Ky është paramilitari serb – pjesëmarrës në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovë
Presidenti rus Vladimir Putin gjatë të hënës mbajti fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit.
Përveç përfaqësuesve rusë, në adresimin e tij morën pjesë edhe të ftuar të shumtë, e në mesin e tyre ra në sy një burrë i veshur me uniformë ushtarake me dekorata të shumta dhe simbole çetnike.
Bëhet fjalë për Bratisllav Zhivkoviqin, një komandant 42-vjeçar i çetnikëve, forcave paramilitare serbe, i cili luftoi në krah të separatistëve pro-rusë në provincat Donetsk dhe Luhansk në Ukrainë në 2014 dhe 2015, si pjesë e organizatës së ekstremit të djathtë “Unité Continentale”, shkruan The Geopost.
Dy shtetas francezë – Viktor Lenta dhe Nikola Peroviq – përmenden si themelues të “Unité Continentale”, që të dy ishin veteranë ushtarakë francezë.
Çetniku Zhivkoviq pretendon se ai ishte i ftuar në konferencën e Putinit si pjesëmarrës në një “operacion special ushtarak në Ukrainë”.
Ai thekson se është “i vetmi komandant serb që organizoi detashmentin çetnik dhe e çoi në Krime në vitin 2014”, duke shtuar se në të njëjtin vit ka marrë pjesë “në mbrojtjen e qytetit të Luhanskut dhe më 2018 në mbrojtjen e Donetskut”.
Në pjesë të Ukrainës lindore, Moska inkurajoi një kryengritje separatiste në vitin 2014 dhe në ato krahina luftimet kanë vazhduar që atëherë midis forcave vendase dhe separatistëve pro-rusë.
Në vitin 2018, Zhivkoviq u arrestua në Serbi nën dyshimin se organizoi pjesëmarrjen e serbëve në konfliktet e armatosura në Ukrainë dhe u ofronte atyre 200 euro në muaj për këtë.
Ekstremisti po hetohet nga Prokuroria e Ukrainës, për rolin e tij në sulmet ndaj forcave ukrainase në provincat e lartpërmendura.
Informacioni i fundit për Zhivkoviqin u shfaq në media vitin e kaluar, kur u raportua se ishte plagosur rëndë dhe po trajtohej në Moskë dhe se në fjalimin e Putinit kishte mbërritur me paterica.
Në vitin 2017, Rumania e dëboi Zhivkoviqin dhe e ndaloi hyrjen në vend për 15 vjet pasi ai dyshohet se tregoi interes për të marrë informacione sekrete për instalimet dhe pajisjet ushtarake.
Ai u kap duke spiunuar dhe fotografuar radarët ushtarakë në bregun e Detit të Zi, duke u përpjekur të transmetonte koordinatat e tij GPS.
“Gjykata e Apelit në Bukuresht e shpall Bratisllav Zhivkoviqin të padëshirueshëm për 15 vitet e ardhshme në Rumani për shkak të rrezikimit të sigurisë kombëtare kur tentoi të spiunonte bazën ushtarake ‘Mihail Kogalniceau’”, thuhet arsyetimin e dëbimit të tij.
Pjesëmarrës në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës
Ekspertin e sigurisë, Agim Musliu tha për Geopost se ‘ky çetnik është marionetë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq’.
Musliu thekson se Zhivkoviq karrierën e tij pro-ruse e kishte nisur gjatë vitit 2012, kur ishte bërë pjesëmarrës në vendosjen e barrikadave në veri të Kosovës.
“Çetniku serb Bratislav Zhivkoviq, një nga marionetat e Aleksandar Vuçiqit, i cili para 2-3 ditësh ishte i pranishëm në fjalimin e diktatorit rus Vladimir Putinit në Moskë, e ka nisur karrierën e tij pro-ruse në Kosovë, përkatësisht në barrikadat serbe të vitit 2012, në veri të Kosovës”, pohon Musliu.
Zhivkoviqi i përfshirë në konfliktin e Kumanovës.
Udhëheqësi i çetnikëve serb kishte qëndruar për tri ditë në Maqedoni të Veriut, ku gjatë kësaj kohe ka vizituar edhe lagjen e Kumanovës ku janë zhvilluar luftimet në maj 2015.
Gjatë qëndrimit aty, Zhivkoviq është takuar me përfaqësuesit e shoqatave serbe si dhe ka emëruar komandantin çetnik për rajonin e Kumanovës.
Zhivkoviqi pas konfliktit të Kumanovës kishte deklaruar se do të organizon vullnetaret nga Serbia për luftë kundër “terroristëve shqiptarë”./BotaSot