TË FUNDIT

Dronët amerikanë për Kosovën, eksperti: Ja mesazhi që Washingtoni po i dërgon Beogradit dhe Moskës

Shala: Në thelb, ky është një mesazh i qartë politik dhe strategjik
Ministri në detyrë i Ministrisë së Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se gjatë javës së kaluar Kosova ka pranuar fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Gjatë javës së kaluar pranuam fluturaket pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma të prokuruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministria e Mbrojtjes prokurimin e Fluturakeve pa Pilot “Puma” nga SHBA e ka realizuar përmes programit shtet më shtet të njohur si Foreign Military Sale (FMS). Pagesa për këtë sistem është realizuar në vitin 2021. Fluturaket Puma, krahas fluturakeve të tjera, janë një kapacitet tjetër i nevojshëm për rritjen e aftësive të FSK në fushën e sistemeve ajrore pa pilot. Bashkëpunimi me SHBA në fushën e mbrojtjes po thellohet dhe zgjerohet vazhdimisht, duke kontribuar në zhvillimin e ushtrisë sonë si dhe në arritjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve tona”, ka shkruar në njoftimin e tij Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

E sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, dronët amerikanë për Kosovën janë një hap i vogël teknik, e një hap i madh gjeostrategjik.

ImageDrizan ShalaFoto galeri
“Pranimi i fluturakeve pa pilot AeroVironment RQ-20 Puma nga Forca e Sigurisë së Kosovës është më shumë se një furnizim i zakonshëm ushtarak. Në thelb, ky është një mesazh i qartë politik dhe strategjik: Kosova është pjesë e arkitekturës së sigurisë perëndimore, dhe SHBA mbetet garancia e saj kryesore”, thotë Shala.

“Në planin teknik, këta dronë i japin Kosovës aftësi të reja në monitorimin e kufijve, mbledhjen e inteligjencës dhe reagimin ndaj situatave emergjente. Në një rajon ku tensionet shpesh prodhohen nga veprime të vogla, por me pasoja të mëdha, ky kapacitet i ri është një mjet i fuqishëm parandalues”, shpjegon eksperti Shala.

Më tej, Shala thotë se ky është edhe një mesazh i hapur për Beogradin dhe Moskën nga Uashingtoni.

“Por më i rëndësishëm është dimensioni politik. Duke i pajisur FSK-në me mjete moderne të vëzhgimit, Washingtoni po i dërgon një mesazh Beogradit dhe Moskës: Kosova nuk është vetëm. Çdo përpjekje për destabilizim do të përballet me një partneritet të qëndrueshëm mes Prishtinës dhe Uashingtonit. Kjo rrit jo vetëm sigurinë e brendshme, por edhe pozitën e Kosovës në tryezat e sigurisë rajonale dhe euroatlantike. Në një kohë kur Serbia vazhdon të investojë në armatime ruse dhe të luajë rolin e “kalit të Trojës” në Ballkan, pranimi i dronëve Puma është një kundërpeshë strategjike. Ky veprim konfirmon se SHBA nuk do të lejojë vakuum sigurie në Kosovë, por përkundrazi po investon për ta forcuar atë si faktor stabiliteti”, thekson Shala.

“Pra, pranimi i dronëve amerikanë nuk duhet parë si një gjest i izoluar, por si pjesë e një strategjie afatgjatë të fuqizimit të Kosovës. Është një hap që, përtej teknologjisë, bart peshën e garancisë politike dhe ushtarake më të rëndësishme për shtetin e Kosovës – mbështetjen e palëkundur të SHBA”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *