TË FUNDIT

Historia si në filma e mërgimtarit: Dëbohet nga Zvicra, kthehet përmes martesës me rumunen

Historia si në filma e mërgimtarit: Dëbohet nga Zvicra, kthehet përmes martesës me rumunen

Një kosovar kryen një delikt në Zvicër dhe duhet të largohet nga vendi.

Vite më vonë ai kthehet falë një martese. Por a bëhet fjalë me të vërtetë për martesë nga dashuria? Adnani thotë se e do Lorenën dhe po ashtu Lorena thotë se e do Adnanin, trasnmeton albinfo.ch. Por pastaj në këtë mes paraqitet Pjetri…

Ka ndodhur në disko, në vitin 2013. Adnani bie në dashuri me Lorenën. Por të dashuruarit, të cilët në fakt kanë emra të ndryshëm, së shpejti do të ndahen.

31-vjeçari, Adnani, duhet të kthehet në Kosovë, ndërsa e dashura e tij, e cila është dy vjet më e madhe, qëndron e vetme në Zvicër, shkruan nzz.ch. Sigurisht, ata mbajnë lidhjet përmes telefonit.

Dhe kur Lorena e viziton Adnanin e saj në Kosovë për herë të parë në vitin 2016, ai i propozoi asaj martesën.

Gjashtë muaj më vonë, të dy martohen në Kosovë. Adnani zhvendoset te Lorena, në Zvicër, ku ata jetojnë të lumtur së bashku tani e tutje. Por, një gjë që tingëllon e ëmbël është kryesisht e sajuar. Flirti në disko ndoshta nuk ka ekzistuar kurrë. As dashuria. Martesa ishte vetëm për paraqitje, dyshojnë zyrtarët e Zyrës së Migracionit të Kantonit të Cyrihut.

Ata supozojnë se Adnani e ka marrë qëndrimin në Zvicër duke falsifikuar një lidhje martesore me Lorenën, përcjell albinfo.ch.

Për këtë arsye zyra e migracionit i hoqi Adnanit lejen e qëndrimit. Kështu që si do të duhej të kthehej në Kosovë. Por ai kundërpërgjigjet, ankohet në Gjykatën Administrative.

Vendimi i gjykatës administrative që tani është në dispozicion zbulon historinë e një personi që ka humbur disa mundësi për t’u integruar në Zvicër. Dhe opsioni i fundit i të cilit është një marrëdhënie me një grua, për jetën e së cilës ai nuk duket i interesuar.

Adnani kishte ardhur në Zvicër nga Kosova në vitin 1999, si i ri 17 vjeç që u bashkohet prindërve në kuadër të bashkimit familjar. Në moshën 21-vjeçare ai u gjend për herë të parë para një gjykate në Cyrih: për grabitje, vjedhje, dëmtim të pronës dhe shkelje të ligjit. Gjykata e Lartë e pati dënuar atë me 18 muaj burg dhe dëbim nga vendi për pesë vjet – por, të dyja me kusht, transmeton albinfo.ch. Kështu, Adnanit i jepet një shans i dytë.

Por, në vitin 2005 ai përballet sërish me gjyqin. Tashmë në Aargau, dhe kësaj radhe lista e delikteve është edhe më e gjatë: grabitje, vjedhje, dëmtim prone, shkelje e qetësisë publike dhe ngasje e automjetit pa leje drejtimi. Adnani kësaj radhe dënohet me dy vjet e nëntë muaj burg (efektiv, kësaj radhe).

Tri javë më vonë ai kthehet në Kosovë. Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) gjithashtu i shqipton atij ndalimin e hyrjes në Zvicër, me kohëzgjatje të pacaktuar. Por Adnani nuk dorëzohet. Në vitin 2013 ai udhëton për në Zvicër me një letërnjoftim fals. Por këtu ai kapet dhe kthehet në Kosovë.

Është fillimi i një historie plot kontradikta. Në atë kohë ai kishte thënë se kishte hyrë në vend më 23 dhjetor. Ndërsa vite më vonë ai do të tregojë se Lorenën e ka takuar në nëntor të vitit 2013 në një diskotekë në Zvicër – në një kohë kur, (herën e parë) kishte thënë se ishte në Kosovë. Kjo është mospërputhja e parë, lista e të cilave vazhdon.

Më 1 janar 2017, SEM hoqi ndalimin e hyrjes ndaj Adnanit. Disa muaj më vonë, në mars 2017, ai u martua me Lorenën në Kosovë. E lindur në Rumani, ajo ka një leje qëndrimi në Zvicër. A është dashuri apo thjesht duket si dashuri?

