Tri lajme amerikane që mediat tona i mbyllën “në kuti”! Pse?
Të tria këto lajme u anashkaluan nga mediet shqiptare. Sepse këto medie nuk duan të përçojnë lajme optimiste për shoqërinë tonë, në rastin konkret për Kosovën.
Tri lajme të rëndësishme të ditëve të fundit që vijnë nga Amerika nuk gjetën vend së paku aq sa duhet në mediet e Kosovës e më gjerë. Këto tri lajme janë:
I pari: Instituti amerikan për strategji dhe politika “New Lines Institute” ka publikuar së fundmi një raport mbi marrëdhëniet Kosovë-SHBA në çerek shekullin e fundit. Në raport thuhet se roli i SHBA-ve në Kosovë ka kaluar nga mbështetje për krijimin e një shteti të ri në një pozicion mbikëqyrës të një status quo të paqëndrueshme. Aty Kosova vlerësohet si “shteti më demokratik në Ballkanin Perendimor”, çka legjitimon shtetin e ri të krijuar me ndihmën e SHBA-ve.
Por ajo që bie në sy ka të bëjë me një rekomandim shumë interesant. Raporti shkruan se SHBA duhet të trajtojnë partinë Vetëvendosje qoftë në pushtet apo në opozitë si një partner të vërtetë, duke njohur pikëpamjet e saj për interesat sovrane të Kosovës. “Uashingtoni do të bënte mirë të përdorte mësimet e diplomacisë së tij të kaluar në Kosovë për të përmirësuar qasjen ndaj qeverisë së Prishtinës në të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet në raport.
Shkurt: Ky raport thotë se: -Uashingtoni duhet ta trajtoj Vetëvendosjen si partner i vërtetë; – SHBA duhet të aplikojë standarde të barabarta ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke i dhënë fund perceptimit se autoritarizmi i Beogradit injorohet ndërsa Prishtina kritikohet. Dhe se – SHBA-të duhet të angazhohen për një shoqëri civile dhe medie të pavarur.
Lajmi i dytë: Menjëherë pas publikimit të raportit të lartpërmendur dy senartorë amerikanë, Tom Hillis dhe Jeanne Shaheen, paraqitën një amadament për forcimin e rolit të SHBA-ve në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Senatorët fillimisht rekomandojnë që të zbatohet marrëveshja e Brukselit e 27 shkurtit 2023 me ndërmjetësimin e BE-së. Më pas kërkojnë krijimin e dialogut amerikan strategjik me Kosovën dhe me Serbinë, si dhe një nismë konkrete për thellimin e marrëdhënieve ekonomike. Por me rëndësi është amandamenti që detyron SHBA-të që të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke.
Më tej thuhet se Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, të bazuar në njohje reciproke. Dhe në fund ata rekomandojnë që Shtetet e Bashkuara „ Të mos ndjekë asnjë politikë që mbështet shkëmbime territoresh, ndarje ose forma të tjera të rishkrimin e kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor si mënyrë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të rajonit; dhe Të mbështesë demokracitë pluraliste në vendet e Ballkanit Perëndimor, si një mënyrë për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike që kanë karakterizuar më parë rajonin.
Dhe lajmi i tretë ishte ai që kishte të bënte me ambasadorin e nominuar Marko Brnoviq për në Serbi. Administrata e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka tërhequr nominimin e Marko Brnoviq për ambasador në Serbi.
Të tria këto lajme u anashkaluan nga mediet shqiptare. Sepse këto medie nuk duan të përçojnë lajme optimiste për shoqërinë tonë, në rastin konkret për Kosovën. Sepse mediet tona janë medie mercenare që nuk kanë nerv dhe nuk promovojnë interesat tona kombëtare. Sepse mediet tona janë investuar prej pesë vitesh për të lansuar tezat e narrativës serbe për Kosovën. Madje deri te kritika në modelin e Vuçiq të marrëveshjes ushtarake midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Mercenarizmi është shkaku kryesor i vetëvrasjes sonë.
Lajme si këto, të cilat dëshmojnë se edhe amerikanët i njohin përgjegjësitë e tyre në marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës, ishin ngjarja më e madhe e këtyre kohëve. Madje ishin lajme shprese, se Kosova do të rimarrë vëmendjen e e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, madje në mbështetje të objektivave të lidersihit të Kosovës për mbrojtjen e territorit. Ndërkohë që Serbia goditet rëndë me tërheqjen e niminimit të amdasadorit me origjinë serbe si ambasador në Beograd i SHBA-ve!