OPINIONTË FUNDIT

Gjeneral-majori Racaj paralajmëron rrezikun për shqiptarët nga rikthimi i shërbimit ushtarak në Serbi

Ditë më parë, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se në Serbi po përfundojnë përgatitjet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, një lajm që ka shkaktuar shqetësim të madh tek shqiptarët në Luginën e Preshevës për shkak të përvojave të dhimbshme historike me APJ-në.

Si reagim, Kamberi ka dorëzuar në parlament një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me qëllim zbardhjen e rasteve të vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë gjatë viteve ’80 në

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, Gjeneral Major Prof. Dr. Muhamet Racaj, ka përmendur disa nga rreziqet për shqiptarët në rast të rikthimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Ai ka zbuluar se shërbimi ushtarak është shfrytëzuar si mjet diskriminimi dhe frikësimi ndaj shqiptarëve, dhe sot klima armiqësore rrezikon përsëritjen e këtyre padrejtësive, duke kërcënuar jetën dhe dinjitetin e tyre.

Racaj ka sjellë si shembuj rastet e Asllan Ukë Gashit, Agron Haxhi Ferizit dhe Aziz Kelmendit dëshmojnë këtë rrezik të njohur.

“Rreziku kryesor për shqiptarët e Luginës lidhet me përvojën historike të dhimbshme në APJ, ku shumë rekrutë shqiptarë u eliminuan, u maltretuan ose u paraqitën si “vetëvrasës”. Këto raste tregojnë se shërbimi ushtarak kishte funksionuar si mjet presioni, frikësimi dhe diskriminimi etnik. Sot ekziston një klimë e ngjashme armiqësie dhe urrejtjeje ndaj shqiptarëve, gjë që mund të risjellë të njëjtat pasoja: rrezik fizik për jetën e të rinjve, trajtim degradues dhe cenim të dinjitetit kombëtar nën uniformën e ushtrisë serbe. Përvoja e Asllan Ukë Gashit (1981), Agron Haxhi Ferizit (1984) dhe inskenimi i rastit të Aziz Kelmendit (1987) janë shembuj që dëshmojnë se rreziku nuk është thjesht hipotetik, por një precedent i njohur”, ka shpjeguar ai.

Tutje, Racaj tha se identiteti kombëtar i shqiptarëve në Luginë është në rrezik për shkak të politikave të Serbisë që synojnë uniformizimin dhe asimilimin kulturor.

Sipas tij, shërbimi ushtarak detyrues shkëput shqiptarët e rinj nga komuniteti i tyre dhe i nxit në një edukim shtetëror që mohon identitetin shqiptar dhe kërkon besnikëri ndaj Serbisë.

“Identiteti kombëtar i shqiptarëve në Luginë është seriozisht i rrezikuar, për shkak se politikat e Serbisë janë të orientuara drejt uniformizimit dhe asimilimit kulturor. Nëpërmjet shërbimit të detyrueshëm ushtarak, shqiptarët e rinj jo vetëm që shkëputen nga ambienti i vet kombëtar, por futen në një proces edukimi të kontrolluar shtetëror, i cili mohon elementet identitare shqiptare dhe mundohet të injektojë besnikëri absolute ndaj shtetit serb. Kjo bie ndesh me të drejtat e garantuara me Kushtetutë për pakicat kombëtare, të cilat në praktikë nuk respektohen. Procesi i detyrueshëm ushtarak bëhet kështu një instrument i politikës së shtetit për të dobësuar e zhveshur komponentin shqiptar nga rrënjët e tij”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Racaj ka deklaruar se rikthimi i shërbimit ushtarak detyrues është një politikë e qëllimshme asimilimi.

Ai ka theksuar se ushtria serbe ka qenë gjithmonë më shumë sesa një forcë ushtarake, duke përdorur edhe metoda politike dhe ideologjike, si rastet e ushtarëve shqiptarë të vrarë e paraqitur si vetëvrasje apo masakra e Paraçinit.

“Po, padyshim. Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet parë si pjesë e një politike të vazhdueshme të asimilimit. Historia ka treguar se ushtria serbe dhe më herët APJ nuk ishin thjesht institucione ushtarake, por edhe instrumente politike e ideologjike. Rastet e ushtarëve shqiptarë të vrarë e të paraqitur si vetëvrasës, sikurse edhe masakra e inskenuar e Paraçinit, janë dëshmi të qarta të përdorimit të ushtrisë si mekanizëm për luftë psikologjike dhe frikësim ndaj popullit shqiptar. Sot, në kushtet kur emigrimi i të rinjve shqiptarë po boshatis Luginën, rikthimi i brezave të rinj në kazermat e ushtrisë serbe shihet si një mënyrë për të dobësuar më tej prezencën shqiptare në këtë rajon dhe për të realizuar gradualisht qëllimin e asimilimit dhe shpërnguljes së tyre”, ka potencuar ai.

Në fund, Racaj ka shtuar se kërkesa e Kamberit për themelimin e një Komisioni të posaçëm për zbardhjen e vrasjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në APJ është shumë e rëndësishme.

“Në këtë aspekt, veprimi i Shaip Kamberit për të kërkuar themelimin e një Komisioni të posaçëm për zbardhjen e rasteve të 135 ushtarëve shqiptarë të vrarë në radhët e APJ-së është i domosdoshëm. Ky hap nuk është vetëm juridiko-politik, por edhe moral e kombëtar, sepse vendos në qendër të vëmendjes krimet dhe shkeljet e së kaluarës, duke paralajmëruar opinionin publik për rrezikun e përsëritjes së tyre në të ardhmen”, ka përfunduar Racaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *