“Ndryshim strategjie dhe i kërcënuar” / Analistët komentojnë sulmet e Ramës ndaj Kurtit e VV-së
Përplasja e re mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë përmasa të ashpra pas deklaratave të fundit në lidhje me protestën që u mbajt në Tiranë.
Vetëvendosje ka akuzuar Ramën se ka qenë “një nga lobuesit kryesorë” për themelimin e Gjykatës Speciale për Kosovën, duke kujtuar madje se “ai kishte ardhur me helikopter në Kosovë për t’i bindur deputetët që të votonin për këtë gjykatë”.
Sipas kësaj partie, përpara se të dalë në protestë, Rama duhet të tregojë “minimumin e pendesës për qëndrimet e tij të gabuara në të kaluarën”.
“Edi Rama duhet të kërkojë falje për qëndrimin që ka mbajtur ndaj Gjykatës Speciale, e cila sot po gjykon çlirimtarët e Kosovës. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe OKB-së, duhet ta ngrejë këtë çështje në instancat ndërkombëtare, jo vetëm në sheshin ‘Skënderbej’,” thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Kurse Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nga ana tjetër, ka reaguar me tone ironike, duke i akuzuar përfaqësuesit e Vetëvendosjes se “po përzihen në marrëdhëniet institucionale mes Shqipërisë dhe Kosovës” dhe po e kthejnë debatin në një mjet për “balotazhet komunale” në Kosovë.
“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja. Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që ajo i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës,” tha ndër të tjera Rama.
Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike thonë se këto sulme janë pjesë e një fushate të Ramës ndaj Albin Kurtit, me qëllim që ta paraqesë këtë të fundit si “anti-UÇK”.
Ndryshimi i papritur i Edi Ramës
Publicisti Milaim Nela ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të fundit të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, lidhur me protestën në Tiranë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
ImagePublicisti Milaim NelaFoto galeri
Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Nela e quan këtë nismë “hipokrizi politike” dhe “lojë të rrezikshme me ndjenjat e shqiptarëve”.
“Se pse kjo thirret në Tiranë këtë vetëm Edi Rama e di! Ata që kanë kujtesë e dinë fort mirë se ky Edi që sot lufton kundër Speciales dhe i digjet shpirti për Hashim Thaçin, nuk la gur pa luajtur deri sa fluturoi me helikopter drejt Prishtinës për t’i bindur ata që sot janë në burg ta miratonin Gjykatën Speciale, sepse ajo ishte në interes të Kosovës!”, – thotë Nela.
Sipas tij, ndryshimi i qëndrimit të Ramës ndaj Thaçit është i pashpjegueshëm.
“Se kah i ka ardhë Edit kjo dashuri për Thaçin këtë vetëm Edi mund ta dijë, sepse Hashimi, nëse nuk është i shantazhuar, nuk besoj se e di. Edi Rama, e kam thënë shumë herë, pas Enver Hoxhës është njeriu që më së shumti e ka dëmtuar Kosovën.”
Nela kujton se Rama ishte ndër ata që bindën Thaçin të miratonte Gjykatën Speciale – një trupë që, sipas tij, “gjykon viktimën e jo xhelatin”.
“Në atë kohë edhe bufi e dinte se nëse miratohej, Thaçi do të ishte i pari që do të plasej brenda, e realisht ashtu ndodhi! Rama vazhdon sot e kësaj dite të punojë në dëm të Kosovës e pro Vuçiçit të Serbisë,” deklaron Nela.
Publicisti thekson se Rama ka ndërruar strategji sipas interesave të tij politike.
“Thaçi i duhej në burg atëherë sepse duke dërguar në Hagë kupolën e UÇK-së i jepte poena politike vëllait të tij në Beograd. Sot i duhet jashtë burgut sepse Vuçiçi nuk po mund ta rrëzojë qeverinë e Albin Kurtit,” thekson Nela.
Sipas tij, opozita në Kosovë dhe një pjesë e mediave po bien pre e lojës së Ramës.
“Kaq naive po tregohet opozita e Kosovës në këtë lojë me UÇK-në e Edi Ramës sa nuk e di çfarë duhet të bëjë më shumë ky njeri që të binden se për Kosovën nuk ndryshon nga Ivica Daçiçi, e në mos është më i keq!” shton Nela.
