Ecejaket e Hashimit në SHBA, përçanë lobin shqiptar dhe lobonte ndarjen e Kosovës!
Është rast unik që një Gebels i Ballkanit, në zemër të Kontinentit të vjetër, Evropës, vazhdon të mbijetojë në politikë, madje President i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këtë e ka favorizuar gjeopolitika e këtij çerek-shekulli. Evropa, në përgjithësi, Amerika, në veçanti, jetësisht të interesuara për ta shkëputur Serbinë nga lidhjet e shumëfishta me Rusinë, kanë toleruar dhe vazhdojnë ta mbështesin Serbinë edhe në raport me Kosovën. Pikërisht për këtë po e pëson Kosova, padrejtësisht, madje në shumë aspekte.
Serbia e di mirëfilli këtë hall të Evropës dhe të SHBA-së. Andaj, mashtron se ruan miqësinë me të dy blloqet, se gjoja është në mes tyre, pa anësi të hapur. Realisht, Serbia parësinë e ka në karrigen e Rusisë. Për këtë ka dhënë prova, pa lënë hapësirë për hamendje. Presidenti Vuçiq vazhdon të mbetet zëdhënës modern i politikave të Kremlinit, duke sfiduar, madje vrazhdësisht, Evropën dhe supërfuqinë e parë botërore, SHBA.
Presidentja e Kosovës, Vjosë Osmani, në intervistën dhënë televizionit polak, TVP, e etiketon Vuçiqin “mjeshtër të propagandës”. Një gjetje adekuate për këtë tellall të Rusisë agresore. Lobi serb në Amerikë, ka depërtuar thellë në Administratën amerikane. Ndërkohë që Lobi shqiptar atje është dobësuar shumë. Këtë alarm e japin bashkëshortët Joseph dhe Sherly Dioguardi, bashkë drejtues shumë të suksesshëm të Ligës Shqiptare në Amerikë.
Ecejaket e Hashim Thaçit, në bashkëveprim me ambasadën tonë atje, në përpjekje për të shpëtuar vetën me komandantët e tij, nga Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, ai me lobuesit e zëshëm të dikurshëm bashkëkombës, për Kosovën, tani trokisnin në zyrat e senatorëve dhe të kongresmenëve, miq të Kosovës, me kërkesën për zhbërjen e Gjykatës Speciale, në këmbim të ndarjes të Kosovës.
Kumbarë të kësaj ideje satanike, u bënë kryeministri shqiptar, Edvin Rama dhe vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Këtë tradhti të parët e denoncuan veprimtarët e Ligës Shqiptare, të cilët e akuzuan presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, për përçarje të Mërgatës tej Oqeanit dhe lobimin fatal për ndarjen e Kosovës! Janë pazaret e pista që bëri Hashimi me Vuçiqin:
1) Veriu i Kosovës t`i jepet Serbisë;
2) Të zhbëhet Gjykata Speciale;
3) Të falën krimet reciproke serbo-shqiptare;
4) Të bëhet pajtimi serbo shqiptar!
Këtë projekt të hartuar në Beograd dhe të aprovuar në Prishtinë, me porosinë e presidentit Thaçi, e shpalosi dhe e përsëriti tri herë radhazi, brenda 6 muajve, për ta përgatitur opinionin, këshilltari trefishtë i Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit, agjenti Baton Haxhiu. Moderatori i T7, Pressing, Leonard Kërçuku, duke shprehë habinë, ndërhyri: “Në veri është Liqeni i Ujmanit?!” Batoni reagoi serbez:”Ani çka, ne e kemi Liqenin e Kukësit!!!”
Isht, e Amerika dhe shtetet e Kuintit, me Prokurorin amerikan Xhack Smith, me akuzën e bazuar, si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale arrestuan Hashim Thaçin me shokë, duke e stopuar ndarjen e Kosovës. Presidenti Trump akuzoi shefin e Sigurisë të SHBA, John Bolton, për përgatitjen e ndarjes të Kosovës “prapa shpinës time”! Por, Bolton u mbrojt se “ndarjen ma kërkuan Hashim Thaçi, Edvin Rama, Aleksandar Vuçiq!” Megjithatë, Trump e shkarkoi atë nga posti.
Vuçiq “mjeshtër propagande”, “Zajednica” agjendë e “botës serbe”
Vërtet, Aleksandar Vuçiq, tashmë, njihet si një “mjeshtër propagande” në zemër të Ballkanit, sepse ka një përvojë tej tri dekadave në këtë profesion, duke filluar në vitet`90-a, për ta vazhduar edhe sot suksesshëm. Propagandën e filloi në luftën e shefit të tij, Millosheviq, kundër Republikave jugosllave, të cilat kërkuan shkëputje nga Federata jugosllave, për ta vazhduar jetën e ndarë në paqe. Por, Serbia u shpalli luftë, me arsyetimin e marrjes të territoreve kudo që ka komunitet serbë, me synimin për ta krijuar “botën serbe”, përkatësisht, “Serbinë e madhe!”
Për ta arritur qëllimin megalloman të “botës serbe”, Vuçiq nuk e pushon propagandën fashizoide, në funksion të kësaj ideje. Ende pa u shëruar plagët e një lufte të përgjakshme, të shkaktuar nga Serbia, Vuçiq provokon popujt ballkanikë në stilin e Rusisë për krijimin e “botës ruse”, e cila vazhdon përgjakjen e popullit të pafajshëm të Ukrainës dhe ta kërcënojë edhe Evropën me luftë!
Perëndimi edhe pse i vetëdijshëm për mjeshtërinë e tij propagandistike në Ballkan, vazhdon ta tolerojë Vuçiqin, për hirë të një stabiliteti artificial! Për çudë e tmerr, Perëndimi e dinë mirëfilli qëllimin e Serbisë, pse ngulmon krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili është “kancer i Kosovës”, megjithatë, i bashkohet Vuçiqit dhe Serbisë së tij, në këtë kërkesë, sa të padrejtë, aq edhe kriminale.
Vërtet, pushtetarë të shantazhuar me dosje krimesh, nënshkruan marrëveshjen e Asociacionit. Por, duke parë katandisjen bllokuese të Bosnjes, me Asociacionin e 14 komunave me shumicë serbe, të përfunduar me themelimin e “Republika Srpska”; Krimenë e Ukrainës, me një lloj autonomie, prej nga mori shkas Rusia, për ta pushtuar me tanke, është e mjaftueshme që Kosova të mos e pranojë kurrë, pavarësisht padrejtësisë të sanksioneve, që, gjithsesi, është e dëmshme për Kosovën, por, turpëruese për BE-në moderne të sotme! Shefi i BE-së, Sorensen, sillet e mbështillet dhe i bie në gjunjë kriminelit Vuçiq, duke e joshur e përkdhelur Serbinë, me bërjen e dhunshme të Asociacionit, krejt njësoj si pararendësit e tij, Borell e Lajçak. E turpshme dhe kriminale! Kundërshtia e Kosovës me -J0- e Asociacionit, duhet të jetë e madhe sa bjeshka!
“Strategjia e re nga mbrojtja, në parandalim”, thotë Presidetja Vjosë.
Krijimi i Fondit për Ushtrinë, domosdo!
Aleksandar Vuçiq, dikur në krye të propagandës fashizoide, përgjatë luftërave në ish-Republikat jugosllave, si Kroaci, Bosnje, së fundi, në Kosovë, tani, në cilësinë e presidentit të Serbisë, krizat e brendshme, planifikon t`i bartë në shtetet fqinjë Bosnje, Kosovë, Mal të Zi, gjithnjë, me synimin e krijimit të “botës serbe”, në modelin e “botës ruse”. Rusia qëndron prapa kësaj ideje, e cila Ballkanin Perëndimor të trazuar, donë ta përdorë për shtrirje të konflikteve në Evropë. Aleanca Rusi, Kinë, Iran, tashmë, e njohur si “trekëndshi i djallit”, janë të gatshme ta shtrijnë përgjaken tej Ukrainës, pra, në Evropë.
Në menaxhimin e krizës në Serbi, siç janë protestat të nismuara nga studentët, me pjesëmarrje masive të popullit serb, kundërshtia e butë e Perëndimit, po e favozizon autokratin kriminel, Vuçiq. Sepse shoqëria serbe është rrast e kontaminuar me nacionalizëm primitiv, gjithnjë, me ëndrrën e “Serbisë së Madhe”, andaj, Perëndimi toleron Vuçiqin, duke u mashtruar vetëdijshëm, me hipokrizinë klasike të tij, ngaqë nuk shohin partner të besueshëm e serioz për bashkëpunim. Ndërkohë, në raport me Kosovën, Serbia vazhdon të miklohet, përkëdhelet dhe duke e sanksionuar, krejt padrejtësisht, Kosovën, madje me akuza bajate, “për mos gatishmëri koordinimi dhe bashkëpunim me BE-në!”
Lufta hibride, përmes fushatës dezinformuese propagandistike, Serbia vazhdon pengimin e njohjeve të Kosovës, anëtarësimin në BE. Madje, në një kohë kur Kosova është, pothuajse, barrikadë e vetme, të paktën, denoncuese e lidhjeve Rusi, Kinë, Iran, si “trinom i djallit”. Kosova deri më tani “nuk ka lejuar as zëro ndikim rus, kinez, iranian dhe nuk do të lejojë as në të ardhmen”,- deklaron sakt e bindshëm, Presidentja dinjitare, Vjosë Osmani. Ky zotim i qytetares së parë të vendit, Vjosë, është mirëpritur dhe aprovuar nga shumësia absolute e popullit të Kosovës dhe shqiptarët botërorë.
Edhe pas tri dekadave Vuçiq nuk ka bërë asnjë lëvizje pozitive. I vetmi ndryshim i bërë është se ai këtë propagandë e përdorë tani edhe kundër popullit të tij. Dhe, për çudë, propaganda e tij ende vazhdon të jetë opium për një pjesë të shoqërisë serbe, e cila organizoi edhe kundër-protesta në mbrojtje të nxënësit të Millosheviqit, pra, të “mjeshtërit të propagandës”, Vuçiq!
Përballë politikës destruktive dhe nxitjes të tensioneve të Serbisë në rajon, “Kosova duhet të ndërrojë strategjinë, duke bërë hapa para, kalimi nga mbrojtja në parandalim të hershëm”, siç rekomandon, porositë edhe Presidentja e artë, Vjosë Osmani. Të gjitha strukturat shtetërore, pushtetare, partiake, organizatat e tjera të shoqërisë kosovare, për ta bërë “parandalimin të hershëm”, të revanshit agresiv në rritje të fashizmit serb, kundër Republikës të Kosovës, duhet të bashkohen, të organizohen, mençurisht e vendosmërisht, për konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Realisht, Kosova është dobësuar dhe dëmtuar me largimin nga vendi e gjysmës së popullsisë të Kosovës. Kush e fshehë këtë të vërtetë, nuk i bënë nder vendit. Por, siç thuhet: “Çdo e keqe, ka edhe një të mirë”. E mira e kësaj të keqeje qëndron në faktin e punësimit dhe fitimit parave në mërgim, tashmë, ekonomik dhe jo politik. Një organizim i mirë, i ndershëm, patriotik i qytetarëve të kësaj Mërgate ekonomike, derdhjen e kontributeve në një Fond të kontrolluar nga shteti, respektivisht, Komision, me pjesëmarrje të partive parlamentare, të destinuar, ekskluzivisht, për mbrojtjen e Atdheut-Kosovë, me armatimin modern të kohës, është ajo strategjia, për të cilën Presidentja Vjosë fton të angazhohen të gjithë shqiptarët vendorë dhe të përbotshëm, pavarësisht se ku dhe kur kanë lindur ata. Kur Mërgata filloi begatimin e Fondeve për mbijetesën e Kosovës, punonte vetëm kryefamiljari dhe pak nga gratë e tyre. Ndërsa tani, kanë, të paktën, nga tri e katër anëtarë të punësuar. Paraja nuk mungon, duhet vetëm organizimi i vjeljes së tyre.
Modeli i organizimit të Fondit shtetëror, i shprehur në 3 % obligagtiv, në fakt, fakultativ dhe rrast i sabotuar nga kuqaloshët e LPK-së, ka qenë ideal dhe pa mundësi abuzimi, sepse ka qenë me kontroll bankar të dyfishtë: Nga banka gjermane dhe ajo e Qeverisë së Kosovës, ku inkasoheshin paratë e mërgimtarëve. Edhe paratë e vjelura ndryshe, jashtë Fondit, siç janë “Aksioni ta ndihmojmë Kosovën për Vetëmbrojtje”, më 1991; “Aksioni për Drenicën”; “Aksioni për blerjen e amëve” dhe të tjerë, më pak të rëndësishëm, janë shumëzuar në mijëra kopje dhe ne, veprimtarët i posedojmë listat përkatëse dhe dorëzimet e tyre në Qeverinë në Egzil, gjithnjë, me fatura të rregullta.
Huaja e marrë nga Qeveria, në këmbim sigurie, me -Bona-, letra me vlerë, me prerje: 500, 1000, 2000 marka, ka qenë dhe mbetet hua, borxh, i dhënë nga populli, mërgimtarët dhe mërgimtaret shqiptarë, kudo që ata punonin dhe jetonin në botë. Heshtja për një çderek-shekulli, e një huaje faktike, është e turpshme, madje, për të gjitha qeveritë, që kanë pasuar njëra-tjetrën. Fundja, duhet të pyeteshin dhënësit, nëse duan kthimin apo faljen e borxhit? Përndryshe, heshtja e mëtejme është mashtrim, vjedhje zyrtare.
Fondi i 3%-it edhe sot mund të kontrollohet dhe të verifikohet, madje, deri në qindarkën e fundit. Akuzat për abuzim e vjedhje, të bëra në adresë të kryeministrit Bujar Bukoshi dhe ministrit të Financave, Isa Mustafa, janë paushalle dhe hiç reale. Paratë Fondit të 3 %-it dhe të “Vendlindja thërret”, janë grabitur nga komandantët pa ushtarë, por me banda të bollshme, mujsharë e kriminelë të Rognerit dhe të vilave të Bllokut të Zi të Tiranës social-komuniste, me tytat e kallashëve kinezë. “E shpëtova Bujar Bukoshin nga një atentat i sigurt në Kukës”, – ka deklaruar, publikisht, anëtari i Shtabit të UÇK-së të LPK-së, Xhavit Haliti, me seli në Tiranë.
Dy Fondet e nismuara për begatimin e mbrojtjes, së pari nga kryeminisri Ramush Haradinaj, më pastaj, nga ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, pa i paragjykuar për ndonjë abuzim, nuk ishte model i duhur. Sepse askush nuk është i detyruar t`i besojë një individi apo një partie politike. Kjo bëhet me marrëveshje paraprake, me Komision kredibil, fort të besueshëm dhe me transparencë e llogaridhënie Komisionit Kuvendor Shtetëror. Le ta provojë këtë shteti i Kosovës dhe kam bindjen se do ta stopojë, bllokojë dhe tmerrojë Serbinë megallomane dhe kampione propagandistike, më sakt, lehaqene.