Pas humbjes në Drenas, rriten pakënaqësitë brenda PDK-së – ‘lëkundet’ kryesia!
Pas humbjes ‘tronditëse’ të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në zgjedhjet lokale në Drenas, brenda strukturave të kësaj partie kanë shpërthyer pakënaqësi dhe tensione të papërballueshme deri më tani.
Ky humbje jo vetëm që ka ‘shkundur’ mbështetësit e PDK-së në një prej bastioneve të saj historike, por po shkakton edhe një krizë të thellë brenda elitës udhëheqëse të partisë. Situata tashmë ka marrë përmasa të tilla, saqë disa nga figurat më të rëndësishme brenda PDK-së kanë dalë hapur kundër kryesisë së kësaj partie, duke kërkuar ndryshime rrënjësore.
Ishte deputeti Nait Hasani, i cili doli haptazi në krah të Ramiz Lladrovcit, duke mbështetur qëndrimet kritike ndaj kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, dhe drejtuesve të tjerë që konsiderohen përgjegjës për humbjen e Drenasit.
Kjo “revoltë” e brendshme, e shprehur në mënyrë të hapur dhe të paqartë më parë në këtë shkallë, duket se synon të riformatoj balancat e pushtetit brenda PDK-së. Përplasjet dhe mosmarrëveshjet po theksohen jo vetëm në nivelet lokale, por po reflektohen edhe në strukturat më të larta të PDK-së, duke ngritur pyetjen nëse kjo situatë do të jetë një rast i izoluar apo fillimi i një përmbysjeje më të gjerë në kryesinë e partisë.
Për më tepër, kjo krizë e brendshme ngre dilema të rëndësishme rreth së ardhmes së PDK-së në skenën politike të Kosovës.
Maloku: Çështja Lladrovci, nuk është tregues i vetëm i një pakënaqësie brenda Partisë Demokratike të Kosovës
E për këtë çështje, foli analisti politik, Albinot Maloku se PDK ka nevojë për analizim mbi mënyrën e saj të funskionit dhe vizionit të saj.
Ai në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh se Lladrovci nuk është e vetmja “shenjë” e pakënaqësisë në këtë parti.
“Vlerësimi është që, çështja Lladrovci, nuk është tregues i vetëm i një pakënaqësie brenda Partisë Demokratike të Kosovës. Ajo është, në fakt, një shenjë e dukshme e një nevoje të grumbulluar për reflektim të thellë, mbi drejtimin aktual të këtij subjekti politik, mënyrën e funksionimit të saj, dhe mbi vizionin që (nuk) po ofrohet për të ardhmen”.
Madje, Maloku beson se PDK ka nevojë për zgjedhje të brendshme dhe strukturë të re drejtuese.
“Këtij subjekti politik i duhet më shumë se një reagim formal. I duhet një proces zgjedhor i brendshëm dhe real, që t’i japë legjitimitet të natyrshëm strukturave drejtuese, jo formalitete për rrethana të përkohshme”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, analisti shtoi se humbja e energjise mobilizuese duhet të jetë alarmuese për kët parti dhe do duhej të ketë debat të brendshëm para se të thellohet edhe më shumë humbja elektorale.
“Letargjia që ka përfshirë këtë subjekt, mungesa e debatit të brendshëm dhe humbja graduale e energjisë mobilizuese duhet të alarmojnë vet strukturat e saj.
Megjithatë, me një vullnet të pangarkuar nga interesa vetjake, edhe kjo situatë mund të menaxhohet, pra, pa i shkaktuar dëme serioze PDK-së, duke e thelluar ndarjen dhe humbur besimin e elektoratit”, përfundoi Albinot Maloku për “Bota sot”.
Mehmeti: Me gjithë këto revolta, me gjithë përçarjes brenda partisë, ndryshime brenda kryesisë paksa vështirë të ndodhin
Kurse, opinionisti Gani Mehmeti u shpreh se partitë politikë në Kosovë janë dhënë më shumë pas interesave të ngushtë dhe kësisoj më pas po shpërthejnë pakënaqësi të shumta.
Këtë e ndërlidhi me rastin e Lladrovcit dhe PDK-së, e për të cilën gjë foli më gjerë në bashkëbisedimin me “Bota sot”.
ImageGani MehmetiFoto galeri
“Me kohën, secili po tregon kush çka është dhe si është. Ata që po vijnë në krye të një partie, disi po tregohen si shpejt të paqëndrueshëm në kohëzgjatjen si kryetar. Me gjasë, disi po rriten si shpejt nga mendja, po mendojnë se ata janë mbi të gjithë, por edhe me një dozë frike se të tjerët do dalin mbi ta.
Kështu po fillojnë edhe përçarjet brendapartiake, duke parë vetëm interesin e ngushtë të tyre, me çka po karakterizohet me shkeljen apo injorimin e anëtarëve të suksesshëm brenda partisë në detyrat e tyre që po i kryejnë më mirë nga të tjerët. Kështu ndodhi edhe me Ramiz Lladrovcin në Drenas nga partia e tij”, shtjelloi ai.
E në këtë pikë, Mehmeti potencoi faktin se Lladrovci nuk u dorëzua, garoi vetëm dhe mposhti PDK-në.
Rrjedhimisht, ai mori edhe përkrahje nga bashkëpartiakët tjerë, në këtë rast nga Hasani, i cili edhe kërkoi dorëheqje dhe ndryshim të kryesisë aktuale.
“Mirëpo, Ramizi nuk u dorëzua, ai formoi grupin e tij, për çka tregoi se është i panënshtruar prej secilit që në një mënyrë kërkon ta bëjë këtë. Kjo bëhet kur njeriu ka një karakter të fortë e nuk është nënshtrues.e as sevil i dikujt tjetër.
Në anën tjetër, secili ka edhe shokët e tij apo përkrahësit në jetë dhe në parti e në jetën politike.
Në rastin konkret, mirë që edhe deputeti Nait Hasani i bashkohet dhe shkon deri atje sa, kërkon dorëheqjen e e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit. Ka gjasa që t’i bashkohen edhe deputetë të tjerë dhe kështu, kjo parti ka nisur në përçahet nga mospajtimet me kryetarin e PDK. Do të thellohen pakënaqësitë edhe më tutje brenda partisë së PDK”.
Ndonëse, në fund, ai potencoi se është e vështirë që Krasniqi e të tjerët të largohen nga kryesia, pasi kanë shumë mbështetës tjerë.
“Edhe me gjithë këto revolta, me gjithë përçarjes brenda partisë, ndryshime brenda kryesisë paksa vështirë të ndodhin, ngase ata janë për Memli Krasniqin, si njerëz të afërt të tij, janë edhe verbërisht për PDK, përkundër gabimeve dhe injorimeve të të fortëve brenda partisë. E gjithë kryesia e PDK e ka parë të “arsyeshme” lënien jashtë kandidaturës së Ramizit për kryetar komune”, përmbylli Gani Mehmeti.