TË FUNDIT

Policia e Kosovës arreston dy persona për krime të rënda ekonomike dhe kanosje

Dy persona janë arrestuar gjatë aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës që u bë me urdhër të Prokurorisë Speciale nën dyshimet për kryerjen e veprave penale“fajde”, “shpëlarje e parave”, “kanosje” , “falsifikim i dokumenteve”, dhe “mashtrim”.

“ Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar B.M dhe Q.M, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “fajde”, “shpëlarje e parave”, “kanosje” , “falsifikim i dokumenteve”, dhe “mashtrim”, thuhet në njoftimin e policisë për aksionin.

Tutje, kanë bërë të ditur se kanë realizuar urdhër kontrollin në katër lokacione ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat thonë se do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

“Hetuesit policorë me autorizim të Prokurorisë Speciale, më 05.09.25 kanë zbatuar urdhër kontrollin e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në katër (4) lokacione (shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse) të personave të dyshuar, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.”, thuhet në njoftim.

Të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale, janë ndaluar për 48 orë.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të trajtojë informacionet dhe dyshimet me profesionalizëm, në mënyrë që të gjithë kryesit e veprave penale të vihen para përgjegjësisë ligjore”, thotë Policia e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *