Pas përmendjes së Gani Gecit, Halil Geci del me reagim të ashpër ndaj Abdixhikut
Veprimtari Halil Geci ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar për keqpërdorim të emrit të vëllait të tij, Gani Geci
“Emri i Gani Gecit nuk përdoret për lojëra të ulëta politike. Ta paraqesësh atë si njeri të dhunshëm është fyerje e rëndë ndaj një njeriu që ka dhënë shumë për lirinë dhe demokracinë e vendit,” ka deklaruar Geci.
Ai shtoi se familja Geci “nuk do të lejojë askënd ta përbaltë emrin e saj të ndërtuar me gjak, sakrificë dhe besë shqiptare.”
Reagim i plotë:
REAGIM I ASHPËR NDAJ KEQPËRDORIMIT TË EMRIT TË VËLLAUT TONË GANI GECI NGA KRYETARI ABDIXHIKU
Se kush gënjeu e kush tha të vërtetën – Lumir Abdixhiku apo Xhafer Tahiri – e tregoi sondazhi i Kanalit 10.
Mjaft me fyerje e manipulime politike në kurriz të njerëzve që kanë dhënë për LDK-në dhe për Kosovën – emri i Gani Gecit nuk përdoret për lojëra të ulëta politike të Abdixhikut.
Kohët e fundit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në vend që të merret me problemet e partisë së tij, ka zgjedhur të merret me fyerje dhe etiketime të padrejta ndaj Gani Gecit.
Ta paraqesësh Gani Gecin si njeri të dhunshëm është jo vetëm e pavërtetë, por edhe një fyerje e rëndë ndaj një njeriu që ka dhënë shumë për lirinë dhe demokracinë e vendit.
Megjithatë, duhet ta themi me sinqeritet: pjesë e fajit e ka edhe vetë Ganiu, sepse me mirëbesim ka lejuar që të tjerët të përfitojnë nga emri dhe karakteri i tij.
Kur ia dorëzon besimin dikujt, ai mund ta përdorë si të dojë – dhe në këtë rast, Abdixhiku e ka keqpërdorur atë besim për qëllime të ngushta politike.
T’i thuash Xhafer Tahirit “mos fol se të lëshoj Ganiun” është një fyerje e papranueshme – jo vetëm ndaj Ganiut, por ndaj çdo familjeje që ka dhënë për këtë vend.
Kjo nuk është politikë, kjo është mungesë respekti dhe keqpërdorim i njerëzve të ndershëm.
Gani Geci është dhe mbetet burrë i matur, i drejtë dhe i fjalës, ndërsa kush përpiqet ta paraqesë ndryshe, tregon më shumë për veten sesa për të.
Familja Geci nuk do të lejojë që askush ta përbaltë emrin e saj, sepse ky emër është ndërtuar me gjak, sakrificë dhe besë shqiptare.
REAGIM NGA UNË, HALIL GECI
Në lidhje me keqpërdorimin e emrit të vëllait tim, Gani Geci, nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
