OPINIONTË FUNDIT

Hoxha shqiptar në paradën ushtarake të Beogradit/ Shala: Tre mesazhet që dërgoi Serbia

Të shtunën në Beograd u mbajt parada ushtarake, të cilën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e prezantoi si një dëshmitë të forcës.

Por vëmendje mori prezenca e Nexhmedin Saqipit, hoxhës nga Tërnoci i Madh.

Vet hoxha ka dalë me një deklaratë, duke arsyetuar pjesëmarrjen e tij në paradë ushtarake.

“Si autoriteti më i lartë fetar i myslimanëve në kuadër të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, ndjej detyrim moral dhe njerëzor që të shpreh qartë vizionin tim mbi çështjen e Luginës së Preshevës.

Do të bëj çmos për ta shfrytëzuar këtë pozitë për të ndikuar në të gjitha qarqet shtetërore të Serbisë, që çështja e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të orientohet në dobi të të drejtave të tyre legjitime”, ka thënë vet hoxha në një deklaratë publike.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për “Bota sot”, ka analizuar çështjen duke thënë se kjo “nuk është një akt spontan ceremonial, por pjesë e një strategjie të menduar të Beogradit”.

Sipas tij, me këtë veprim Serbia dërgon disa mesazhe paralele.

“Parada ushtarake në Beograd, e shoqëruar me prezencën e një hoxhe shqiptar nga Lugina e Preshevës, nuk është një akt spontan ceremonial, por pjesë e një strategjie të menduar të Beogradit. Serbia po përpiqet të ndërthurë fuqinë ushtarake me simbolikën fetare dhe etnike, për të dërguar disa mesazhe paralele.

E para, brenda Serbisë – Vuçiq synon të tregojë se ‘edhe shqiptarët e Luginës janë pjesë e projektit të tij shtetëror’, duke tentuar ta zbusë perceptimin e diskriminimit.

E dyta, në nivel rajonal – Beogradi po përdor simbole fetare për të krijuar iluzionin e një bashkëjetese të pranueshme, ndërkohë që realiteti është krejt tjetër, me mosnjohje të të drejtave elementare të shqiptarëve në Serbi.

E treta, në dimensionin doktrinar – kjo është pjesë e një strategjie rajonale të ndikimit, që shkon paralelisht me doktrinën e re të NATO-s për regjionalizëm. Ndërsa NATO po krijon arkitekturë sigurie mbi bazën e rajoneve dhe partneriteteve, Serbia po tenton të krijojë një ‘narrativë alternative rajonale’, ku edhe shqiptarët përfshihen si dekor, për të sfiduar integrimin e tyre real në hapësirën euro-atlantike.

Në këtë kuptim, pjesëmarrja e një hoxhe shqiptar në një paradë ushtarake serbe nuk ka lidhje me komunitetin si të tillë, por është një operacion simbolik i Beogradit për të legjitimuar narrativën e tij dhe për të dërguar mesazhe politike drejt NATO-s e BE-së.

Ky veprim duhet parë si pjesë e strategjisë hibride të Serbisë, e cila përpiqet të ushtrojë ndikim tek shqiptarët në Serbi përmes simboleve, ndërkohë që në praktikë synon të pengojë integrimin rajonal të tyre brenda kornizës euro-atlantik”, analizon Shala për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *