OPINIONTË FUNDIT

“Godet” Faton Peci: Padi ndaj Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt e të tjerë për manipulime me zgjedhjet

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar sot se do të dorëzojë kallëzim penal për një grup personash dhe individë që sipas tij kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme procesin zgjedhor në Mitrovicën e Jugut.

Në një postim në Facebook, Peci ka përmendur emrat e Baton Haxhiut, Berat Buzhalës, Lirim Mehmetajt, Visar Imerit, Ilir Mirenës, Valon Sylës, Ermal Pandurit, Valon Fekës, Shkumbin Kajtazit dhe të tjerë, për të cilët thotë se ka dyshime të bazuara për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve (neni 210 i Kodit Penal) dhe falsifikim të rezultateve të votimit (neni 216 i Kodit Penal të Kosovës).

Ai thekson se gjatë ditës së zgjedhjeve, disa media dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara, duke shpërndarë shpifje, akuzuar persona pa bazë dhe publikuar “exit-poll” të paligjshëm, të cilat sipas Pecit nuk reflektojnë vullnetin real të qytetarëve dhe synojnë të krijojnë konfuzion dhe të ndikojnë në rezultatin zgjedhor.

Postimi i plotë:

Kallëzim penal

Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës.

Pas analizës së thellë të procesit zgjedhor në Mitrovicën e Jugut dhe shqyrtimit të dëshmive e argumenteve të manipulimeve dhe ndikimit të palejueshëm e kriminal në votën e qytetarëve, njoftojmë opinionin se do të dorëzojmë kallëzim penal ndaj personave të mëposhtëm:

Baton Haxhiu, Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj, Visar Imeri, Ilir Mirena, Valon Syla, Ermal Panduri, Valon Feka, Shkumbin Kajtazi dhe të tjerë për dyshimin e bazuar të Cenimit të Përcaktimit të Lirë të Votuesve, të sanksionuar me nenin 210 dhe të Falsifikimit të Rezultateve të Votimit sipas nenit 216 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkohë që institucioneve të drejtësisë iu bëjmë thirrje për trajtim urgjent, të drejtë dhe meritor të këtyre krimeve, gjatë ditëve në vijim do të paraqesim edhe fakte, argumente e dëshmi të tjera, të bazuara në deklarimet e qytetarëve dhe entiteteve të tjera.

Gjatë fushatës zgjedhore, e veçanërisht gjatë ditës së zgjedhjeve, pa pritur, ashtu siç e përcakton Ligji për Zgjedhjet, të përfundojë procesi zgjedhor, disa “”medie“ dhe individë të lidhur me grupe të jashtëligjshme interesi, gjatë tërë ditës kanë ndërmarrë veprime të sinkronizuara – përmes shpifjeve, linçimeve, akuzave të rreme, numrave të manipuluar e duke kulmuar me publikimin e të ashtuquajturve “exit poll” të paligjshëm, që shumë shpejt u dëshmua që jo vetëm që nuk e pasqyrojnë aspak vullnetin real të votuesve në Mitrovicë, por madje qëndrojnë shumë larg. Qëllimi i vetëm i këtyre veprimeve ishte krijimi i konfuzionit, duke tentuar të ndikojnë dhe devijojnë jashtëligjshëm vullnetin e qytetarëve në Mitrovicë dhe të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Të nderuar qytetarë të Mitrovicës dhe të Kosovës, do t’ju mbajmë të informuar për gjithçka. Transparenca është tipar që na dallon si individë, si politikanë e si parti politike dhe respektimi dhe mbrojtja e votës së qytetarëve të Mitrovicës është parimi dhe prioriteti ynë kryesor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *