OPINIONTË FUNDIT

Auditori i pavarur: PDK shpenzoi gati 1 milion euro për zgjedhjet e 9 shkurtit – të hyra mbi 375 mijë

Auditori i Pavarur ka publikuar deklarimet financiare të fushatës për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të datës 09.02.2025.

Sipas këtyre të dhënave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në periudhën 16 gusht 2024 – 9 shkurt 2025, ka mbledhur nga të hyrat gjithsej 559,062.98 euro, kurse gjatë kësaj periudhe ka deklaruar shpenzime prej 934,749.39 euro.

Deficiti mes të hyrave dhe shpenzimeve në këtë periudhë është 375,686.41 euro.

Sipas të dhënave, thuhet se pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve kanë shkuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca – me gati 460 mijë euro.

Kurse 475,548 euro tjera, PDK i ka kategorizuar vetëm si “shpenzime të përgjithshme”.

Sipas opinionit të Auditorit, Pasqyrat Financiare shoqëruese të PDK-së, paraqesin një pamje të vërtetë dhe të drejtë, në të gjitha aspektet materiale të Pasqyrës së Pozitës Financiare më 09 shkurt 2025 dhe Pasqyra e Të Hyrave dhe Shpenzimeve për periudhën e përfunduar deri në ketë datë, si dhe Shënimet Shpjeguese të Pasqyrave Financiare, ne pajtim me ligjin.

Auditori i Pavarur tha se e kanë kryer auditimin në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (SNA-të).

“Përgjegjësia jonë është të japim një mendim mbi këto pasqyra financiare bazuar në auditimin e kryer. Gjatë angazhimit tonë, ne ishim të pavarur nga Subjekti Politik dhe shoqëria në përputhje me kodin e etikes për profesionistët kontabël (kodi i BSNEPK), së bashku me kërkesat etike që janë të zbatueshme për auditimin e pasqyrave financiare në Kosovë. Po ashtu ne kemi përmbushur përgjegjësitë tjera etike në përputhje me këto kërkesa dhe me kodin e BSNEPK. Ne besojmë se evidenca e auditimit që kemi siguruar është e mjaftueshme dhe e përshtatshme për të dhënë një bazë për opinionin tonë”, u tha në njoftimin e Auditorit të Pavarur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *