Sarrazin reagon pas ratifikimit të marrëveshjeve të Berlinit: Të ndiqet shembulli i Kosovës
Sarrazin reagon pas ratifikimit të marrëveshjeve të Berlinit: Të ndiqet shembulli i Kosovës
Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka reaguar pas ratifikimit të marrëveshjes së Berlinit në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka thënë se shpreson që vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të ratifikojnë marrëveshjet e dala nga Procesi i Berlinit, ashtu siç bëri Kosova sot, shkruan lajmi.net.
“Kosova ndoqi shembullin. Sot Kuvendi i Kosovës ratifikoi të tri marrëveshjet e mobilitetit të nënshkruara në samitin e Procesit të Berlinit. Shpresoj që vendet e mbetura të Ballkanit Perëndimor të shfrytëzojnë momentumin dhe të ratifikojnë shpejt. Mezi pres t’i shoh të gjithë qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që të shijojnë përfitimet shumë shpejt”, ka shkruar Sarrazin në Facebook.
Sot në Kuvendin e Kosovës janë ratifikuar tri marrëveshje të Procesit të Berlinit.
Ndër to është ratifikuar edhe marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.
82 deputetë votuan pro këtij projektligji, derisa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës i dhanë dritën jeshile edhe dy marrëveshjeve- për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Europës Qendrore. Për marrëveshjen e parë votuan 83 deputetë, ndërsa për marrëveshjen e dytë 84 sosh – që të gjithë pro.