Dronë luftarakë kamikazë / Eksperti tregon goditjen që jep Kosova – ky është mesazhi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se kontejnerët me mijëra dronë luftarakë kamikazë Skydagger kanë mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
“Dhjetëra ushtarakë të FSK-së tashmë janë trajnuar për përdorimin e tyre. Këta dronë kamikazë, të njohur edhe si FPV të tipit RTF (Ready to Fly) Skydagger, të prokuruar nga ne, janë dronë luftarakë të pajisur me mjete shpërthyese me qëllim goditjen e objektivave lëvizëse dhe statike të armikut”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri Kurti.
E lidhur me këtë, eksperti i sigurisë Drizan Shala thotë se kjo është edhe një goditje ndaj çdo kërcënimi ndaj Kosovës.
“Mbërritja e dronëve kamikazë Skydagger në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’ shënon një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës. Në thelb, kjo nuk është thjesht një dërgesë teknologjike, por një deklaratë e qartë e vullnetit politik dhe ushtarak për të ndërtuar kapacitete reale të parandalimit dhe goditjes precize në çdo skenar të mundshëm kërcënimi”, thotë Shala.
Sipas Shalës, dronët që i erdhën Kosovës janë armë të luftës moderne.
“Në aspektin operativ, këta dronë FPV të tipit ‘Ready to Fly’ janë armë të luftës moderne – të shpejtë, fleksibël dhe të lirë në krahasim me platformat tradicionale. Ata e transformojnë çdo njësi taktike të FSK-së në një forcë goditëse inteligjente, të aftë për të neutralizuar objektiva strategjikë dhe lëvizës me rrezik minimal për trupat në terren. Kjo përbën një evoluim drejt luftës asimetrike moderne, ku teknologjia barazon terrenin mes forcave të vogla dhe aktorëve më të mëdhenj rajonalë”, shprehet Shala, sipas të cilit, përtej dimensionit ushtarak, mesazhi politik është edhe më i fuqishëm.
“Kosova po dëshmon se është e aftë të krijojë një arkitekturë mbrojtëse funksionale dhe moderne, duke mos pritur pafund për reagime ndërkombëtare në rast krize. Furnizimi nga Turqia konfirmon gjithashtu një bosht të ri të bashkëpunimit strategjik Ankara–Prishtinë, i cili nuk mbetet vetëm simbolik, por përkthehet në kapacitete konkrete në terren”, deklaron Shala për “Bota sot”.
“Kjo lëvizje dërgon sinjale të qarta drejt Beogradit: se epoka e imponimit ushtarak mbi Kosovën ka përfunduar dhe çdo aventurë destabilizuese do të ketë kosto të menjëhershme. Njëherazi, ajo përçon një mesazh qetësues për qytetarët: se shteti po ndërton mekanizma të besueshëm për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të parandaluar çdo ndërhyrje të huaj apo kërcënim të brendshëm. Megjithatë, fuqizimi teknologjik sjell edhe përgjegjësi të reja. Përdorimi i dronëve kamikazë kërkon disiplinë të lartë ushtarake, zinxhir komandues të qartë, kontroll parlamentar dhe bashkërendim me standardet e NATO-s për të shmangur keqpërdorime, incidente aksidentale apo interpretime të gabuara. Transparenca dhe profesionalizmi do të jenë kyçe në ruajtjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Kosovës”, shton eksperti Shala.
Më tej, Shala thekson se në plan rajonal, hyrja e këtyre dronëve ndryshon ekuilibrat e perceptimit të forcës në Ballkan.
“Kjo nuk është përshkallëzim, por barazim i mjeteve të parandalimit. Kosova po flet me gjuhën që kuptohet në rajon – atë të gatishmërisë. Dhe ky është një mesazh që, nëse kuptohet drejt, kontribuon në stabilitet, jo në tension. Në fund të ditës, Skydagger nuk është vetëm një dron. Është simboli i një Kosove që hyn në dekadën e re të sigurisë me vetëdije të lartë strategjike dhe me qëllim të qartë: të jetë zot i vetvetes në paqe, por edhe i gatshëm për çdo sfidë”, përfundon eksperti i sigurisë Drizan Shala.