Brenda gjashtë jave, 88 mjekë u larguan nga Kosova
Brenda gjashtë jave, 88 mjekë u larguan nga Kosova
Fluksi i mjekëve që po e lënë Kosovën, po vazhdon edhe këtë vit.
Vetëm në gjashtë javët e para të këtij viti, 88 mjekë e kanë lëshuar vendin, ka bërë të ditur për Radio Kosovën, Oda e Mjekëve të Kosovës. Nëse trendi i ikjes nga Kosova vazhdon më ketë ritëm, vendi ynë rrezikon të mbetet pa mjekë, derisa shifrat tregojnë se më shumë se 200 mjekë në vit po largohen nga Kosova drejt shteteve të BE-së, kryesisht Gjermanisë.
Pakënaqësitë me pagat dhe kushtet e punës në QKUK, shumë mjekë po detyrohen t’i lëshojnë vendet e tyre të punës për t’iu drejtuar shteteve të huaja. Kryetari i Odes së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka thënë për Radio Kosovën se ka një zhgënjim sepse pritjet e mjekëve kanë qenë që koeficienti i pagave të jetë më i lartë se sa ky që u është ofruar tani.
“Mjekët të cilët largohen nga Kosova flasin në rend të parë për kushtet e punës gjë që këto janë ato të cilat më të vërtetë e bëjnë një mjek që të largohet dhe pastaj vjen paga. Ka një zhgënjim të madh sepse pritjet kanë qenë që koeficienti të jetë mbi 120. Për sa i përket mjekëve që e kanë lëshuar Kosovën dhe atyre që janë të papunë specializantë për vitin e kaluar, kanë ikur 2011 veta ndërsa vetëm në 6 javë të para të këtij viti 88 mjekë kanë lëshur Kosovën”, tha Sejdiu.
Përveç ikjes së mjekëve nga Kosova, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ikja e mjekëve nga sektori publik është si pasojë e disa profesioneve që janë në mungesë dhe oferta për të kaluar në privat është shumë joshëse.
“Përveç ikjes së mjekëve nga Kosova në vende të tjera kemi edhe një problem tjetër. Për shkak se disa profesione që janë deficitare po kalojnë në sektorin privat dhe për shkak të numrit të vogël të tyre si dhe për shkak të kërkesës së madhe, është rritur edhe oferta dhe po bëhen oferta shumë joshëse që të kalojnë nga sistemi publik në atë privat”, tha Vitia.
Ndërsa Besim Kodra, nga Shoqata për të Drejtat e Pacientëve, ka thënë për Radio Kosovën, se përveç fluksit të madh të mjekëve që po e lëshojnë vendin, po ikin edhe pacientët për një trajtim më të mirë shëndetësor jashtë vendit. Ndërsa Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës në një përgjigje për Radio Kosovën ka thënë se për sa i përket pagave, me ligjin e ri ka rritje të dukshme për mjekët dhe infermierët dhe kjo presim të ndikojë pozitivisht edhe në motivim të stafit.