Profesori nga SHBA me deklaratë të fortë për dialogun: Pse shqiptarët presin zgjidhje nga të huajt?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë, njoftoi të premten Ambasada amerikane në Prishtinë.
Pezullimi i këtij dialogu e cilësua si një sinjal i rëndësishëm politik, mirëpo kishte kritika për mënyrën si është bërë – pa shpjegime të detajuara dhe pa treguar arsyet konkrete që shtyn drejt këtij vendimi.
Madje, një vendim i tillë erdhi vetëm një ditë pas një takimi në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, e që nuk rezultoi me sukses.
E në lidhje me këto zhvillime, për “Bota sot” foli profesori shqiptar në SHBA, Eshref Ymeri.
Si fillim, ai potencoi faktin se historikisht politikanët shqiptarë kanë besuar se ndërkombëtarët duhet të na zgjidhnin problemet.
ImageEshref Ymeri.Foto galeri
Në veprimtarinë e politikanëve shqiptarë, tradicionalisht, është vënë re se problemet e tyre duhet të na i zgjidhin të huajt.
“Kështu patën vepruar disa kryefigura të njohura të historisë sonë kombëtare:
Në vitin 1978, Abdul Frashëri shkoi në Berlin te Bismarku, të cilit i kërkonte që të mos na i copëtonin trojet tona etnike. Ismail Qemli shkoi në Londër te ministri i jashtëm Edurad Grei, me kërkesën “dua vatanet e mia”. Enver Hoxha, në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1957, kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, se vetë nuk na qenkej e aftë për të mbijetuar”.
Krahas kësaj, Ymeri përmendi dialogun me Serbinë, e që shkaku i tij Kosova në vazhdimësi ishte nën presion.
“E kam theksuar sa e sa herë në analizat e mia se dialogu me Serbinë është një paradoks, të cilin autoritetet e Prishtinës ia kanë lejuar vetes, duke cenuar autoritetin e Republikës së Dardanisë.
Ambasada amerikane si nuk u ndal dhe të arsyetonte se si mund të zhvillohet dialog me një Serbinë fashiste, e cila e pati shndërruar Dardaninë në një parcel eksperimentale për kryerjen e krimeve nga më barbaret në historinë e njerëzimit, të pakrahasueshme as me krimet e nazizmit gjerman në Luftën II Botërore?”
E kësisoj, ai ngriti disa pikëpyetje mbi këtë proces, e madje përmendi edhe disa emisar ndërkombëtar, që sipas tij kanë mbajtur anën e palës serbe.
“Si qenka i mundur dialogu me një Serbi fashiste, e cila, me gjithë dajakun që hëngri nga aviacioni i NATO-s, nuk u pendua kurrë për krimet e kryera në Dardani? Si qenka i mundur dialogu me Serbinë fashiste, kur asaj, qoftë nga Prishtina, qoftë nga Brukseli dhe Vashingtoni, nuk iu kërkua kurrë dëmshpërblimi për të gjitha krimet dhe shkatërrimet që kreu në Dardani
Mos vallë dënimi i kryekriminelit Milosheviç dhe Ratko Mlladiç në Hagë, e kompensuakan pendesën dhe dëmshpërblimin Serbisë fashiste për Dardaninë?
Faktet flasin se ndërmjetësitë e Brukselit dhe të Uashingtonit, si Borelli, Lajçaku, Eskobari dhe Grenelli, gjatë zhvillimit të dialogut qenë rreshtuar tërësisht në krah të Serbisë fashiste”, nënvizoi ai.
Në vazhdim, Ymeri foli mbi shkaqet që kanë shtyrë në pezullim të dialogut nga ane e SHBA.
Në këtë pikë, përmendi edhe Thaçin dhe kishte disa kritika të ashpra ndaj tij.
“Ambasada amerikane pse pikërisht tani mori vendim për ndërprerjen e dialogut?
Përgjigjen e gjejmë te qëndrimi i Presidentit Trump ndaj Serbisë fashiste që në prag të fushatës zgjedhore për mandatin e tij të parë. Në një informacion të atyre viteve thuhet:
“Kandidati presidencial nga radhët e republikanëve në Shtetet e Bashkuara, Donald Trump, u ka kërkuar ndjesë serbëve për bombardimet e NATO-s … Duke iu kërkuar falje serbëve për politikën amerikane e veçanërisht të presidentit Klinton, ai paralajmëroi që nëse bëhet president do të forcojë lidhjet me qeverinë në Beograd” (Citohet sipas: “Donald Trump i kërkon ndjesë Serbisë për bombardimet e NATO-s”. Faqja e internetit “zëriamerikës”. 13 tetor 2016).
Ja si pati reaguar asokohe miku amerikan i shqiptarëve, intelektuali i shquar David L. Filips (Phillips), Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut të Universitetit të Kolumbias:
“Trump e ka tradhtuar Kosovën…” (Citohet sipas: David L. Phillips. “Trampi e tradhëtoi Kosovën”. Faqja e internetit “Front Online”.04 maj 2020).
Tradhtia e Thaçit dhe e bandës së tij që gjatë viteve të luftës, vazhdon të mbetet një plagë e hapur në trupin e Republikës së Dardanisë. Asokohe qe krijuar rasti më ideal që Ushtria Çlirimtare e Dardanisë t’i kshte dëbuar të gjithë serbët, pikërisht ashtu siç i pati dëbuar Burri i Shtetit, Franjo Tuxhmani, nga territori i Kroacisë”.
Në fund, profesori tha se LVV nuk do duhej të t’i bënte dy gjëra, pas ardhjes në pushtet në vitin 2021.
“Vetëvendosja, që erdhi në pushtet më 14 shkurt 2021, nuk duhej t’ia kishte lejuar vetes dy paradokse:
Së-pari, duhej të kishte organizuar një Referendum mbarëpopullor, për ta emërtuar vendin me toponimin e lashtë pellazgoilirian – Dardani, duke e flakur toponimin e shpifur sllav, që vazhdon ta mbajë ende toponimin që haset në Bjellorusi dhe gjetiu.
Së dyti, duhej marrë një vendim i prerë nga Kuvendi për ndërprerjen e çdolloj dialogu me Serbinë fashiste, përderisa ajo e ka të sanksionuar në kushtetutën e saj prej paçavureje, sipas së cilës Kosova “është pjesë e Serbisë””, përmbylli Eshref Ymeri për “Bota sot”.