TË FUNDIT

Si eskaloi në britma ministrja Haxhiu ndaj Hisen Berishës: Mbylle gojën, mbylle

Si eskaloi në britma ministrja Haxhiu ndaj Hisen Berishës: Mbylle gojën, mbylle

Seanca e djeshme në Kuvendin e Kosovës nuk ka shkuar pa debate të ashpra mes pozitës dhe opozitës.

Ishte deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ai i cili hapi diskutimin për zhdukjen e mostrave të ish-aktivistit Astrit Dehari, i cili ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, deri në vitin 2016 kur u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Prizren, ku po mbahej në paraburgim nën dyshimin për sulmin me zollë ndaj objektit të Presidencës dhe Kuvendit të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Berisha ka deklaruar para deputetëve që partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, po i konvenon të mos e zbardh rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Interesi i politikës në këtë rast Qeverisë, Lëvizjes Vetëvendosje, është që ky rast të mos zbardhet. Andaj ky rast nuk është zbardhur që nga viti 2019, prej kur Vetëvendosje ka ardhur në pushtet”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka thënë se për tu zbuluar rasti Dehari, janë dy parakushte.

“Parakushti i parë për me u zbardh rasti i Astritit, duhet të zbardhet rasti i sulmit terrorist ndaj Presidencës. Parakushti i dytë është të zbardhet rasti i vetëvrasjes së Arbënorit (vëllait të Astritit). Cilat ishin motivet që shtynë në vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, nuk është përmendur ky rast, por duhet të diskutohet”, ka deklaruar Berisha.

Deputeti i PDK-së ka thënë se nuk e di cili është motivi që rrugët në kryeqytet të emërohen në emër të vëllezërve Dehari.

“Indikative mbetet po ashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me mbiemrin e vëllezërve Dehari. E unë e pyes se cili ishte roli i tyre? A e bëtë për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusni në histori? Së fundi ndodhi edhe vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marr përgjegjësi, që i bie tavolinës, ajo filloi me akuzu prap opozitën. Më vjen keq që e hap këtë temë para bacës Avni, por e di që Astriti ishte kundër marrëveshjeve që ju sot po i diskutoni (Zajednicës)”, ka deklaruar Berisha.

E deklaratat e deputetit të opozitës nxitën reagime nga deputetët e mazhorancës të cilët për të penguar fjalën e tij nisën të godisnin tavolinat.

Deputetëve iu bashkangjit edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila së bashku me ta godiste tavolinën dhe kërkonte vazhdimisht nga kryeparlamentari Glauk Konjufca që t’ia ndal fjalën deputetit Berisha.

Pasi mbaroi, debati mes ministres Haxhiu dhe deputetit Berisha ka vazhduar edhe nga ulëset e tyre.

Haxhiu ka “eskaluar” në deklarata duke thënë se po të kishte mundësinë, me ligj do t’ua ndalonte fjalën deputetëve të partive opozitare për rastin Dehari.

Në një moment, ajo i është drejtuar Berishës me fjalët “mbylle gojën, mbylle”.

“Nuk bon me fol qa ti teket ktij”, tha ndër të tjerash Haxhiu.

Ishte kryeparlamentari Konjufca ai i cili kërkoi qetësi nga deputetët dhe ministrja në sallë, në mënyrë që të vazhdojë seanca. /Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *