OPINIONTË FUNDIT

Opozita kundër Vetëvendosjes, por në shërbim të Listës Serbe

Prej më shumë se një dekade, Lista Serbe ka funksionuar si një instrument politik i Beogradit, i cili, përmes saj, ka ndikuar në vendimmarrje në Kosovë, shpesh duke bllokuar procesin demokratik. Në vend që opozita të tregonte unitet kombëtar dhe të mbështeste çdo iniciativë që dobëson ndikimin e Serbisë, ajo zgjedh të qëndrojë në rolin e kritikuesit.

Më shumë se sa të luftojë Listën Serbe, opozita po duket e fiksuar pas Vetëvendosjes, duke harruar se përmes kësaj qasjeje forcohet vetëm Beogradi. Për më tepër, ajo e kritikon dhe pengon Vetëvendosjen për ta zhveshur Listën Serbe nga roli i imponuar si faktor kyç politik në Kosovë.

Është e papranueshme që partitë opozitare, në vend se të shohin interesin shtetëror, matin çdo hap të qeverisë vetëm nga perspektiva se sa po i dëmton apo i forcon ata në skenën elektorale. Kjo qasje është e rrezikshme: sepse, nëse nuk i hiqet monopoli Listës Serbe mbi përfaqësimin politik të serbëve të Kosovës, atëherë edhe pas shumë vitesh, Kosova do të vazhdojë të jetë peng i strukturave paralele të Serbisë.

Ajo që duhej të ndodhte është bashkimi i spektrit politik shqiptar për ta ndryshuar një realitet të padrejtë. Nëse opozita nuk e mbështet këtë proces, ajo faktikisht po bëhet aleate indirekte e Beogradit, qoftë edhe pa dashje. Historia politike e Kosovës tregon se momentet më të rëndësishme janë fituar kur ka pasur unitet, jo kur secila parti ka menduar vetëm për përfitimin e vet.

Prandaj, opozita ka dy rrugë: Ose të mbetet në pozicionin e ngushtë të rivalitetit politik, duke e ndihmuar Listën Serbe të ruajë statusin e saj, ose të ngrihet mbi interesin partiak dhe të kontribuojë për një Kosovë ku vendimet nuk varen më nga diktati i Beogradit. Çdo zgjedhje tjetër është shërbim ndaj Serbisë, jo ndaj qytetarëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *