Kurti kujton Abdi Baletën: Ai vijoi të komentonte zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe në botë, në shkrimet e tij
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të Abdi Baletës, një nga figurat më të njohura të politikës shqiptare dhe një intelektual i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare
Në një reagim prekës në Facebook, Kurti vlerësoi rëndësinë dhe ndikimin e madh që Baleta pati përmes veprimtarisë së tij publicistike, veçanërisht në gazetën Bota Sot të Prishtinës, ku ai vazhdoi të japë mendimet dhe analizat e tij për zhvillimet politike dhe kombëtare.
“Abdi Baleta ishte një nga zërat më të fuqishëm që mbrojti identitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, dhe gazetën Bota Sot e përdori si një platformë të fuqishme për të ndikuar në mendimin politik dhe publik”, shkroi Kurti.
Ai kujtoi se Baleta u bë më i njohur për publikun shqiptar pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, edhe pse disa e njihnin më herët kur përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Postimi i plotë:
Abdi Baleta ishte një nga emrat e politikanëve që shqiptarët e Kosovës e mësuan sapo në Shqipëri ra regjimi komunist. Disa e kishin emër të dëgjuar edhe më parë, kur ai përfaqësonte Shqipërinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa për publikun e gjerë ai u bë i njohur me fjalimet në Kuvendin e Shqipërisë dhe me shkrimet në shtyp, që si kryetemë kishin çështjen e pazgjidhur shqiptare. Ishte një zë që spikaste për nga forca e argumentimit dhe vendosmëria me të cilën mbronte identitetin kombëtar dhe të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje dhe bashkim kombëtar.
Abdi Baleta ishte një nga njohësit e thellë të ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhave të gjeopolitikës. Një pjesë të shkrimeve të viteve 1990 për Kosovën i botoi në librin Kosova: Nga Dejtoni në Rambuje. Ai vijoi të komentonte zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe në botë, në shkrimet e tij në gazetën Bota Sot të Prishtinës, në Rimëkëmbja të Tiranës, në revistën Shenja të Shkupit etj.
Në takimet e mia me të në Tiranë e dalloja pasionin me të cilin mbronte mendimet, që mbështeteshin nga përvoja e gjatë diplomatike dhe erudicioni, gëzimin për përparimet e Kosovës dhe të kombit shqiptar, pezmatimin për pengesat që ende shqiptarët kanë për të kapërcyer, por dhe besimin e tij se e drejta herët a vonë fiton. Vepra e tij publicistike është një shkollë e vërtetë për mendimin politik dhe strategjik shqiptar dhe një dëshmi e një jete kushtuar kombit. Ngushëllime familjes, të afërmve dhe bashkëpunëtorëve.