Nëse Adnani dhe Lorena u martuan vetëm që Adnani të merrte një leje qëndrimi, atëherë ata kanë kryer një delikt. Kushdo që lidh, ndërmjetëson ose promovon një martesë me favore në Zvicër mund të dënohet me burgim deri në tre vjet ose me gjobë, transmeton albinfo.ch. Kushdo që me këtë rast fiton të holla, rrezikon një dënim me burg deri në pesë vjet.

Kantonet dhe zyrat komunale të gjendjes civile raportojnë rreth pesëdhjetë raste të dyshimta në SEM çdo vit. “Është shumë e vështirë të provosh se është një martesë e rreme,” thotë Reto Kormann, zëdhënës në SEM. Megjithatë, ka indikacione që mund të tregojnë për një martesë fitimprurëse. Zyrtarët alarmohen në rastet kur migrantët, pasi janë larguar nga Zvicra për shkak dëbimit, papritmas duan të martohen me një pensionist/e të invaliditetit.

Ose për personat që tashmë janë martuar në vendin e tyre të origjinës dhe aplikojnë për bashkim familjar pasi të kenë marrë pasaportën e tyre zvicerane, përcjell albinfo.ch. Një rast të tillë për të dyshuar ofrojnë edhe Adnani dhe Lorena.

Në një mbrëmje gushti 2020, policët i ranë ziles së banesës së çiftit. Adnani është i vetëm, apartamenti pothuaj i pamobiluar. Pa u pyetur nga policët, ai fillon të ta kthejë kanapenë (divanin) në krevat dhe t’u tregojë policëve ato pak rroba që gruaja e tij kishte në dollap. Policët vërejnë: “Kjo e fundit tregon se ai po priste një inspektim dhe ishte përgatitur në përputhje me rrethanat”.

Të nesërmen, Adnani dhe Lorena merren në pyetje, veç e veç. Ata flasin ndryshe nga njëri-tjetri kur bëhet fjalë për ritualet e mëngjesit, pozicionet e gjumit dhe dhuratat e ditëlindjes. Edhe pse thuhet se janë në një lidhje prej shtatë vitesh, Adnani nuk e di emrin e vëllait të Lorenës.

Dhe gjithashtu japin informacione të ndryshme për blerjen e unazave të martesës, dhuratat e dasmës, etj. Ndërsa Lorena thotë se prindërit e Adnanit ishin të pranishëm në dasmë, ai shprehet se Lorena i ka takuar prindërit e tij vetëm në vitin 2019, dy vjet pas dasmës.

Në fakt, të dyja mund të jenë të gabuara. Lorena duhet t’i njihte prej kohësh prindërit e saj: në vitin 2017 ata ishin fqinjë, banonin pranë njëri-tjetrit në të njëjtin kat të një ndërtese në Cyrih. Çifti u përpoq ta mbulonte këtë rrethanë – ndoshta duke ditur se mund të dukej e dyshimtë; Martesat e interesit shpesh ndërmjetësohen në rrethe të njohurish.

Në janar të vitit 2021, në orën 5:55 të mëngjesit, policia cingërroi sërish në banesën e çiftit. Askush nuk e hapi derën këtë herë. Adnani vjen vetëm më vonë, kur e thërret policia për ta bërë këtë. Dhe Lorena është krejtësisht tjetërkund. Tek Pjetri.

“Pastruese” me pizhame

Policët takojnë Lorenën me pizhame gjatë një kontrolli që kryhet në të njëjtën kohë në banesën e Pjetrit. Në banesë zyrtarët gjejnë edhe deklarata, fletëpagesa dhe ekstrakte nga regjistri i arkëtimit të borxhit që i përkasin Lorenës, si dhe veshje femrash, çanta dore etj.

Arsyetimi se Lorena punon si pastruese e Pjetrit nuk i bind zyrtarët, përcjell albinfo.ch. Ata arrijnë në përfundimin se martesa mes Adnanit dhe Lorenës ishte kryesisht për qëllimin e anashkalimit të rregullave të emigracionit.

Ankesa e Adnanit u hodh poshtë nga Gjykata Administrative. Tani ai e ka çuar çështjen në Gjykatën Federale. Vendimi është në pritje.

Aktgjykimi VB.2022.00158 i datës 15 qershor 2022, ende nuk është i formës së prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *