OPINIONTË FUNDIT

Nëse Rugova do të ishte gjallë do të turpërohej nga Përparim Rama

Përparim Rama, kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, ka kaluar çdo kufi të dinjisë dhe moralit politik. Ai, pa asnjë ndjenjë turpi, organizon autobusë për në Tiranë për të marrë pjesë në protestën “në mbrojtje të Hashim Thaçit dhe të tjerëve” që po gjykohen në Hagë.

Ky veprim nuk është vetëm i pakuptimtë, por thellësisht i neveritshëm për çdo njeri që e njeh historinë e pasluftës në Kosovë dhe sakrificën e anëtarëve të LDK-së. LDK-ja, partia e Ibrahim Rugovës, është goditur më shumë se kushdo tjetër nga atentatet e pasluftës. Qindra veprimtarë, zyrtarë e mbështetës të saj janë vrarë, e në shumë raste, gishtat e akuzës janë drejtuar drejt strukturave të SHIK-ut, të cilat sot janë nën dritën e gjykimeve në Hagë. E tani, në vend që të ruajë kujtimin e atyre viktimave dhe të mbrojë dinjitetin e partisë së tij, Përparim Rama zgjedh të serviloset para PDK-së, partisë që në atë kohë përfaqësonte pushtetin e errët dhe frikën. Për çfarë? Për disa vota në balotazh? Për një mandat tjetër në karrigen e kryetarit të Prishtinës? Në emër të pushtetit, Rama po e shkel gjakun e bashkëpartiakëve të vet, po e përdhos idealin e Rugovës, dhe po përkulet para atyre që për vite i kanë quajtur armiq.

Ky nuk është kompromis politik është tradhti morale. Përparim Rama po tregon se nuk ka as parime, as kufij, kur vjen puna për të mbajtur pushtetin. Ai po i jep dorën e pajtimit jo për hir të drejtësisë, por për llogari të ulëta personale.

Asnjë anëtar i ndershëm i LDK-së nuk mund ta justifikojë këtë akt të paturpshëm.

Nëse Ibrahim Rugova do të ishte gjallë, do të turpërohej nga ky veprim. Në Hagë po gjykohet njeriu kryesor i SHIK-ut, strukturë që për shumëkënd përfaqëson errësirën e pasluftës.

Në vend që të qëndrojë në anën e drejtësisë, Përparim Rama zgjedh të udhëheqë autobusë për të mbrojtur ata që LDK për dekada i ka konsideruar përgjegjës për vrasjet e saj politike.

Ky është absurdi më i madh politik që mund të ndodhë në Kosovë: viktima që ngrihet të mbrojë xhelatin.Përparim Rama ka shitur çdo grimcë integriteti për interesa të vogla elektorale. Ai po e turpëron LDK-në, po e baltos trashëgiminë e Rugovës, dhe po e zhbën çdo dallim moral mes partisë së tij dhe atyre që për vite i kanë luftuar.

Ky nuk është bashkim është nënshtrim.

Dhe në historinë politike të Kosovës, ky veprim do të mbahet mend si një prej rasteve më të shëmtuara të servilizmit për pushtet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *