OPINIONTË FUNDIT

Sinjal Alarmi: Premtimet e Vuçiqit për vende pune në Kosovë – ndërhyrje në sovranitet, kërkohet reagim më i ashpër

Aleksandar Vuçiq, disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka dalë me një premtim të bujshëm drejtuar komunitetit serb që jeton në Kosovë.

Ai ka deklaruar se në dhjetë ditët e ardhshme, Serbia do të hapë rreth 400 vende të reja pune në sektorin e shëndetësisë, konkretisht në territorin e Kosovës.

Ndaj kësaj ka reaguar Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë duke bërë premtime për vende pune dhe përfitime financiare.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Makolli: Një sfidë për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës

Njohësi i politikës, Vesel Makolli, ka deklaruar se Serbia ende nuk e pranon realitetin e Kosovës si shtet i pavarur, të mbrojtur nga NATO dhe SHBA.

Ai theksoi për “Bota Sot” se Beogradi po përdor çdo mjet për të minuar shtetësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke ndërhyrë edhe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit

Sipas tij, Serbia nuk ka respektuar asnjë marrëveshje të arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga faktori ndërkombëtar, por vazhdon të tentojë ta dobësojë pavarësinë dhe proceset demokratike të Kosovës.

“Serbia vazhdon të mos e pranojë realitetin që Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga mbi 120 shtete të botës, sovranitetin e të cilës e mbron NATO dhe SHBA, dhe se nuk zgjedh mjete për ta minuar finalizimin e shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke ndërhyrë në punët e brendshme të shtetit fqinj, në këtë rast duke ndërhyrë në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Dihet botërisht që Serbia nuk e ka respektuar asnjë marrëveshje që janë arritur në bisedimet e organizuara nga faktori ndërkombëtar dhe të monitoruara nga ta, për të arritur marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke; përkundrazi, ka bërë tentativa të ndryshme për ta minimizuar pavarësinë e Kosovës dhe të arriturat e saj në proceset zhvillimore dhe demokratike, drejt integrimit në NATO dhe BE”, deklaron ai.

ImageNjohësi i politikës, Vesel MakolliFoto galeri
Tutje, Makolli ka theksuar se Qeveria serbe po përpiqet të ndikojë tek votuesit serbë në Kosovë përmes premtimeve për punësim dhe përfitime financiare, duke ushtruar presion që bie ndesh me parimet demokratike.

Ai tha se kjo nuk është hera e parë që Serbia përpiqet të ndërhyjë në proceset zgjedhore në Kosovë, veçanërisht në komunat me shumicë serbe.

Sipas tij, kjo ndërhyrje përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe demokracinë e vendit.

Prandaj, Makolli kërkon që institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtarë, të monitorojnë nga afër zgjedhjet e 12 tetorit dhe të denoncojnë publikisht çdo ndërhyrje që cënon vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Qeveria serbe përpiqet të ndikojë mbi votuesit serbë në Kosovë përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare, duke përdorur mekanizma presioni dhe kontrolli që bien ndesh me parimet demokratike dhe me të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm.

Kjo situatë nuk është e re, pasi përpjekjet për të ushtruar ndikim politik në zonat me shumicë serbe në Kosovë, sidomos kur kemi të bëjmë me zgjedhjet në Kosovë, kanë ekzistuar edhe në të kaluarën

Kjo lloj ndërhyrjeje nuk është thjesht një çështje politike, por edhe një sfidë për sovranitetin dhe demokracinë e Kosovës.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të jenë vigjilente dhe të monitorojnë me kujdes procesin zgjedhor, duke garantuar që qytetarët të votojnë në mënyrë të lirë, pa frikë apo ndikim të jashtëm. Për më tepër, është thelbësore që kjo çështje të trajtohet jo vetëm si një problem i momentit, por si një sinjal alarmi për nevojën e forcimit të institucioneve demokratike dhe të sigurisë në vend.

Qeveria dhe institucionet e tjera relevante duhet të angazhohen në mënyrë aktive dhe në koordinim të plotë me miqtë tanë ndërkombëtarë, veçanërisht me nunin e pavarësisë sonë – SHBA-të, për të denoncuar ndërhyrjet në zgjedhjet lokale, sidomos në pjesën veriore të vendit, për të mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për ta ngritur rejtigun në skenën ndërkombëtare”, përfundon ai për “Bota sot”

Lama: Ndërhryja është e papranueshme

Analistja politike, Alma Lama, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se kjo është ndërhyrje e papranueshme e shtetit serb në fushatë, duke përkrahur vetëm një subjekt politik.

ImageAnalistja politike, Alma LamaFoto galeri
“Kjo është ndërhyrje në fushatë nga ana e shtetit serb, duke përkrahur vetëm një subjekt politik, dhe është e papranueshme. Mirëpo, as z. Kurti nuk e ka respektuar standardin e mosndërhyrjes në zgjedhje në shtete të tjera. Ai këtë e ka bërë në Shqipëri, Maqedoni dhe Luginën e Preshevës, duke marrë pjesë drejtpërdrejt ose duke përkrahur kandidatë të caktuar. Pra, në një farë mënyre, e ka legjitimuar edhe ndërhyrjen e Serbisë. Kështu që z. Kurti nuk tingëllon i besueshëm dhe askush nuk e merr më seriozisht në ato që thotë”, shprehet Lama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *