POLITIKATË FUNDIT

“Pa flamuj të huaj dhe pa dhunë”, Kadri Kryeziu: Rikthimi i Listës Serbe ndodhi sipas kushteve të Republikës së Kosovës

Juristi Kadri Kryeziu ka komentuar rikthimin e Listës Serbe në komunat e veriut, duke theksuar se këtë herë “kutitë janë kthyer pa flamuj të huaj dhe pa dhunë”.

Ai kujtoi se kriza kishte nisur në nëntor të vitit 2022, kur zyrtarët serbë u tërhoqën vetë nga institucionet e Kosovës për shkak të urdhrave politike nga Beogradi, jo për çështjen e targave.

Sipas Kryeziut, Kosova nuk i dëboi, por mbajti shërbimet dhe organizoi zgjedhje të reja, ndërsa Beogradi reagoi me bojkot dhe dhunë, që kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë.

“Tani, qytetarët serbë votuan qetësisht dhe ligjërisht. Normaliteti u kthye përmes kutisë së votimit”, shkroi Kryeziu, duke shtuar se institucionet e Kosovës ruajtën besueshmërinë e shtetit.

Postimi i i plotë:

Dy vjet pas bojkotit – kutitë janë kthyer, pa flamuj të huaj, pa dhunë.

Lista Serbe është rikthyer në komunat e veriut — por këtë herë, sipas kushteve të Republikës së Kosovës, jo të Serbisë.

Mos harroni: kriza nisi në nëntor 2022, kur zyrtarët serbë u tërhoqën vetë nga policia, gjyqësia dhe komunat – jo për targa, por për urdhra politike që vinin nga Beogradi.

Kosova nuk i dëboi; ata u larguan.

Shteti mbajti shërbimet, thirri zgjedhje të reja, dhe Beogradi u përgjigj me bojkot e më pas me dhunë në Zveçan e Leposaviq.

Banjska ishte kulmi – një sulm terrorist që vrau policin Afrim Bunjaku dhe zbuloi rrjete që vepronin nga territori serb.

Gjatë gjithë asaj kohe, një fjali u përsërit pa pushim nga perëndimi:

“Të dyja palët duhet të de-përshkallëzojnë.”

Kjo nuk ishte balancë – ishte barazim mes ligjit dhe shkeljes.

Por Kosova nuk u dorëzua. Nuk u zbraps – as para kërcënimeve, as para shantazheve.

📅 Më 12 tetor 2025, qytetarët serbë të veriut votuan sërish – qetësisht, ligjërisht, pa mbikëqyrës të huaj.

Normaliteti u kthye përmes së njëjtës rrugë që dikur u quajt “eskalim”: përmes kutisë së votimit.

Çdo devijim, çdo zbrapsje para shantazhit të Serbisë do të kishte qenë dorëzim.

Institucionet e Kosovës – sado të brishta – ruajtën mundësinë e kthimit demokratik.

Dhe me të, besueshmërinë e shtetit.

Sot, kur Lista Serbe po rikthehet në komuna, mesazhi duhet të jetë i qartë:

➡️ Ato komuna janë të Republikës së Kosovës.

➡️ Aty vlejnë vetëm ligjet e Kosovës.

➡️ Nuk ka më kthim në anarki institucionale.

➡️ Nuk ka më qeverisje nominale e pa mbikëqyrje.

➡️ Nuk ka heqje të emrit “Republika e Kosovës” nga dokumentet zyrtare.

➡️ Nuk ka heqje të flamurit e stemës së shtetit nga institucionet tona.

Lexojini mirë këto fjalë.

Mbajini mend. 🇽🇰

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *