Kuvendi në duart e Listës Serbe? Kryeziu jep paralajmërimin e “frikshëm” për vendimin e Kushtetueses më 30 shtator!
Me datën 30 shtator përfundon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, pas kërkesës së Listës Serbe lidhur me mënyrën e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
E në lidhje me këtë ccështje, përmes një postimi në Facebook ka reaguar juristi Kadri Kryeziu.
Sipas tij, vendimi që do të marrë Kushtetuesja do të përcaktojë nëse Kosova do të mbetet një shtet funksional apo do të hyjë në një krizë të re politike dhe institucionale.
Kryeziu tha se, pretendimet e Listës Serbe ndahen në dy kategori: një ankesë për procedura të gabuara – që ai e konsideron legjitime dhe të zgjidhshme – dhe një kërkesë shumë më problematike, që sipas tij përbën “shantazh kushtetues”.
“Lista Serbe pretendon se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa përfaqësuesin e tyre në seancën e parë. Nëse pranohet kjo tezë, atëherë shteti mbetet peng i një ulëseje të garantuar”, shkruan Kryeziu.
Krahas kësaj, ai vlerëson se nëse Gjykata Kushtetuese do t’i jepte të drejtë këtij pretendimi, pasojat do të ishin të rënda për funksionimin demokratik të vendit.
“Çdo legjislaturë mund të bllokohet nga një grup i vetëm politik. Kjo nuk është vetëm një çështje juridike – është një kërcënim për stabilitetin dhe demokracinë e Kosovës”, tha ndër të tjera Kryeziu, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Kur Kushtetuta vërshohet nga vetoja
Më 30 shtator 2025 skadon masa e përkohshme e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, si përgjigje ndaj kërkesës së Listës Serbe. Ky është momenti i së vërtetës: a do të mbetet Kosova shtet funksional, apo do të futet në një spirale paralize të pafundme?
Çfarë po kërkon Lista Serbe?
Dy gjëra:
• Së pari, ankohet për procedura të gabuara. Ky është shqetësim i ligjshëm dhe mund të trajtohet.
• Por së dyti – dhe më e rrezikshmja – pretendon se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa u zgjedhur përfaqësuesi i tyre në seancën e parë. Ky është shantazh kushtetues. Nëse pranohet, Kosova mbetet peng i një ulëseje të garantuar.
Një narrativë e rreme
Nëpër korridoret diplomatike po qarkullon ideja se Kosova po kufizon të drejtat e serbëve. Madje disa e përshkruajnë sikur shteti po shkel themelet mbi të cilat u njoh pavarësia. E vërteta është krejt tjetër: të drejtat e komuniteteve jo-shumicë – e drejta për të emëruar një zëvendëskryetar, përfaqësimi i plotë dhe barazia para ligjit – nuk janë cenuar kurrë. Askush nuk po ua heq këto të drejta. Ato janë të mbrojtura nga Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisarit.
Ku është rreziku i vërtetë?
Rreziku është në keqinterpretimin e Kushtetutës. Nëse i jepet e drejtë pretendimit për veto, atëherë çdo legjislaturë mund të bllokohet nga një grup i vetëm politik. Shteti nuk do të funksiononte më. Dhe ky nuk është vetëm një problem juridik – është një kërcënim për stabilitetin dhe demokracinë e Kosovës.
Çfarë duhet të thotë Gjykata Kushtetuese?
Disa gjëra të thjeshta e të qarta:
1. Kushtetuta nuk njeh veto procedurale. Kuvendi duhet të mund të konstituohet edhe pa një zëvendëskryetar të vetëm.
2. Procedurat e gabuara duhen korrigjuar, sepse kjo tregon seriozitetin e shtetit ndaj të drejtave të komuniteteve jo-shumicë.
Ky është balanci që e ka projektuar Ahtisari: pjesëmarrje pa veto, funksionalitet pa paralizë.
Dhe nëse ndodh më e keqja?
Nëse Gjykata Kushtetuese, Zoti mos e dhëntë, do t’i jepte Listës Serbe një veto mbi konstituimin e Kuvendit, një vendim i tillë do të ishte i paligjshëm – pa bazë në Kushtetutë, pa bazë në Pakon e Ahtisarit, pa bazë në praktikën e Komisionit të Venecias, madje as në vendimet e mëhershme të vetë Gjykatës Kushtetuese.
Një akt i tillë nuk do të ishte drejtësi, por kapitullim. Dhe populli i Kosovës nuk do ta pranonte kurrë që shteti i tyre të kthehet peng i një vetoje që nuk ekziston askund në rendin kushtetues.