Ai përmend disa grupe që, sipas tij, po e sulmojnë Kurtin.
“Aleksandër Vuçiqi, që e quan Kurtin ‘shtypës të serbëve të veriut’; analistë e gazetarë që kanë krijuar narrativën ‘anti-amerikane’ ndaj qeverisë së Kosovës; dhe opozita në Kosovë që beson se vetëm me ndihmën e Ramës mund të kthehet në pushtet.”
Nela shprehet i habitur se si mund ta mbrojë UÇK-në ai që e ka dëmtuar Kosovën.
“UÇK-në do ta mbrojë Rama që krijoi ‘Ballkanin e Hapur’ pa Kosovën; Rama që në sulmin terrorist të Banjskës mbajti anën e Vuçiçit; Rama që bëri avokatinë e Serbisë kur ajo rrëmbeu policët e Kosovës; Rama që nuk hoqi dorë nga ideja e shkëmbimit të territoreve; Rama që kundërshtoi Rrugën e Kombit dhe që sot lufton për Asociacionin më shumë se vetë Vuçiçi,” nënvizon Nela.
Më tej, ai liston disa hapa që, sipas tij, do ta tregonin sinqeritetin e Ramës ndaj Kosovës.
“Të punojë për njohjen e Kosovës nga 5 vendet që ende nuk e kanë njohur. Të kërkojë heqjen e sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës. Të miratojë një rezolutë kundër gjenocidit serb. Të hapë një kanal të RTSH-së për krimet e Serbisë. Të heqë doganat për shtetasit e Kosovës. Të hetohen vrasjet e Ali Ukës, Ahmet Krasniqit dhe Ilir Konushevcit. Të ndalojë gjuhën përçmuese ndaj pushuesve nga Kosova. Të punojë kundër Asociacionit dhe ta denoncojë në arenën ndërkombëtare,” shpjegon publicisti Nela.
Në përfundim, Nela e cilëson protestën si “lojë politike që dëmton UÇK-në dhe ndjenjat e shqiptarëve”.
“Protesta në ‘mbrojtje’ të UÇK-së është test për të kuptuar kush janë soroistët më të zellshëm, nga presidentja populiste e Kosovës deri te kryetari i Prishtinës që beson se me turbofolkun e Ramës do marrë vota. Kjo protestë ndihmon Edi Ramën dhe të adhuruarit e tij, por jo interesin e shqiptarëve dhe të shtetit të Kosovës. Heronjtë nuk mbrohen me protesta turbofolk, por me beteja diplomatike, politike e juridike. Këto lloj protestash bëjnë efektin e kundërt dhe i fundosin ata,” përfundon publicisti Milaim Nela për “Bota sot”.
Rama i kërcënuar nga Kurti
Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti shprehet se sulmet e Ramës vijnë pasi ky i fundit ndjehet i kërcënuar nga Kurti.
ImageFaton MehmetiFoto galeri
“Sulmet e Edi Ramës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti nuk janë të rastësishme. Ato janë pjesë e një strategjie të vjetër për ta dobësuar zërin e pavarur të Kosovës dhe për ta mbrojtur politikisht Hashim Thaçin e rrethin e tij. Rama ndjehet i kërcënuar nga qasja e Kurtit, e cila sfidon modelin e tij të pushtetit të lidhur me oligarkinë dhe interesat e jashtme,” shprehet Mehmeti.
Sipas tij, Kurti shihet si pengesë nga Rama për të realizuar planet e tij në Kosovë.
“Pas kësaj fshihet frika se me forcimin e Kurtit bie ndikimi i Tiranës në politikën e brendshme të Kosovës. Rama kërkon të ruajë kontrollin dhe të mbajë gjallë lidhjet me elitën e vjetër politike të Kosovës, më konkretisht me opozitën aktuale që i ka shërbyer si urë për interesa personale e rajonale. Këto sulme, në fakt, janë dëshmi se Kurti po u prish planet atyre që për vite e kanë parë Kosovën si terren për pazare politike,” përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.
Ndryshe, vlen të theksohet se as Edi Rama nuk mori fare pjesë në protestën e organizuar nga OVL-UÇK në Tiranë.