër.

Pra, LDK-ja – më saktë, egoja e Lumir Abdixhikut – është arsyeja pse Albin Kurti do të hyjë në vitin e gjashtë të mandatit të tij katërvjeçar.

Dhe fjala e fundit: duke refuzuar qeverinë e pakicës të propozuar nga Kurti dhe duke mos formuar një qeveri të re brenda afateve që përcakton Kushtetuta, këto parti ia kanë dhuruar atij kauzën që i mungonte.

Tani, Albin Kurti do ta ketë të gjithë energjinë dhe motivin për ta kërkuar dhe synuar shumicën absolute — 51% e votës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *