POLITIKATË FUNDIT

“Maskarda e mbrëmshme i ka dëmtu goxha shumë”, Tali flet për zgjedhjet lokale dhe sondazhet e rrejshme

Më 12 tetor, qytetarët e Kosovës dolën në zgjedhjet lokale për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në nivelin komunal. Procesi u zhvillua në një atmosferë të qetë.

Rezultatet e publikuara kanë shkaktuar diskutime të shumta për ndikimin e kandidatëve, besueshmërinë e sondazheve dhe rolin e mediave në informimin e qytetarëve.

Kurse, nga rezultatet e deritashme, 21 komuna i zgjodhën kryetarët dhe 17 shkojnë në balotazh, që do të mbahen më 9 nëntor.

Analisti Driton Tali, në një prononcim për “Bota sot”, thotë se qytetari është fitues dhe humbës në të njëjtën kohë, sepse rezultatet e zgjedhjeve ndikojnë drejtpërdrejt tek ai.

Sipas tij, humbës janë firmat e sondazheve dhe disa analistë/medie, pasi rezultatet e gabuar ose analizat jo të sakta dëmtojnë besimin e publikut.

Tutje, nënvizon se sondazhet dhe analizat duhet të jenë objektive dhe të bazuara në të dhëna. Megjithatë, në zgjedhjet lokale ndikim ka edhe kandidati konkret, jo vetëm partia.

“Kush fitoi e kush humbi, unë do të thoja: qytetari fitoi dhe qytetari humbi për faktin se vet qytetari do ta gëzojë ose pësojë punën e të zgjedhurve.

Megjithatë, kësaj here mund të thuhet se humbëse janë këto firmat që bëjnë sondazhe dhe disa analistë e medie. Sepse sondazhet e as analizat politike nuk bëhen për inatë të dikujt ose për dëshirë të dikujt tjetër. Edhe kur paguhen nga kushdoqoftë duhet ta ruajnë integritetin dhe dinjitetin e tyre.

Analizat e prognozat duhet bërë me gjakëftoftësi dhe në bazë të dhënave. Maskarda e mbrëmshme i ka dëmtu goxha shumë. Do të ju duhet kohë derisa ta kthejnë besimin e qytetarëve.

Natyrisht ky rezultat do të ketë reflektim në nivelin e përgjithshëm ndonëse jo gjithsesi dhe jo tërësisht ngase në zgjedhjet e nivelit lokal shumë ndikon edhe kandidati, siç ishte rasti i Drenasit bie fjala, ku garuan dy kandidatë nga stoku i PDK’së dhe fitoi ai të cilin partia e tij e kundërshtoi”, deklaron ai për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *