TË FUNDIT

“Çfarë marrie” – Gëzim Mekuli tregon pasojat e sondazheve të manipuluara: Një sulm i orkestruar ndaj Kosovës

Kosova të dielën mbajti zgjedhjet lokale, të cilat në përgjithësi u zhvilluan në mënyrë të rregullt dhe pa ndonjë ekses të theksuar.

Por, ajo që mori vëmendjen më të madhe gjatë këtij procesi ishin sondazhet apo exit-pollet e kompanive të ndryshme që u shfaqën në ekranet televizive me t’u mbyllur vendvotimet.

Në fakt, sa më shumë që i afroheshim ores 19:00, aq më të zëshëm bëheshin disa analistë e pronarë mediash edhe në rrjetet sociale duke paralajmëruar rezultate që më vonë, zyrtarisht dolën të ishin larg realitetit. Pas orës 19 në disa prej televizioneve tona jepeshin rezultate “bombastike” për komuna.

E më interesanti ishte ai kompanisë UBO Consulting që u prezantua nga RTV Dukagjini, sipas të cilit, Arian Tahiri nga PDK ksihte marr 55.9% të votave për Mitrovicën, kurse në vendin e dytë ishte Faton Peci nga VV me 39.7%.

Rezultate pak a shume të ngjashme paraqiti edhe Baton Haxhiu në një televizion tjetër.

Ndërsa, më vonë u faktua se diferenca ndërmjet Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton pecit të LVV-së ishte vetëm 28 vota.

Gëzim Mekuli, njohës i shkencave të mediave dhe retorikës në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se ajo që ka ndodhur me Mitrovicën nuk mund të konsiderohet rastësi, por strategji mediatike për shtrembërimin e perceptimit të qytetarëve.

ImageGëzim MekuliFoto galeri
“Sondazhet e manipuluara dhe heshtja fatale e AGK-së: një sulm i orkestruar ndaj Kosovës

(Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës, Univeristteti i Oslos dhe Bergen, Norvegji)

Ajo që ndodhi, veçanërisht në Mitrovicë ku rezultati i sakt ishte krejtësisht ndryshe nga sondazhet e publikuara, nuk është një «gabim teknik» apo «rastësi». Kjo është një strategji e qartë dhe e organizuar mediatike, një manipulim i mendimit publik, që ka për qëllim të shtrembëroj perceptimin e qytetarëve dhe të dobësojë efektin e votës së lirë.

Sondazhet, në dukje neutrale, po përdoren si armë politike dhe psikologjike. Për javë të tëra, televizione, portale dhe exit poll-e të orkestruara krijuan një rrëfim të rremë kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe qeverisë së saj, duke synuar të ndikojnë në votën, sjelljen dhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik. Çfarë marrie!”, ka thënë Mekuli për “Bota sot”.

Mekuli ka treguar në disa pika se çfarë mund të fshihet pas gjithë kësaj “skeme”.

“Çka fshihet pas gjithë kësaj skeme, pyetni ju?

Sondazhet e manipuluara nga Exit Poll-et nuk janë thjeshtë gabime statistikore. Ato kanë dy qëllime kryesore:

Demobilizimi dhe delegjitimimi i votuesve; duke krijuar iluzionin se një forcë politike është e paracaktuar si fituese. Kështu qytetarët mund të dekurajohen që të votojnë, ndërsa ata që janë skeptikë mund të ndihen të pafuqishëm për të ndryshuar rezultatin. Pra, nuk marrin pjesë në votim.

Interesi ekonomik dhe politik i mediave dhe portaleve; sondazhet sensacionale rrisin shikueshmërinë dhe klikimet, duke prodhuar fitime për pronarët e mediave. Kështu, një rrjet i tërë mediatik fiton financiarisht nga manipulimi, ndërsa populli mbetet i dezinformuar.

Këtu po ju sjellë disa shembuj ndërkombëtar se si Exit poll-et janë përdorur për manipulim publik edhe jashtë Kosovës:

1. Në Mal të Zi, 2016: Exit poll-et e publikuara nga media pro-qeveritare favorizuan koalicionin në pushtet dhe dekurajuan votuesit e opozitës.

2. Në Meksikë, zgjedhjet presidenciale 2006: Sondazhet e mediave qeveritare krijuan një perceptim të rremë fituesi, pavarësisht rezultatit real, duke nxitur pakënaqësi dhe protesta.

3. Në Rusi dhe Serbi: Exit poll-et u përdorën për të legjitimuar rezultatet e partisë së Vuçiqit dhe Putinit dhe për të frikësuar votuesit e opozitës.

