AKP shpall Shitjen e Aseteve në Likuidim – SHAL 62
AKP shpall Shitjen e Aseteve në Likuidim – SHAL 62
Agjencia Kosovare e Privatizimit ka shpallur sot Shitjen e Aseteve në Likuidim – SHAL 62, në të cilën ofrohen në shitje 25 (njëzet e pesë) prona atraktive në disa rajone të Republikës së Kosovës.
Në rajonin e Prishtinës ofrohen për shitje asete atraktive, të përshtatshme për zhvillim të veprimtarive biznesore, si lokali në lagjen Dardania me hapësirë afariste prej 116 metra katrorë si dhe lokali i ndërmarrjes “Urata”, që gjendet afër PTK-së. Në qytetin e Obiliqit mund të ofertoni për lokalin afarist me sipërfaqe 114 metra katrorë që gjendet në rrugën Isa Boletini, si dhe zyrat e Gurrëthyesit në Gadime.
Numër i konsiderueshëm i aseteve të përfshira në SHAL 62 janë në rajonin e Mitrovicës, si lokale e depo në qytet të Mitrovicës si dhe te Tuneli i Parë, pastaj në komunën e Vushtrisë ka poashtu lokale që paraqesin mundësi të shkëlqyer për zgjerim të biznesit apo iniciativa të reja biznesore. Në listën e aseteve që janë në shitje përmes kësaj vale është edhe lokali në qytetin e Gjilanit që gjendet në rrugën Bujanina, në vend mjaft me perspektivë, i cili është i përshtatshëm për zhvillimin e llojeve të ndryshme të biznesit komercial. Ndërsa në Novobërdë ofrohet për shitje toka me sipërfaqe 1 hektar e 16 ari. Në shitje ofrohen asete edhe në rajonin e Pejës, si tokë ndërtimore prej 3 ari në zone atraktive të qytetit të Pejës, parcel 16 ari në veri të qytetit të Gjakovës, në një pjesë mjaft atraktive në aspektin biznesor, si dhe toka bujqësore me sipërfaqe 12 ari dhe 15 ari në zonën Dujakë dhe Dranashiq. Nga rajoni i Prizrenit ofrohen për shitje 8 (tetë) lokale, disa nga të cilat gjenden në qytetin e Dragashit, në fshatrat Kuk, Baçkë, Buçe dhe Bellobrad, si dhe Llokvicë dhe Drajçiq të Prizrenit.
Shpallja publike për këto asete është bërë sot, me 23 shkurt 2023, kurse dorëzimi i ofertave bëhet me datë 15 mars 2023. Gjatë kësaj periudhe palët e interesuara e kanë mundësinë që të marrin informata më të detajuara si dhe t’i vizitojnë për së afërmi pronat e ofruara për shitje.
Ofertat e mbyllura për njësitë/asetet që janë në shitje përmes Shitjes së Aseteve me Likuidim nr.62 duhet të dorëzohen në “Sallën e konferencave – Hoteli Grand”, në Prishtinë me datën 15 mars 2023, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, të shoqëruara edhe nga depozita e ofertës dhe tarifa për paraqitjen e ofertës, ashtu siç është parashikuar për secilin artikull. Kurse hapja e ofertave do të bëhet po të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 12:30.
Për më shumë informata, palët e interesuara mund të kontaktojnë AKP-në, Njësinë për Marketing dhe Marrëdhënie me Investitorë, Rruga “Dritan Hoxha Nr.55”, 10000 Prishtinë, Kosovë.Tel: + 383 (0) 38 500 400, lok. 1090, e-mail: [email protected] / [email protected] – www.pak-ks.org.