Rasti në Koshare, shqetësim për sigurinë kombëtare: Oso Ferizi kërkon hetim të thelluar
Në Kosovë, ligji duhet të zbatohet pa paragjykime dhe kjo e dallon shtetin tonë nga praktikat e Serbisë, ku shpesh shqiptarë arrestohen e mbahen në paraburgim vetëm pse mbajnë një flamur, një simbol kombëtar, apo emblemë të UÇK, apo edhe për shkak të akuzave të fabrikuara, madje edhe kur kanë qenë të mitur gjatë kohës së luftës
Ditë më parë, Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë Kufitare në Ponashec ka arrestuar dy shtetas serbë në Koshare, ku njëri prej tyre raportohet të jetë ushtar aktiv në Serbi.
Gjatë kontrollit, policia u ka gjetur dy të dyshuarve, babë e bir, uniforma, simbole nacionaliste dhe emblema të ndryshme të Serbisë. Po ashtu, u është konfiskuar edhe vetura me të cilën po lëviznin.
Por, pavarësisht kësaj, nga Policia e Kosovës u bë e ditur se dy serbët e arrestuar në Koshare u liruan, pasi siç u tha pas konsultimit me prokurorinë e shtetit, nuk është gjetur ndonjë element i ndonjë shkelje ligjore, dhe të njëjtit janë liruar.
Këtë ngjarje për gazetën “Bota sot” e ka komentuar Oso Ferizi, njëri nga ish-bashkëluftëtarët e Heroit Sali Çekaj.
Ferizi e ka cilësuar rastin si “serioz për sigurinë kombëtare dhe respektimin e ndjeshmërisë historike të vendit tonë”.
“Rasti i ndalimit të dy shtetasve serbë në Koshare, ku njëri prej tyre raportohet të jetë ushtar aktiv në Serbi dhe iu janë gjetur uniforma, simbole nacionaliste dhe emblema të shtetit serb, përbën një situatë serioze për sigurinë kombëtare dhe për respektimin e ndjeshmërisë historike të vendit tonë. Në Kosovë, ligji duhet të zbatohet pa paragjykime dhe kjo e dallon shtetin tonë nga praktikat e Serbisë, ku shpesh shqiptarë arrestohen e mbahen në paraburgim vetëm pse mbajnë një flamur, një simbol kombëtar, apo emblemë të UÇK, apo edhe për shkak të akuzave të fabrikuara, madje edhe kur kanë qenë të mitur gjatë kohës së luftës”, është shprehur ai.
Sipas Ferizit, duhet theksuar se prania e tyre në Koshare nuk mund të shihet si rastësi.
“Aty është zhvilluar një nga betejat më të mëdha e të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe për ne, Kompleksi Memorial i Koshares është vend i shenjtë. Dyshimi i natyrshëm është se ata mund të kenë pasur synime për të provokuar ose përdhosur këtë vend”, nënvizoi ai.
Në fund, Ferizi theksoi se lirimi i të dyshuarve pa një hetim të thelluar dhe pa u siguruar se do të jenë të qasshëm për drejtësinë, është i papranueshëm.
“Për këtë arsye, lirimi i tyre pa një hetim të thelluar dhe pa u siguruar që do të jenë të qasshëm për drejtësinë, është i papranueshëm. Kosova duhet të jetë e drejtë, por edhe vigjilente — sepse siguria e vendit dhe dinjiteti i sakrificës sonë nuk guxojnë të vihen në rrezik.”, përfundoi Oso Ferizi.