4. Në SHBA: Shumë fushata elektorale përdorën exit poll-e me shifra sensacionale për të ndikuar sjelljen e votuesve, duke aktivizuar edhe efektin e «bandëagon» (të bashkohesh në vagonët e fituesit të supozuar)”, është shprehur ai.

Sipas tij, këto shembuj tregojnë se exit poll-et përdoren si instrument manipulimi, duke krijuar iluzion fituesi ose duke delegjitimuar procesin zgjedhor.

“Për Kosovën, kjo e bën hetimin e plotë dhe transparencën institucionale të domosdoshëm”, shton ai.

Për publicistin Mekluli, është plotësisht e kuptueshme thirrja e Kryeministrit Albin Kurti për hetim të exit poll -eve.

“Kjo nuk është çështje shifrash; është çështje e sigurisë. Është çështje demokratike. Çdo manipulim i sondazheve që synon të ndikojë në rezultatet reale është cenim i sovranitetit të votës; Kjo propagandë edhe traumë kolektive për popullin e Kosovës. Është vepër penale. Çfarë turpi!

Ky manipulim mediatik nuk është i rastësishëm. Ky është pjesë i një plani të mirëorganizuar propagandistik, i ndërtuar mbi bazën e gazetarëve që për dekada kanë riprodhuar pikëpamjet e Beogradit të moçëm. Përdorimi i njerëzve të lidhura me BIA-në serbe si «analistë», «ekspertë» apo «sondazhist» për të legjitimuar këto manipulime, është një nga metodat për ta bërë propagandën e tyre të duket si shkencore dhe të besueshme. Çfarë dështimi! Çfarë injorantësh!

Më e rrezikshme se vetë manipulimi i tyre është heshtja e AGK-së. Me mosreagimin e saj ndaj këtyre praktikave sovjetike, AGK-ja nuk vepron vetëm si vëzhguese pasive, por bëhet pjesë e problemit të gazetarisë shqiptare, duke u kthyer në bashkëfajtore të propagandës dhe «luftës speciale» serbe kundër Republikës së Kosovës. Heshtja institucionale i jep zemër mediave dhe aktorëve të propagandës që të vazhdojnë të shtrembërojnë realitetin dhe të kërcënojnë integritetin e institucioneve demokratike. Çfarë poshtërsie!”, potencoi ai.

Ani pse populli e shprehu me votë vullnetin e tij, Mekuli thotë se kjo nuk duhet të na qetësojë, duke theksuar se duhet transparencë dhe hetim i plotë institucional.

“Populli tregoj forcën e vet: rezultati i sakt i zgjedhjeve nuk u ndikua nga këto manipulime. Por kjo nuk duhet të na qetësojë. Duhet transparencë dhe hetim i plotë institucional ndaj pornografisë mediatike; duhet sepse duhet për të ndaluar një praktikë që rrezikon demokracinë, proceset zgjedhore dhe, para së gjithash, kjo e shpëton shëndetin mental e fizik të qytetarëve të Kosovës.

Konsekuent deri në fund: Pyetjet që qëndrojnë sot para opinionit publik shqiptar nuk lidhen vetëm me Albin Kurtin si Kryeministër, por me të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit.:

• A do të lejojmë të manipulohet mendimi publik me propagandë të orkestruar nga aktorët e pornografisë sociale?

• A do të pranojmë heshtjen e institucioneve që duhet të mbrojnë zgjedhjet e lira dhe demokracinë nga pornografia mediake?

• Apo duhet të vetëorganizohemi që të mbrojmë votën dhe pavarësinë e Kosovës nga këta aktorë pornograik?”, pyet ai.

Në fund Mekuli thekson se kjo është luftë për integritetin e procesit zgjedhor dhe sovranitetin e Kosovës.

“Sondazhet e manipuluara dhe heshtja institucionale nuk janë thjesht gabime: ato janë qëllime dhe propagandë e planifikuar dhe një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. PIKË!”, përfundoi ai.

Ndryshe, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kërkuar hetim për Exit Pollet e Mitrovicës.

Sipas tij, ajo që u prezantua ishte cenim i votës së lirë.

“Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë për huqje, por për ingjiniering të paramenduar, ndërhyrje flagrante në proces. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16% dallim nga më shumë se një organizatë, për të njëjtën komunë, postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira, integritetit e sigurisë. I ftoj organet e sigurisë e drejtësisë të merren me këtë çështje”, tha Kurti.

Kjo deklaratë e Kurtit ka ngjallur reagime të shumta kundërshtuese nga organet përfaqësuese të mediave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *