OPINIONTË FUNDIT

Edi Rama dhe ‘fletorja e punëve të shtëpisë’: A po e relativizon ai agresionin serb?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar se Kosova duhet të përqendrohet në përmbushjen e kërkesave të Bashkimit Evropian, pa u ndalur te qëndrimet apo veprimet e Serbisë. Deklarata e tij u bë gjatë konferencës “Shqipëria, Horizonti i Ri”, mbajtur në Vjenë, ku morën pjesë sipërmarrës nga mbi 25 vende të botës.

I pyetur në lidhje me iniciativën “Ballkani i Hapur” dhe procesin e dialogut Kosovë–Serbi, Rama u shpreh i zhgënjyer për mungesën e progresit. Ai theksoi se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ka dështuar për shkak të një formati të gabuar, por thelbësore, sipas tij, mbetet që Kosova të bëjë përparimin e vet, pavarësisht qëndrimit të Serbisë.

“Kosova nuk duhet të mendojë Serbinë, nuk duhet të shohë Serbinë, nuk duhet t’ia dijë çfarë bën Serbia. Duhet të bëjë detyrat e veta dhe t’ia dorëzojë Bashkimit Evropian fletoren e plotë të punëve të shtëpisë,” – deklaroi Rama.

Ai theksoi se procesi i integrimit evropian nuk ka të bëjë me pranimin e kërkesave të Serbisë, por me plotësimin e kushteve të vendosura nga BE-ja.

Rama paralajmëroi se nëse Kosova nuk e ndjek këtë qasje, rrezikon të vetëizolohet gjithnjë e më shumë:

“Është në interesin e Kosovës të ecë përpara, pa u kushtëzuar me reagimet e Serbisë. Nëse nuk e bën këtë, do të vazhdojë të izolojë veten, dhe kjo është për të ardhur keq.”

Por, ndryshe nga Rama mendon analisti në Shqipëri, Ilir Vata, i cili konsideron se Kosova është në rrugë të mbarë sa i përket sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve.

Sipas tij, deklarata e Ramës nuk prek thelbin e çështjes.

Ai kërkon që Rama dhe Kurti të vendosin shina të përbashkëta kombëtare.

“Kosova është në rrugë të mbarë për sa i përket sundimit të ligjit dhe sigurisë së qytetarëve, këtë e treguan edhe sondazhet ndërkombëtare. Ajo që thotë Kryeministri i Shqipërisë, Rama, është një zhargon në tërësi, por jo një gjë konkrete. Serbia është ajo që provokon në veri të Kosovës; dy vjet më parë inicioi një masakër, ku banda terroriste sulmuan jetë qytetarësh dhe sigurinë e qytetarëve. Pra, deklarata e Ramës është tangente, nuk prek thelbin e çështjes, garancinë institucionale dhe territoriale të Kosovës. Fakti se Kurti dhe Rama janë më larg se asnjëherë në historinë e dy shteteve shqiptare tregon se njëri nga palët është kundër interesave të shqiptarëve në tërësi, sepse garancia e Kosovës është njëherazi garancia e Shqipërisë. Në këtë kuptim, Kurti dhe Rama lënë për të dëshiruar, njëri i bie thumbit dhe tjetri patkoit. Mendoj se deklarata e Ramës nuk ka asgjë të re për Kosovën dhe duhet të ndryshojë qasje, si Rama dhe Kurti, duke vendosur shina të përbashkëta kombëtare”, deklaron Vata.

ImageIlir VataFoto galeri
Sipas tij, Kosova është në rrugën e duhur të integrimit dhe duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Për sa i përket integrimit të Kosovës në BE, kemi të bëjmë me një platformë të qartë – dialogun me Serbinë – dhe është thelbësor, por ajo që duhet të lëshojë pe është Serbia, pasi ajo provokon dhe derdh para lum për të ndaluar njohjen e Kosovës. Ky është kursi i gabuar që ndjek Vuçiq, pra parë në tërësi, Presidenti i Serbisë po bën Sllobodanin në një version tjetër. Serbia nuk do të bëhet pjesë e BE-së pa njohur Kosovën. Dyfytyrësia serbe nuk e bën Serbinë perëndimore, por një shtet mostër që provokon destabilitetin e rajonit. Por parë në kontekstin e madh, lidhur edhe me Shqipërinë, dyfytyrësia serbe nuk duhet të jetë dyfytyrësi shqiptare. Kosova është në rrugën e duhur të integrimit dhe duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë pa kushte, pa cënimin e sovranitetit të saj”, shprehet analisti.

Ai thotë se qëndrimi zyrtar i Tiranës në dialogun Kosovë- Serbi ka qenë neutral dhe se ajo do të duhej të ishte në anën e Kosovës.

“Për sa i përket deklaratës së Ramës se dialogu ka dështuar për shkak të formatit të gabuar, mendoj se qëndrimi zyrtar i Tiranës ka qenë neutral – as mish, as peshk, thonë shqiptarët – ku në të vërtetë Tirana zyrtare duhet të ishte në anën e Kosovës. Ajo që Kurti duhet të bëjë është të akordojë tingujt me Perëndimin, shtetet që mbështesin Kosovën për pavarësi, pa prekur sovranitetin e garantuar nga pavarësia, dhe Rama të bëhet një me Kosovën dhe të lobojë për një dialog pa prekur sovranitetin e Kosovës. Koha do të tregojë se në çështjen e madhe shqiptare ka një Hamzë, si në rastin e Skënderbeut, larg në mesjetë”, përfundon Vata.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *